Lezhë, zbulohet baza e dytë e prodhimit të bombave me eksploziv.

Postuar në 05 Mars, 2014 12:50

Një tjetër “punishte” bombash me eksploziv është zbuluar sot pas asaj që u gjet dje në Malësinë e Madhe. Në Balldren të Lezhës policia ka vënë në pranga, 47-vjeçarin Ndrec Mandrea, i cili sipas forcave blu kishte ngritur punishte lëndësh plasëse në banesën e tij dhe vijonte aktivitetin prej dy muajsh.
Bashkëshortja e të arrestuarit pretendon se nitrati i gjendur në banesë përdorej nga Mandrea për të nxjerrë gurë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës material, 5 Kg nitrat amoni të përzier me karburant dhe 12 kapsolla detonatorë elektrike si dhe tela zjarrpërcjellës.
Një ditë pas arrestimit të 75-vjeçarit, Taf Bilalaj, nga fshati Kurtaj i komunës së Gruemirës në Malësinë e Madhe, në banesën e të cilit u gjetën dhe u bllokuan një arsenal municionesh dhe armë luftarake, policia ka publikuar pamjet ku gjendej baza e tritolit. I moshuari po merret në pyetje nga policia për të mësuar mbi lidhjet e tij me persona të tjerë dhe vendet ku ai ka shitur lëndën eksplozive, ndërkohë që siç shihet nga pamjet është e vështirë të mendohej se gjithë ky arsenal qëndronte në këtë banesë.
Zbulimi i kësaj baze dhe arrestimi i 75- vjeçarit u bë i mundur nga infiltrimi i një agjenti policie që u paraqit si blerës i lëndëve plasëse, që ka bërë të mundur zbulimin e kësaj baze që mendohet të jetë burim i shumë shpërthimeve të ndodhura në vend. I moshuari jetonte vetëm me të shoqen në shtëpi dhe sipas burimeve jo zyrtare, ai e kishte siguruar këtë sasi municionesh në vitin 1997 dhe i mbante ato për t’i shitur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.