Letër në Ambasadën Britanike në Tiranë: Do ju hedh në erë

Postuar në 21 Gusht, 2013 05:51

Antiterrori shpall në kërkim autorin e kërcënimit. Roland H., nga Kukësi, e kthyen se ishte me letra kosovare

Një letër me përmbajtje kërcënuese, drejtuar Ambasadës Britanike në Tiranë, ka vënë në alarm shërbimet e Antiterrorit të Policisë së kryeqytetit. Letra i ishte dërguar selisë diplomatike më datë 15 gusht 2013 nëpërmjet postës, por adresa e shënuar në zarf ishte e rreme. Përfaqësuesit e Ambasadës menjëherë kanë vënë në dijeni Policinë e Tiranës, fillimisht nëpërmjet sallës operative, më pas kanë bërë edhe kallëzim me shkrim. 

Menjëherë pas denoncimit, duke e marrë në konsideratë si një kërcënim të mirëfilltë, oficerët e zyrës kundër akteve terroriste kanë nisur hetimet për identifikimin e personit që kishte postuar letrën. Burime nga grupi hetimor, edhe pse të rezervuar për shkak se çështja vazhdon të jetë në hetim me metodat speciale, thanë se bëhet fjalë për një kërcënim real dhe të shprehur mjaft qartë me shkrim. “Do ju hedh në erë me eksploziv”. Kaq arritëm të mësojmë nga grupi hetimor nga përbërja e letrës, që sipas Policisë, kishte edhe shënime të tjera në brendësi. Megjithatë, kjo është pjesa kërcënuese që është marrë në konsideratë nga grupi hetimor. Nga ana tjetër mësuam se është arritur të identifikohet edhe autori i ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim. Ndërsa paraprakisht ka nisur procedim penal në gjendje të lirë me akuzën e kanosjes dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.

HETIMI 
Nga veprimet operative dhe hetimet e kryera me metodat speciale nga ana e oficerëve të Antiterrorit, në bashkëpunim me Prokurorinë, mësuam se është arritur të identifikohet autori i ngjarjes. Sipas burimeve nga Policia, i dyshuari është një 26-vjeçar nga fshati Vilë i Kukësit, Roland H. (emri i plotë nuk mund të bëhet i ditur për arsye hetimi). Por nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë së Tiranës rezulton se ky person ishte deportuar nga autoritetet britanike, ku kishte qëndruar me dokumente të falsifikuara për disa vite. Sipas burimeve, i dyshuari ka qenë i pajisur me dokumente si shtetas kosovar dhe në momentin që është zbuluar identiteti i vërtetë i tij, ai është riatdhesuar. Për këtë arsye dyshohet të ketë kryer edhe kërcënimin ndaj Ambasadës Britanike në Tiranë, në shenjë hakmarrjeje për kthimin e tij në Shqipëri. 

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.