Leskaj: Vlora do i japë e para grushtin Berishës. Do dalim 9 me 3 në qark

Kandidatja e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Valentina Leskaj, në një intervistë për gazetën Dita, komenton vendosjen e Ramës në krye të listës së kandidatëve për këtë qark. Leskaj thotë se Vlora do jetë përcaktuese në momentin e kësaj kthese historike.
“Unë e shoh të natyrshme ardhjen e z. Rama në Vlorë. Besoj, që pas 100 vitesh Pavarësi, Vlora e meriton të ketë një kryeministër, deputet të Vlorës. Sigurisht edhe kjo që nënvizoni ju në pyetjen tuaj, ka një të vërtetë. Vlora ka një potencial shumë të madh, jo vetëm për sa i përket turizmit, por edhe bujqësisë, trashëgimisë kulturore. Në fakt të gjitha këto potenciale, ashtu edhe detin e mrekullueshëm, i braktisi për 8 vjet me radhë Sali Berisha. Kjo është fatale dhe e pafalshme për qeverisjen e tij. Ndaj Partia Socialiste, do të japë modelin ndryshe për të vënë në lëvizje këto potenciale dhe mbi të gjitha potencialin njerëzor, që ka një kurajo të jashtëzakonshme. Vlora ka Universitetin e saj, që është pas atij të Tiranës, që është një burim që mund të kthehet në mirëqenie për njerëzit. Pra të gjitha këto pasuri, duhet të kthehen në mirëqenie për komunitetin. Ka edhe një arsye tjetër, që Vlora e meriton, pasi jo vetëm është një nga mbështetëset më të fuqishme të së majtës, por sepse Vlora ka një nuhatje shumë të hollë politike, gjithmonë Vlora ka qenë përcaktuese në momentet e kthesave së historisë. Më besoni, që edhe 23 qershori do të jetë një moment historik. Jam e sigurt që Vlora do të jetë e para, që do t’i japë grushtin qeverisjes së Berishës,” tha Leskaj.
Duke komentuar daljen e Arben Malajt si i pavarur, Leskaj thotë se ai nuk do ndikojë në fitoren 9 me 3 në qarkun e Vlorës.
“Mendoj se distancimi dhe kandidimi i tij i pavarur, ishte një zgjedhje e z. Malaj. Pyetjes tuaj se sa do të ndikojë në fitoren e PS në Vlorë, unë siguroj se në Vlorë koalicioni i majtë do të fitojë 9 me 3. Ajo që do t’i këshilloja z. Malaj është që të tërhiqet, pasi kemi bërë një rrugë të gjatë bashkë dhe të vendoset në krah të partisë së tij. Kjo do ta nderonte. Ajo që na duhet sot, është një fitore e thellë, në mënyrë që të kemi më shumë vota në Parlament, që të bëjmë reformat, që përmes reformave integruese, të realizojmë programin që kemi marrë përsipër. Për të argumentuar më tej, dua të shtoj se ne kemi kohë që kërkojmë heqjen e akcizës së naftës, heqjen e TVSH-së për plehrat, për ilaçet, por nuk kemi pasur votat. Prandaj na duhet të bëjmë shumicën, të kemi votat e domosdoshme. Kështu do të krijojmë një shpresë të re”./ep
TEMA
Add new comment