Leo Osmëni në gjykatë: I thashë Delinit të gjuante

Postuar në 01 Gusht, 2013 08:02

-Leo Osmëni, protagonisti i masakrës së Vlorës, ka dalë dje para gjykatës së Vlorës. 18-vjeçari ka folur pak dhe ka thënë thuajse në vija të përgjithshme ato që i ka deponuar policisë dhe prokurorisë. Gjykata e la në burg pa afat. Po dje, para gjykatës kanë dalë edhe dy bashkëpronarët Saimir e Servet Qamo, xhaxha e nip. Ata janë lënë në një masë të butë; detyrim paraqitjeje. Këta të fundit u arrestuan për moskallëzim krimi. Ndërkohë që vijon puna për hetimin e dosjes së masakrës dhe kërkimin e Delin Hajdarajt, 22-vjeçarit që është sërish i lirë. Mbase arrestimi i tij mund të hedhë dritë mbi gjithçka ka ndodhur atë moment, ose para tij në atë resorin turistik, që papritur u shndërrua në “resortin e vdekjes”. Policia, prokuroria dhe ekspertët mjeko ligjor kanë arritur në një përfundim, se vrasjet kanë ndodhur me plumba rekoshet, ndërsa që të tre viktimat janë vrarë aksidentalisht, pasi autori i kësaj masakre nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në ajër. Ndërsa policia ka fiksuar faktin se në të vërtet asnjëri prej viktimave nuk kishin lidhje me sherrin e nisur mes vajzave nga Vlora dhe djemve nga Fieri, viktima më e përfolur në këtë ngjarje të rëndë dhe i përfshirë në një rol të paqenë, ishte Sokol Isufaj, 34 vjeçari, baba i dy vajzave. Fillimisht u konsiderua si shënjestra, meqë ishte po nga Fieri, mirëpo kanë qenë drejtuesit e hetimit që e kanë përjashtuar të ndjerin nga çdo implikim.

Rrëfimi i Leos në Gjykatë

18-vjeçari, i cili është djali i vetëm i familjes Osmëni, ka treguar se është telefonuar nga e motra që të vinte dhe ta merrte dhe t’i çonte në shtëpi. Në atë bisedë telefonike, sipas tij, ajo i ka treguar edhe për faktin se ato, pra ajo, motra më e madhe, si dhe një kushërirë e parë e tyre, duhej të lëviznin që aty pasi po i ngacmonin ca çuna nga Fieri. “Rreth orës 14.30 kam marrë telefonatën dhe më pas jam nisur në drejtim të plazhit. Më vete kam patur një kaçavidë (por policia thotë se ka patur thikë) dhe s`kisha asgjë tjetër me vete. Kam telefonuar Delinin të më sillte armën dhe kam zbritur shkallët. Jam rrahur me ta dhe më pas kam qëlluar me kaçavidë njërin prej tyre. Ata ishin shumë dhe e kisha të pamundur t’ua dilja, ndaj i kërkova Delinit të qëllonte. Ai ashtu bëri. Më pas s`di se çfarë ka ndodhur, por kam marrë motrat dhe kushërirën me makine dhe i kam sjellë në shtëpi. Për Delinin nuk mora më vesh asgjë çfarë u bë me të. Kemi qenë me makina të ndryshme dhe nuk e di as nga ka ikur”. Kjo ka qenë dëshmia që ka bërë para gjykatës 18-vjeçari, i cili sapo ka mbaruar maturën dhe po bëhej gati të regjistrohej në fakultet, ndoshta në Vlorë, ndërsa motra e tij binjake do tu bashkëngjitej motrave të saj në Itali, ku vijojnë studimet. Leo i ka theksuar gjykatës faktin se djemtë nga Fieri i kishte sulmuar sepse ata i kishin kërkuar adresën e Facebook motrës së tij, ndërkohë që nuk ishte në dijeni të asaj masakre që kishte ndodhur derisa ka dalë informacioni për tri viktima. Mbi të riun tashmë bie akuza e bashkëpunimit në vrasje, ndërkohë që autor i atij sulmi që, sipas policisë dhe prokurorisë, është kryer me plumba që kanë bërë rioshet, vazhdon arratinë.

Në kërkim të autorit

Delin Hajdaraj është 22-vjeçari mbi të cilin tashmë bie edhe pesha kryesore e kësaj masakre, pasi nga arma që ai përdori humbën jetën tre persona, 34 vjeçari Sokol Isufaj, 53 vjeçarja Diana Ademi si dhe 17 vjeçari Serdi Bajlozi. Nga informacionet e pakta që posedon policia në lidhje me drejtimin e tij, ka dyshime të forta që ai ka mundur të largohet në drejtim të zonës së Bregut, ndonëse në të vërtetë përgjatë gjithë asaj ane ka vetëm një rrugë dhe thuajse është e pamundur të kalohet, nëse bëhet fjalë për ikje me makinë. Sipas të dhënave konfidenciale saktësohet se i riu mund të ketë kaluar edhe pikën kufitare dhe të jetë vendosur në Greqi. Emri i tij është publikuar disa orë pas vrasjes si personi që ka qëlluar në ajër mbi një resort të rrethuar nga të katër anët me beton. I riu që thuhet se është shok i Leo Osmënit, sipas të dhënave është me origjinë nga Tropoja, por i lindur dhe i rritur në Vlorë. Hajadaraj ka prindër të divorcuar dhe referuar të dhënave të Policisë së Shtetit tregohet se edhe i ati i tij është ndaluar rreth 16 muaj më parë për llogari të policisë së Tiranës. Ngjarja në të cilën thuhet se ishte përfshirë Hajdaraj, është një ndër ngjarjet rënda të ndodhura thuajse në mes të Tiranës. I ati i Delinit mësohet se vijon të jetë në qeli pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje.

Kontradiktat e deklarimeve

Grupi i ekspertëve të cilët po merren me dokumentimin e vrasjes së ndodhur pasditen e së dielës në resortin “Kalaja”, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, do të vijojnë punën për të zbuluar çdo detaj në lidhje me faktin që i ka shtyrë Leo Osmënin dhe Delin Hajdarajn të hyjnë në resort të armatosur. E ndërkohë policia saktësoi se në të vërtet çantën që mbante armën brenda deri në plazh e ka ulur vetë Osmëni, ndërsa e ka shkrehur . Osmëni në fillim ka dashur ta marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë e asaj masakre, por ka qenë policia që ka verifikuar informacionin e saktë mes qindra të tillave që në të vërtet kishte qëlluar 22-vjeçari. Njëkohësisht me mjaft interes do të jenë edhe deklarimet e mëvonshme si dhe ballafaqimet mes “shkaktarëve” të konfliktit që më pas degjeneroi në përdorim arme. Policia dhe prokuroria vijojnë të besojnë se ngjarja është pasojë e konfliktit për një ngacmim që fierakët i bënë motrës së tij, ndërsa për to dhe “nderin e shokut”, mbi turmë ose në ajër ka gjuajtur pikërisht Delini, 22 vjeç.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.