Legisi: Berisha nuk është mësuar të bëjë zgjedhje të lira

“Zgjedhjet e 26 majit, shkaku i ushtrimit të dhunës ndaj opozitës dhe Edi Ramës”
BLEDAR HOTI
Ndre Legisi, një nga opozitarët më të flaktë të Partisë Socialiste, rrëfen për gazetën “Shqip” ngjarjen e bujshme të 28 majit të vitit 1996, protestën që erdhi pas manipulimeve të zgjedhjeve të 26 majit. Për Legisin, Berisha e ka të vështirë të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Z.Legisi, zgjedhjet e 26 majit 1996 u shoqëruan me manipulime të mëdha nga qeverisja e djathtë. Opozita e asaj kohe, duke e ndier një fakt të tillë, ndërmori protesta kundër manipulimit të votave. Më 28 maj të atij viti, opozita e bashkuar protestoi ndaj manipulimit të qeverisë së djathtë. Çfarë mbani mend nga ajo kohë?
Shqipëria dhe politika shqiptare vazhdon të ketë një problem shumë të madh, drejtuesit e saj zhvillojnë luftën politike në mënyrë ekstreme, veçanërisht zoti Berisha, pasi kanë probleme të mëdha për ta pranuar realitetin, për t’u pajtuar me rezultatin apo dhe humbjen në zgjedhje. Në vitin 1996, në zgjedhjet e 26 majit, Berisha e dinte shumë mirë se e priste një humbje e madhe elektorale. Referendumi i vitit 1994 dhe zgjedhjet e mëparshme vendore kishin dhënë shenja të dukshme se kursi i qeverisjes së PD-së nuk ishte i duhuri për demokracinë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sa më shumë e ndiente këtë realitet Berisha dhe pushteti i PD-së, aq më shumë bëhej agresiv dhe i dhunshëm. Ata nuk mund të pranonin rikthimin në pushtet të PS-së dhe për shkak të propagandës antikomuniste që trumbetonin, e cila e kishte ndërtuar të gjithë të ardhmen e pushtetit të tyre. Në këto kushte kaluan nga gabimi në faj, pasi ndërtuan skema dhe skenarë thellësisht antidemokratikë dhe kriminalë, për t’iu diktuar elektoratit shqiptar domosdoshmërinë e votimit për PD-në. Koha vërtetoi se këto ishin veprime të gabuara veçanërisht për shqiptarët. Përgjithësisht shqiptarët në raste zgjedhjesh që nga 1991, sipas mendimit tim, janë orientuar drejt. Votimet e ’96-s askush nuk mund t’i cilësojë zgjedhje, ato ishin thjesht vjedhje. Ato u organizuan pas sondazheve të kohës që e nxirrnin PD-në thellësisht të humbur. Në këto kushte, për të fituar zgjedhjet, PD-ja goditi të gjitha figurat e opozitës së kohës, përçau opozitën, kërcënoi strukturat e pushtetit dhe i vuri të gjitha nën komandën e saj. E vuri në shërbim të partisë policinë, ushtrinë, SHIK-un dhe çdo hallkë që ishte në administrimin e shtetit. Organizoi vjedhjen e zgjedhjeve në emër të luftës imagjinare kundër komunizmit. Në këto kushte, PS-ja pati vetëm një rrugë, të tërhiqej nga zgjedhjet, por tërheqja e degjeneroi akoma më shumë procesin dhe po t’i referohem situatës që u krijua në Rrethin e Mirditës, kur unë isha kandidat për deputet, policia u lëshua pa asnjë lloj droje nëpër kutitë e votimit dhe nëpër qendrat e votimit e nuk lejuan komisionerët të largoheshin. E megjithatë, ata nuk arritën ta deformonin rezultatin dhe të na nxirrnin humbës.
Ndaj opozitës u ushtrua dhunë nga policia, ku pre e saj ishin jo vetëm militantët dhe simpatizantët e opozitës, por edhe figurat kryesore të PS-së?
Situata e krijuar dhe dhuna e ushtruar ngjalli një zemërim të jashtëzakonshëm jo vetëm brenda politikës, por edhe në popull. Mbaj mend në atë kohë, që së bashku me disa të rinj u futëm në zyrën e profesor Servetit (Pëllumbit) dhe në kundërshtim me atë çfarë na sugjerohej për të mos dalë në shesh, sepse sheshi “Skënderbej” ishte mbushur me policë dhe shikas, ne u nisëm drejt sheshit bashkë me profesorin (Pëllumbin). Ashtu siç e keni parë në sekuencat filmike, në shesh ndodhi edhe masakra e madhe ndaj opozitës, ku u dhunuan të gjithë opozitarët që dolën atë ditë në shesh. Unë, bashkë me Namik Doklen, Blendi Gonxhen dhe shumë të tjerë përfunduam në një qeli në rajonin numër 2. Natyrisht aty ishin dhe Gramoz Pashko e Arben Imami dhe shumë të tjerë. Pas ndërhyrjes së ambasadës, përfaqësues të OSBE-së, jemi liruar, jemi nxjerrë nga komisariati, kemi vajtuar në hotel “Tirana” dhe kemi shpjeguar situatën e krijuar. Mbi themelet e kësaj dhune e pjelle kriminale të pushtetit u ndërtua e gjithë çka pasoi një dhunë mbi opozitarët dhe në vitet më pas. Me atë çfarë ndodhi në bar WEST, te lokali i Fidelit që u goditën disa nga opozitarët e kohës dhe deri te dhuna fizike e ushtruar mbi njerëz të shoqërisë civile, siç ishte rasti ndaj zotit Edi Rama në vitin 1997. Ato janë baza e konfliktit social të krijuar nga zgjedhjet e vitit 1996. Unë kujtoj me shumë respekt vitet e kohës, kolegët si zotin Pëllumbi, Namik Doklen, Sabit Brokajn, Luan Hajdaragën, Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Gaqo Apostolin, Neritan Cekën, Fatos Lubonjën, Daut Gumenin e Kurt Kolën, e shumë e shumë të tjerë.
Aktualisht dhe 25 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare. Si e shihni ju situatën aktuale, në raport me çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të mosmanipulimit të zgjedhjeve. Ashtu si në ’96-n, këto zgjedhje organizohen nga i njëjti person, Kryeministri Berisha. A ekziston mundësia e manipulimit të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013?
E para është bindja e ime e plotë, që Berisha dhe PD-ja, të mësuar në këto 22 vjet me zgjedhje të kontestuara, të manipuluara, edhe sikur të duan të bëjnë zgjedhje të lira do ta kenë shumë të vështirë militantët të vijnë nën disiplinën e respektit për votën e popullit. Ka pasur dhe vazhdon të ketë në Shqipëri zona të tëra ku nuk bëhen zgjedhjet, ku kutitë mbushen, madje në ndonjë rast, nga budallallëku i komisionerit dhe mbi numrin e votuesve të regjistruar në QV, futeshin në kuti dhe 10 për qind e shtesës së fletës së votimit. Kjo duket qartë nga dokumentacioni, pasi unë kam qenë anëtar në një komision hetimor për zgjedhjet e 2005-s. Mjafton të shikosh hetimin e zgjedhjeve të atij viti dhe vërehet qartë se asnjë nga tabelat e rezultateve nuk përputhen me rezultatin përfundimtar, diferencat janë me mijëra vota. I thashë këto për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, se zgjedhjet në Shqipëri me këtë frymë dhe me këtë konfliktualitet dhe me këtë mungesë të vullnetit politik, por dhe me këtë Kod abuziv, nuk japin asnjë garanci se mund të jenë ndershme, të lira e demokratike dhe të pasqyrojnë vullnetin e popullit. Megjithëse faktorë të ndryshëm që kanë lëvizur nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas nuk ka asnjë garanci për zgjedhje sipas standardeve demokratike.
SHQIP
Add new comment