Legalizimet, qeveria “jep tapitë” për 527 ndërtime

Ish-pronarët përfitojnë 3.6 milionë USD kompensim.
Qeveria ka miratuar kalimin në pronësi të vetëdeklaruesve të 414 parcelave ndërtimore për të cilat paraprakisht Agjencia e Legalizimeve ka bërë gati dokumentacionin tekniko-ligjor. Po kështu janë miratuar edhe ndryshimet respektive në sipërfaqet e 113 parcelave për të cilat tashmë do të përgatitet fatura financiare. Në mbledhjen e djeshme në fokus ishin edhe ish-pronarët, të cilëve iu është zënë prona nga ndërtimet informale dhe që do të përfitojnë kompensim në masën 3.6 milionë dollarë.
LEGALIZIMET
Dy vendime të qeverisë legalizonin më shumë se 500 parcela ndërtimore për ata që kanë vetëdeklaruar paraprakisht sipas afateve ligjore. Pas këtij hapi mbetet që nga ana e ALUIZNI-t të bëhet gati fatura financiare, e cila do të paguhet nga ndërtuesit informalë, që më pas të vijohet edhe me dhënien e lejes. Parcelat ndërtimore u përkasin 12 qarqeve në vend. Saktësisht, vendimi i parë i qeverisë miratonte vijimin e procedurave për dhënien e lejes për 414 parcela ndërtimore, ndërkohë që vendimi i dytë është i fokusuar te korrigjimet. Kështu, janë rreth 113 parcela ndërtimore për të cilat korrigjohet sipërfaqja që legalizohet. Të gjitha këto janë ndërtime në tokë shtetërore nga ata që kanë ngritur ndërtime informale. Në të tilla raste vendimi korrigjon sipërfaqen duke e shtuar ose pakësuar atë në bazë të përmbushjes së parametrave teknikë. Ka raste kur ndërtuesit kanë përfshirë në vetëdeklarim vetëm një pjesë të sipërfaqes ku kanë ndërtuar, duke lënë jashtë saj pjesën tjetër që është e integruar brenda së njëjtës strukturë.
ISH PRONARËT
Kategoria e ish-pronarëve ka përfituar përmes një vendimi të djeshëm një fond prej 3.6 milionë dollarësh, që do të shkojë si kompensim për tokën që u është zënë nga ndërtimet informale. Kompensimi është dhënë për prona në Shkodër, Berat, Elbasan, Lezhë, Korçë, Fier, Vlorë e Tiranë. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen me këste nga fondi i kompensimit në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i parcelës ndërtimore, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen prej 23.6 mijë m² tokë”, thuhet në vendimin e qeverisë. Pas kësaj do të jetë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ajo që do të bëjë edhe ndryshimin e pronësisë për këto parcela për të cilat është miratuar kompensimi.
PANORAMA
Add new comment