Largimi i anëtarit të LSI-së nga KQZ, debate dhe akuza për manipulim zgjedhjesh në Kuvend

Postuar në 15 Prill, 2013 15:59

Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës përsa i përket shkarkimit të anëtarit të LSI-së nga KQZ. Opozita e konsideron një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike këtë shkarkim. Sipas deputeteve të PS-së, kryeministri Berisha kërkon mazhorancen në KQZ, pasi tenton të manipulojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërkohë maxhoranca sqaron se me largimin e LSI-së nga koalicioni i djathtë u përmbysën raportet në KQZ dhe për pasojë edhe në komisionet e tjera të nivelit të dytë, gjë që sipas saj, e kalon nën kontrollin e opozitës të gjithë procesin zgjedhor, duke paralajmëruar manipulime.  Deputeti demokrat Edi Paloka akuzoi kryetarin e PS-së se po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, përmes manipulimit të komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. “Edi Rama e di shumë mirë që nuk mund të fitojë zgjedhjet me Sali Berishën. Rama e di shumë mirë që në fund fare do t’ia gjejë Berisha dhe do ta mundi prap. Për këtë arsye kthehet tek ëndrra e tij, të marri pushtet në tavolinë. Gjithë këto kohë ka kërkuar të marri pushtetin në tavolinë, i erdhi rasti të ketë kontrollin e komisioneve dhe të realizojë këtë ëndërr. Shpresa e tij vazhdon të mbetet manipulimi, por ta harrojë”- u shpreh Paloka.  Ndërsa  Deputeti i PS-së Arben Ahmetaj theksoi se nisma e demokratëve për lirimin e anëtarit të KQZ-së është antiligjore . “Çdokush në Shqipëri e ka të qartë që ajo që po ndodh me KQZ-së është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës së Shqipërisë. Sali Berisha me veprimin e sotëm i tregon shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, me të cilët sot është gjithashtu në konflikt, i tregon se KQZ do ndjekë një komandë politike. Vazhdojmë me logjikën e balancimit politik të institucioneve, si mundet një KQZ e cila do të jetë në diktatin politik, për të lexuar drejt dhe kushtetueshmërisht mandatet politike që do të dalin nga zgjedhjet. Kjo është frikë, të kesh frikë nga një individ që është betuar në kuvend, në këtë rast është Ilirjan Muho. Berisha ka fobi nga vota e lirë, ka fobi nga zgjedhjet e lira dhe nuk mund te veproje ndryshe nga ajo qe ka bere ne 22 vjet, kur i ka grabitur dhe cenuar zgjedhjet. Ky njeri sot është i pajustifikuar dhe në vakt tregon se është antishqiptar. Ajo që Berisha po bën me KQZ kërkon të zgjasë agoninë e vetes dhe agoninë e shqiptarëve. Gjë që ne nuk do ta lejojmë. Në 23 qershor ju dorëzoni pushtetin në duart e shqiptarëve.”- deklaroi Ahmetaj. Në debate janë përfshirë edhe deputetë të tjerë nga të duja palët politike.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.