Largime nga PD-ja në Shkodër dhe Korçë. Bashkohen me PS-në

Largimet
Lesi - Nikollë Lesi, kryetari i Lidhjes Demokristiane, nuk do të marrë pjesë sot në Konventën e PD-së dhe kërcënon largimin nga mazhoranca
Lici - Një nga personazhet e njohur antikomunistë të Shkodrës, Mustafë Lici, ka braktisur mazhorancën dhe është bashkuar me koalicionin e PS-së
Korçë - Dy këshilltarët e djathtë, Allbert Nika dhe Ilir Bajlozi, kanë votuar buxhetin e bashkisë dhe kanë shpallur largimin nga mazhoranca
Koalicioni i djathtë po përjeton braktisjen e disa prej formacioneve që e kanë ndihmuar të fitojnë dy mandate për qeverisjen e vendit që nga viti 2005. Vetëm ditën e djeshme, në tri zona të vendit ka pasur tri qëndrime, të cilat shpallën rrjedhje të rëndësishme nga mazhoranca aktuale. Konkretisht, në Tiranë, kryetari i LDK-së dhe zv.ministri i Kulturës, Nikollë Lesi, ka paralajmëruar largimin nga koalicioni, në Shkodër, një nga aleatët më të hershëm të PD-së ka shpallur largimin dhe bashkimin me opozitën, ndërsa në Korçë dy këshilltarë të djathtë kanë votuar buxhetin e bashkisë duke marrë një veprim ndryshe nga këshilltarët e mazhorancës.
Lesi
Pavarësisht se mban mbi tavolinë një ftesë nga Kryeministri Berisha për Konventën e PD-së që zhvillohet sot, kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, anëtar i koalicionit qeverisës, pret një tjetër ftesë nga kreu i PD-së. “Në cilësinë e kryetarit të LDK-së dhe në autorizimin e kryesisë së partisë, pas disa kërkesave me shkrim dhe me gojë drejtuar Partisë Demokratike, për mbledhjen e tryezës së koalicionit sesi do të veprojmë për zgjedhjet e 23 qershorit dhe pas heshtjes totale nga ana e PD-së, ne si forcë politike do e presim deri më datë 5 prill. Në rast të kundërt, LDK-ja ka të drejtën morale dhe politike për të parë për një koalicion tjetër”, u shpreh Lesi për “Top Channel”. Në koalicionin aktual apo në ndonjë koalicion tjetër, Nikollë Lesi thotë se ai do t’i rikthehet si deputet Parlamentit. “Deklaroj se do të kandidoj në Qarkun e Lezhës në emër të LDK-së”, tha ai.
Shkodër
Një aleate e djathtë e Partisë Demokratike në Shkodër prej 16 vitesh, Partia e Mendimit të Djathtë Liberal ka shpallur dje prishjen e koalicionit me PD-në dhe bashkimin e saj me koalicionin e Partisë Socialiste, sipas drejtuesve të kësaj force, ky veprim vjen pasi PD-ja nuk po u shërben të përndjekurve politikë, por ish-agjentëve të Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës dhe se drejtuesit e deputetët PD-së së Shkodrës e kanë kthyer qytetin në një monarki të tyre. Kryetari i PMDL-së, Mustafë Lici, anëtar i këshillit bashkiak, në fjalën e tij dje, gjatë mbledhjes së këshillit, ka deklaruar se partia e tij, një ndër forcat kryesore politike me peshë në qytet ka prishur koalicionin me të djathtën dhe është bashkuar me Partinë Socialiste. Veprimi i PMDL është pritur me duartrokitje nga këshilltarët socialist të majtë. Lici është një nga personazhet më të njohur antikomunistë të Shkodrës, pjesë e rezistencës kundër diktaturës. Ai ka vuajtur vetë në burgjet e komunizmit. Ka qenë një mbështetës i PD-së gjatë 20 viteve.
Korçë
Ndërkaq, në qytetin e Korçës, dy këshilltarë të së djathtës kanë votuar buxhetin e paraqitur nga kryetari i zgjedhur prej së majtës, Niko Peleshi. Në mbledhjen e ditës së djeshme të Këshillit të Bashkisë së Korçës, është deklaruar vota pro miratimit të buxhetit e këshilltarit të djathtë të PD-së, Albert Nika, si dhe atij të Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Ilir Bajlozi. Ndërsa ky i fundit deklaroi se vota e tij pro miratimit të buxhetit të bashkisë deklarohet për pro në interes të qytetarëve të Korçës. Ish-këshilltari i djathtë Albert Nika, u pozicionua prerë se tashmë nuk i përket grupimit politik të mëparshëm, por atij të shumicës që e ka PS-ja dhe forcat e majta politike në këshillin bashkiak. Edhe para këtij ndryshimi të raporteve, Këshilli Bashkiak i Korçës ka pasur si shumicë përfaqësuesit e forcave të majta politike, por me një raport delikat që varej nga dy apo tre vota. Edhe pa qëndrimin e shfaqur nga dy këshilltarët deri tani të grupuar si të djathtë, buxheti i këshillit bashkiak ishte i destinuar të miratohej, por kalimi i dy votave më shumë në krahun e grupimit të majtë të këshilltarëve arrihet për herë të parë, pasi më herët rrjedhja dhe largimi i votave kanë qenë në krahun e kundërt.
SHQIP
Add new comment