Lagarde: Duhet angazhim për zgjidhjen krizës së borxheve

Ndërsa Gjermania kundërshton shitjen e bonove të përbashkëta të thesarit, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagarde, i bën thirrje vendeve të Eurozonës të ndjejnë më tepër detyrim për borxhet e njëri- tjetrit. Duke folur në një konferencë për shtyp në Londër kreu i FMN-së tha se në kushtet e tkurrjes së ekonomisë së Eurozonës, duhet bërë më tepër për fuqizimin e rritjes ekonomike dhe se vendet më të pasura duhet të marrin mbi vete një pjesë të barrës së fqinjëve të tyre më të varfër.
Edhe Organizata për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik, ku bëjnë pjesë 34 ekonomitë më të mëdha të botës, bëri thirrje për shitjen e bonove të përbashkëta. Organizata bëri një parashikim të zymtë për ekonominë e Eurozonës, duke thënë se ajo pritet të tkurret këtë vit me 0,1 për qind, duke e ulur kështu parashikimin e rritjes ekonomike modeste prej 0,2 për qind që kishte parashikuar më parë.
Presidenti i ri francez François Hollande pritet të kërkojë shitjen e eurobondeve në takimin e sotëm të 27 udhëheqësve të Eurozonës në Bruksel. Por Gjermania, ekonomia më e fuqishme e Eurozonës dhe vende të tjera të pasura evropiane e kanë kundërshtuar me forcë financimin e përbashkët të borxhit të Eurozonës. Ato druhen se kosto e ulët e huave të tyre do të rritej menjëherë, nëse ato do të financonin Greqinë, Italinë dhe Spanjën, të zhytur në borxhe, si dhe vende të tjera me probleme financiare
VOA
Add new comment