Lëvizja Kuq e Zi, çfarë ishte dhe mësimet që ajo na la

Postuar në 11 Gusht, 2013 05:08

-Ish-Sekretari për Çështjet e Shëndetësisë në Aleancën Kuq e Zi, profesor Agim Koçillari, ka qenë një nga anëtarët e parë i cili u mor dhe me ngritjen e strukturave, veçanërisht në qarkun e Fierit. Por para zgjedhjeve të 23 qershorit, profesor Koçillari do të largohej nga AK-ja së bashku me drejtuesit e lartë të kësaj partie duke kundërshtuar vendimin e Kreshnik Spahiut për të mos bashkëpunuar me koalicionin e majtë, edhe pse shumica e anëtarësisë dëshironte garimin nën siglën e koalicionit të PS-së. Në një analizë për gazetën “Shekulli”, ish-Sekretari për Çështjet Shëndetësisë në Aleancën Kuq e Zi, profesor Agim Koçillari, analizon sukseset dhe arsyen e dështimit të AK-së, e cila nisi si një lëvizje kombëtare,por që do të kthehej në parti politike.

***Dy vitet fundit në politikën shqiptare doli si një meteor Lëvizja Kuq e Zi. Tani, që ky meteor është shuar, duhet të bëjmë një analizë kritike për të kuptuar se çfarë ishte kjo lëvizje, kush e organizoi, pse e organizoi dhe a na la ne si komb ndonjë mësim për të ardhmen? Si pjesëmarrës aktiv që në ditët e para e deri në fundit të saj, dua të jap disa mendime. Kjo lëvizje tregoi se te kombi shqiptar dëshira për bashkim dhe zhvillim është më e fortë se kurrë. Ajo me parullat e saj nacionaliste bëri për vete masat e popullit. Ky sukses i saj në gjithë trevat shqiptare dhe më gjerë, tregoi se ajo ishte një lëvizje e duhur, në një kohë të duhur, për problemin kombëtar ende të pazgjidhur dhe që sot, më shumë se kurrë, është aspiratë e shtruar për zgjidhje. Me përhapjen e shpejtë që ajo mori, hodhi poshtë mendimet dashakeqe të shprehura, edhe nga vetë disa shqiptarët se ne nuk jemi nacionalistë dhe ky vend e komb nuk bëhet, etj, etj. Ajo që lëvizja Kuq e Zi pati si të veçantë ishte metoda e punës. Ajo bazoj veprimtarinë e saj në një grup të rinjsh idealistë që dolën në rrugë dhe demonstruan, duke nxjerrë edhe masat e gjera të popullit në këtë ballafaqimin me pushtetin, gjë kjo pazakontë për vendin tonë. Dihet se ne shqiptarët flasim shumë kafeneve, por kur është puna për të shprehur mendimin tonë në rrugë me demonstrata, nuk marrim mundimin ta bëjmë. Ky indiferentizëm na ka kushtuar dhe vazhdon të na kushtojë shumë si në aspektin individual, kombëtar dhe ndërkombëtar. Duhet pranuar se në fillimet e saj, me nismat që ndërmori, kjo lëvizje pati disa suksese që i kanë shërbyer kombit dhe për ato ai do t’i jetë mirënjohës. Ajo doli si lëvizje që kundërshtonte kthimin e shqiptarëve në grekë dhe pati sukses. Kjo u arrit falë pozicionit në pushtet që kishte z. Kreshnik, i cili mblodhi fakte duke kontrolluar vendimet e gjykatave në jug të vendit dhe gjeti parregullsi ku vërtetohej se mbi 6000 persona kishin kërkuar ndërrimin e kombësisë. Këto u publikuan në media, çka bëri që ky proces të mos vazhdonte më tej dhe ndërkohë Kreshniku, me të drejtë, të bënte emër të mirë Kjo ishte një arritje jo e vogël. Më tej, kjo lëvizje, i mëshoj me forcë faktit që ishte vendosur që të zhvillohej një Census (regjistrimin i popullsisë), të cilin me sa thuhet, kryeministri ia kishte premtuar Geixhit. Lëvizja, në takime në rrugë e sheshe i tregoi popullit dokumentin, që tregonte se në shtetin grek po bëhej i njëjti regjistrim por krejt ndryshe nga ai që po zhvillohej në vendit tonë, në të nuk kërkoheshin të dhëna për etninë dhe fenë. Ajo e sqaroi popullin se këto kërkesa të diktuara nga Athina, për BE nuk ishin detyrimisht të domosdoshme, se po të ishin të tilla do të ekzistonin edhe në atë grek. Kjo përpjekje e AK-së bëri ky regjistrim dha rezultatin krejt tjetër nga atë prisnin fqinjët tanë dhe udhëheqësit grekë të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale. Ky është një sukses i madh. Tjetër arritje është nisma për një abetare kombëtare të njehsuar. Kjo ide, është hedhur nga intelektualët kosovarë në takimet e përvitshme që zhvillonte “Forumi i Intelektualëve Shqiptarë” që mblidhej çdo vit në Tiranë, vite më parë, para luftës së Kosovës. Ajo u përsërit në takimet e Aleancës dhe qeveria e kapi si ide dhe e bëri realitet. Është tjetër gjë që se për cilësinë saj mund të ketë diskutime, dhe kjo është më se e natyrshme. Për mua ka pak rëndësi se kush e tha, kush e ringriti dhe kush e bëri; rëndësi ka që do të bëhet dhe të bëhet ashtu siç duhet. Ideja e tjetër hedhur po atëherë, ishte propozimi i themelimit të një banke kombëtare me kapitale të vetë shqiptarëve. Një bankë e tillë, duke dhënë kredi me përqindje më të ulët se ato të huaja, jo vetëm qe do të ndihmonte në zhvillimin trevave shqiptare me paret e vetë shqiptarëve, por edhe përqindjet e fitimeve do mbeten po te shqiptarët pa shkuar në Greqi, Itali, Turqi apo gjetkë. Dhe për më tepër, këto fitime do investoheshin po në trevat shqiptare, duke mos pasur nevojë tu lutemi të huajve për investime që zakonisht jepen edhe me interesa strategjike të tyre. Ju kujtoj se sa vjet vonua ndërtimi i rrugës së kombi nga ndërhyrjet e Greqisë në bankën botërore. Mendoj se ky propozim, për vetë vlerat që mbart, duhet të jetë në planet e punës së çdo partie që vjen në pushtet. Dhe, ashtu si rrugën e kombit, janë interesat e huaja të mbrojtur nga njerëz në pushtet që e pengojnë atë. Mësim tjetër dhe jo pa rëndësi, që mund të nxjerrim nga veprimtaria e shkurtër e AK-së, është se lëvizje të tilla përpara se të ndërmerren për vetë karakterin dhe rëndësinë e madhe që kanë, për të tashmen dhe ardhmen e kombit, duhen peshuar dhe matur mirë. Vërtet jemi në demokraci, por askush nuk ka të drejtë të tallet me ndjenjat kombëtare. Kreshnik Spahiu, i dehur nga sukseset, po them në mënyrë figurative, po sillej si kalë i azdisur (i tërbuar), duke folur dhe hedhur parulla në erë, që shpesh ishin të pa argumentuara ligjërisht, siç ishte ajo e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar është beteja e madhe dhe vendimtare që e pret kombin tonë. Ajo kërkon një platformë të hartuar dhe shkruar pas diskutimesh të gjata midis shqiptarëve të të gjitha trevave. Unë e mendoj atë si një luftë shumë më të madhe se sa beteja për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Z. Kreshnik e shtronte këtë problem si diçka shumë të thjeshtë, madje për këtë bashkim megjithëse u bë shumë zhurmë nuk patëm as një program të shkruar. Kjo bëri që të ndodhin edhe skena qesharake (groteske) si takimi në Morinë midis nesh dhe shqiptarëve të Kosovës, ku vetëm ai me zotin Myslym firmosën një dokument që kërkonte bashkimin kombëtar, përmbajtja e të cilit ishte hartuar një natë më parë. Nuk dihet se me cilin është konsultuar Z. Kreshnik për ta hartuar këtë dokument, por është i sigurtë fakti se për të janë hedhur firma. E pata pyetur dhe nuk mora përgjigje prandaj po e pyes përsëri: kujt i shërben një sjellje e tillë e papërgjegjshme. Nga lëvizje të tilla, sidomos kur kanë të bëjnë me fatet e kombit, edhe kur ato dështojnë duhet të analizohen faktet pse ndodhi kjo me qëllim që në lëvizje të ngjashme ato mos përsëriten. Është fakt se dështimi i kësaj lëvizjeje e ka dëmtuar çështjen kombëtare. Populli i zhgënjyer prej saj e ka të vështirë të besojë lehtë në lëvizje të ngjashme që do të organizohen në ardhmen. Për të luftuar këtë mosbesim, atij i duhet treguar pse ndodhi dhe si ndodhi ky dështim. Duke qenë pjesëmarrës aktiv gjatë gjithë kohës që ajo ishte aktive. Në këtë lëvizje Unë gjeta vetveten dhe kam marrë pjesë pothuaj në çdo takim nga jugu në veri, nga Shqipëria në Kosovë e trevat shqiptare në Maqedoni, sepse mendoja se shprehtë dhe mbronte një aspiratë madhore të kombit shqiptar. Ashtu si unë në fillimet e saj, ajo u mbështet nga gjithë shqiptarët kudo ata banonin. Ishte një kënaqësi jashtëzakonshme, që në ato ditë, të shikoje se si gumëzhinin zyrat e kësaj lëvizje nga njerëzit e çdo moshe. Në muajt e parë, në zyrat e AK-së nuk gjeje radhë nga njerëz që vinin për t’u regjistruar. Nga ana tjetër nga gjithë bota, vinin urime nga shqiptarë emigrantë dhe që shprehnin dëshirën për të qenë anëtarë të kësaj lëvizje, duke regjistrimet me anë të internetit ishin pa fund urimet. Por kjo nuk vazhdoj gjatë. Shumë shpejt lindën dyshime dhe kalimin e kohës po bëhej gjithnjë e qartë se diçka nuk shkonte mirë.

Pr. As. Dr. Agim Koçillari

Shkaqet e dështimit të Aleancës
Përshtypja e parë e hidhur që pata ishte urdhri i dhënë por jo i vendosur kolegjialisht se në lëvizje nuk pranoheshin persona që kanë pasur aktivitet politik të mëparshëm (pavarësisht se Kreshniku e Lysieni bënin pjesë në këtë kategori) Kishte mangësi të mëdha në organizimin e saj dhe kjo, siç doli më vonë, ishte e qëllimshme. Kështu, filluan të vinin shumë intelektualë dhe biznesmenë, figura të njohura, por jo të gjithë ata pranoheshin. Ata largoheshin me pretekstin se ishin marrë me politikë dhe në lëvizje duheshin pranuar vetëm njerëz të papërlyer dhe nuk shikohej se sa i përlyer ishte vetë kryetari. Ose kur kjo kleçkë mungonte ata thjesht injoroheshin dhe në këtë mënyre largoheshin. Të bënte përshtypje kapja dhe këmbëngulja e kryetarit pas disa personave pa integritet kulturor e moral, por vetëm se kishin para. Ai kishte frikë nga intelektualët që kishin eksperiencë politike, dhe që qëndronin shumë më lart se ai. Që në fillim ekzistonte mendimi e dëshira për tu kthyer në parti. Kjo ushqehej edhe nga masa e gjerë e popullit që e kërkonte këtë duke e parë si një shpresë për ndryshim. Por habitesha se shumë persona që ishin pranë kryetarit të lëvizjes dhe si të thuash ishin trup roja e tij, shpreheshin se jemi “parti e xhaketave të reja” dhe se këtë radhë duam 2-3 vende në Parlament, kurse në vitin 2017 do jetë radha e jonë (Këtë e vërteton fakti që lëvizja u përqendrua vetëm në katër qarqe:Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan, ku dilnin dhe më shumë deputetë duke synuar nga një në secilin prej tyre). Këto ishin dyshimet e para për seriozitetin e kësaj lëvizjeje. Që Kreshniku bënte një lojë jo të ndershme u kuptua qartë kur të përndjekurit bënë grevën urisë. Ne i vizituam ata me pompozitet, madje dolëm edhe në miting para Kuvendit në përkrahje të tyre. Kur një nga organizatorët e saj u vetëflijua duke i vënë flakën vetes dhe më vonë vdiq, unë propozova në mbledhjen e Sekretariatit (që mblidhej çdo të hënë) se ishte momenti i duhur që Aleanca të nginte popullin në këmbë duke organizuar një grevë kombëtare. Në fillim le të dilnim pak vetë me një parullë të mbajtur nga ne, duke bërë çdo ditë për një orë një xhiro nga stacioni i trenit te universiteti. Duke qenë e përditshme dhe duke u bërë masive në kryeqytet unë shpreha mendimin se shumë shpejt do të përhapej edhe në rrethe. Ju kujtoj se ishte koha kur ambasadori amerikan kishte bërë thirrje që për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri duheshin demonstrime paqësore. Në këtë grevë ne duhej të kërkonim dorëheqjen e qeverisë. Për çudinë time këtë propozim Z Kreshnik bëri sikur nuk e dëgjoi duke më kërkuar që të mos i prishja mbledhjen dhe se do ta diskutonim më vonë. Pas mbledhjes diskutova edhe me kolegë që ai mbante pranë vetes dhe që mendonim se i dëgjonte (në këtë lëvizje gjithmonë ka ekzistuar një triumvirat në krye të saj). Për çudi, Z. Kreshnik që mezi priste rast të dilte media dhe të bënte deklarata, këtë radhë nuk u ndje, madje u fsheh. Pse vallë? Kur lëvizja u kthye në parti u hartua një statut provizor, që në Kongresin themelues nuk u lexua, por u aprovua unanimisht. Për më tepër ai nuk është zbatuar. Në të ishte përcaktuar Shkaqet e dështimit të Aleancës AK-ja i duhej dikujt dhe Kreshniku ishte mercenar i tij analizë që në Kongresin pas ardhës (apo edhe nga këshilli i përgjithshëm) të zgjidhej Kryesia e partisë e cila do të kishte të drejtë vendimmarrje, sepse Sekretariati i zgjedhur në kongresin themelues kishte të drejta konsultative. Dhe gjatë gjithë kohës vendimet në këtë parti, megjithëse nuk ishin të sanksionuara me statut i merrte vetëm kryetari. Por kjo Kryesi si dhe vetë kryetari me mandat nuk u zgjodhën kurrë. U vendos që të organizohej partia në bazë qarqesh dhe zonash zgjedhore. Koha kalonte dhe kurrkush nuk kujtohej. Vinin persona të ndryshëm, intelektualë të njohur nga rrethe të ndryshme të vendit dhe premtonin që ta bënin këtë, po nëse ata nuk i pëlqenin kryetarit nuk pranoheshin( përmend rastin e Pukës dhe Përmetit). Më së fundi, aty nga vera e vitit 2012, ishim disa anëtarë të sekretariatit që ngritëm me forcë organizimin e partisë në rrethe. Falë kësaj këmbënguljeje u fillua nga puna, por edhe deri përpara zgjedhjeve kjo parti, përveç se në rrethin Lushnjës nuk pati struktura të zgjedhura. Për më tepër, kjo parti deri në futjen në fushatën zgjedhore dhe largimin tonë, nuk kishte program. Sinqerisht, ndiheshim shumë ngushtë kur shkonim në takim me popullin dhe ata kërkonin sqarime për këtë. Dhe kishin shumë të drejtë. Aq më tepër që sallat ishin të mbushura plot. Këtë problem e ngrinim ne Sekretariat, por kujt t’ia thoshim. Zgjedhjet po afronin dhe populli kërkonte të dinte për kandidatët për deputetë dhe aleancat. Kjo fundit e shqetësonte shumë. Baza kryesore e Aleancës ishin shtresat e varfra të fshatit dhe qytetit. Ne merrnim mendime sidomos se me kë duhej të ishim aleatë. Në këtë çështje ata ishin në shumicën dërrmuese për të majtën (PS se LSI-në e urrenin më shumë se PD). Aleancën me PS e donin edhe për arsyen madhore se dikush duhej të interesohej për ruajtjen e votës. Këtu vlen të theksohet fakti se shumë persona të pa kënaqur jo vetë nga të dy partitë mëdha por edhe nga LSI donin një strehë dhe këtë e shihnin tek AK. Këto mendime vinin nga të gjithë përfaqësuesit e rretheve, por Z. Kreshnik bënte sikur dëgjonte dhe kurrë nuk reagoj. Deri sa u larguan shumica e anëtarëve të sekretariatit (njëzetedy sekretarë, nga tridhjetë gjithsej), nuk kemi diskutuar kurrë për lista kandidatësh. Burimet financiare të lëvizjes dhe partisë nuk u bënë kurrë të njohura, megjithëse se kjo kërkua në sekretariat me këmbëngulje, u premtua se do të bëhej një mbledhje e posaçme ku do të analizohej ky problem. Por që natyrisht nuk u bë kurrë. Të habiste fakti se kryetari jo një herë është shprehur se partinë e mbante ai me paratë e tij, dhe as mos i shkonte në mend se dikush mund të ishte në lista kandidatësh pa derdhur më parë 100 mijë euro në arkën e partisë. Më kanë mbetur në mendje dy gjëra, të cilave atëherë nuk u jepnim rëndësi: Së pari kur unë i kërkoja me këmbëngulje që nga katër takime në muaj tek Hotel Internacional (një takim kushtonte 700 euro), të hollat e një takimi t’i shpenzonim për të shkuar në rrethe me qëllim organizimin e partisë, ai i nxehur më se një herë më është përgjigjur: për ato takime ne nuk paguajmë para.

AK-ja i duhej dikujt dhe Kreshniku ishte mercenar i tij

Duke mos pasur një strategji të qartë dhe një program të shkruar dhe detajuar, ajo nuk ishte në gjendje të organizonte dhe udhëhiqte ata njerëz që ajo përfaqësonte dhe kuptohet pa mbështetjen e tyre do dështonte dhe dështoi. Z Kreshnik nuk e priste dhe as besonte se mund të ndodhte kjo. Ai nuk na mbështeti, por përkundrazi na u kundërvu neve pjesës më të madhe të sekretariatit që munduam me çdo mënyrë ta shmangnim këtë fund pa lavdi. Në këtë ndikoi edhe mos bashkëpunimi me ne, pjesën që donte rindërtim mbi baza të forta organizimi të partisë, i disa kolegëve që ë ai i mbante më afër dhe ata e mbështesin pa rezerva. Ndonjë prej tyre u largua i fundit dhe ndonjë tjetër zhvillimi i ngjarjeve e la pa gojë dhe pa zë. Unë për vete, megjithëse nuk jam plotësisht i qartë pse ndodhi kjo, mendoj se qëllimi i Z. Kreshnik Spahiu ishte të merrte një karrige në Kuvend, por se kujt i shërbente kjo, me gjithë dyshimet që kam koha do ta tregojë. Ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Ishin pikërisht kërkesa vazhdueshme dhe këmbëngulëse e shumicës së sekretarëve të kësaj lëvizjeje, që me gjithë kërkesat dhe përpjekjet e vazhdueshme nuk mundën të evitonin sjelljen aventureske të kryetarit të saj. Megjithëse u munduam shumë, ne disa nga sekretarët, nuk mundëm ta ndryshonim këtë sjellje të tij. Shtypi duhet të bënte më shumë dhe analizonte me detaje këtë person: kush ishte, cili ishte formimi i tij dhe a kishte mundësi që ta udhëhiqte këtë lëvizje. Ai fliste për kufizim mandatesh, por vetë ai, deri në shpërbëje të partisë nuk e kishte një mandat të tillë sepse ishte kryetar provizor. Pra kjo ishte Aleanca Kuq e Zi. Ajo nuk arriti të bëhej parti sepse nuk pati program por një lëvizje për zhurmë mediatike që dikujt i duhej dhe Kreshniku duket se ishte mercenar i tij. Megjithatë, në fund po theksoj edhe një herë se kjo lëvizje pati disa arritje, që duhen vlerësuar dhe ne na la një eksperiencë që për mendimin tim nuk duhet lënë në harresë, por mbi një bazë të re, me njerëz patriotë dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare, të riorganizohet me qëllim ndërgjegjësimin e kombit dhe realizimin e bashkimit kombëtar si një problem i shtruar për zgjidhje. Dhe kjo bëhet o sot, o kurrë dhe duhet bërë.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.