Kuvendi kalon ministrat e rinj, mazhoranca e re ka 72 deputetë, falë tre ‘të ikurve’ të PS

Berisha-socialistëve: Minorancë e niset, minorancë e sosët, minorancë do të mbeteni
Kuvendi ka votuar gjatë seancës së sotme dekretet e presidentit për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.
Mazhoranca që do të çojë kuvendin në zgjedhjet e qershorit arriti të kishte 72 deputetë, shifër me të cilën u votuan të 4 ministrat e propozuar nga kryeministri Berisha dhe të dekretuar me urgjencë nga presidenti Nishani, ndërkohë që më pak vota kundër, 57 mori ministri i ri i kulturës, Visar Zhiti.
Kështu zv.kryeministri dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj mori 72 pro 59 kundër dhe 3 abstenime, ministri i shëndetësisë Halim Kosova ka marrë 72 pro 58 kundër, Aldo Bumçi si ministër të jashtëm ka marrë 72 pro 59 kundër dhe 3 abstenime, Florian Mima ministër i ekonomisë dhe Visar Zhiti si ministër i kulturës ka marrë 72 pro dhe 57 kundër.
Mazhoranca e brishtë e qeverisë aktuale është arritur vetëm në sajë të tre votave pro ndryshimeve qeveritare të dhëna nga Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli, dhe Kastriot Islami, deputetët e PS të larguar nga kjo force politike.
Pas votimit, kryeministri Berisha ka falënderuar deputetët për këtë votim që e cilësoi si historik, ndërsa nuk ka harruar të sulmojë edhe kryesocialistin Rama, i cili sipas tij dështoi në përpjekjen dashakeqëse për një qeveri teknike.
“Kjo është një votë historike ku ju përmbysët përpjekjen e Edi Ramës për të shkuar në qeveri teknike me të cilën dështoi. Minorancë e niset, minorancë e sosët, minorancë do të mbeteni”, iu drejtua kryeministri Berisha deputetëve socialistë.
Dekretet, LSI shpall votën abstenim, PBDNJ kundër, PDIU pro
Me heret, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule para nisjes së seancës së sotme plenare ka shprehur votën e tij kundër ndryshimeve në qeveri, ndërsa ka shtuar se e vetmja votë për këtë qeveri do të ishte për ligjet e integrimit.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka ka theksuar se kjo forcë politike ka vendosur të abstenojë ndaj dekreteve të presidentit për ministrat e rinj, ndërsa siguroi se shumë shpejt në kuvend do të votohen tre ligjet e integrimit.
Kreu i PDIU dhe njëkohësisht aleat i kryeministrit në qeveri, Shpëtim Idrizi është shprehur se do të mbështesin ndryshimet e qeverisë, gjë që sipas tij është në vazhdën e qëndrimeve konsekuente të forcës së tij politike, objektivi primar i të cilës mbetet votimi i rezolutës çame.
SHQIP
Add new comment