Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me Serbinë, tension me deputetët e VV

Postuar në 22 Prill, 2013 03:37

 

Në një seancë të tensionuar, Parlamenti i Kosovës miratoi marrëveshjen e arritur me Serbinë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Votimi me 89 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, u bë me gjithë protestën e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje që mbanin në duar parulla kundër marrëveshjes.

Votimi në Kuvend ndodhi derisa aktivistë të Vetëvendosjes protestonin para ndërtesës ku po zhvillohej seanca, ndërsa brenda sallës deputetët e këtij grupi parlamentar u përpoqën ta pengonin votimin. Kur para deputetëve doli kryeministri Thaçi me propozimin e Rezolutës, deputetë të Vetëvendosjes vendosën një banderolë me tekst “Kosova e Hashimit”, lëshuan zhurmues nga incizimi “Pronto”, kurse Liburn Aliu u përpoq me trupin e tij të pengojë kryeparlamentarin Jakup Krasniqi të nxirrte në votim dokumentin me të cilin shfaqej pëlqimi për Marrëveshjen.

Albin Kurti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, është e turpshme dhe e padrejtë. Ai tha se me këtë marrëveshje po boshnjakzohet Kosova, duke u shndërruar në shtet jo funksional, drejtë dështimit të sigurt, ndërkaq vlerësoi se kjo nuk duhet të pranohet.

Kurti duke numëruar disa nga kushtet që është dashur t’i vihen Serbisë, tha se është dashur të kërkojë që ajo ta pranojë pavarësinë e Kosovës, të kërkojë falje, t’i kthejë trupat e të pagjeturve, dhe të pushojë me diskriminimin ekonomik dhe shtypjen, si dhe ta ndërpresë financimin e strukturave kriminale e ilegale.

Kurti tha se me këtë marrëveshje, veriu fiton forcën e vet policore si regjion i veçantë, ku ka ndarje të gjyqësisë, e që sipas tij, është autonomi e të gjithë serbëve në Kosovë, sipas kërkesës së Beogradit. Më tej ai tha se veriu i Mitrovicës po bëhet si Banjalluka: Shqiptarët do ta kenë kryeqytet Prishtinën, e serbët veriun e Mitrovicës.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi tha se marrëveshja nuk është ideale, por është më e mira e mundshme.

“Kjo është marrëveshje për paqe mes Kosovë dhe Serbisë, përmes së cilës ne do të shtrijmë autoritetin tonë në tërë territorin e shtetin tonë. 14 vite pas luftës ne do t’i japim fund strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në vendin tonë. Me këtë marrëveshje, Serbia e ka pranuar këtë fakt”, tha Thaçi.

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se është e kuptueshme që duhej një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por sipas tij marrëveshja do të ishte historike, sikur vërtet do të shënonte një përmbyllje të plotë të çështjeve të pazgjidhura në mes dy vendeve. Ai tha se koha do të tregoj se e çfarë niveli është kjo marrëveshje. Sipas kryekuvendarit Krasniqi nëse vërtetë Serbia e ka njohur Kosovën shtet të pavarur, siç po thonë qeveritarët tanë, këtë gatishmëri nuk po e shohim nga ana serbe.

“Unë kam qenë për bisedime, jam për normalizim të plotë të marrëdhënieve me serbët e Kosovës e Serbinë, por kjo që e pamë të shkruar në 15 pika nuk është e tillë. Këto janë kushtet e Serbisë për t’i “shuar” strukturat e saj në Kosovë. Kush mund të na garantoj se politika në Beograd nuk do të veprojë ndryshe.

Këto 15 pika nuk e përmbyllin kompromisin apo kompromiset tona, përkundrazi hapin shtigje për kompromise të reja dhe që krijojnë premisa të shumta në dëm të stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë. Këto kërkesa, kështu si janë do të duheshin të ishin reciproke me komunat shqiptare në Serbi. Ajo që duhet të vlente për serbët në Kosovë pse mos të vlente edhe për shqiptarët në Serbi?”, tha Krasniqi.

Kryeministri Thaçi duhej sot t’i komunikonte Baroneshës Ashton nëse përkrahej apo jo Marrëveshja. Më tej ajo  do t’u raportojë ministrave të jashtëm të BE-së për rezultatet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.