Kuvend, Vangjel Dule nënkryetar i parlamentit me 104 vota pro, miratohen komisionet

Kuvendi ka miratuar sot përbërjen e komisioneve parlamentare, ndërkohë që me 104 vota pro, kreu i PDBNJ-së Vangjel Dule, është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Kuvendi vendosi të heqë nga rendi i ditës pikat për lirimin nga detyra të ish anëtarëve të KQZ-së, pasi nuk ka gjetur konsensusin e opozitës.
Kreu i komanduar i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet, pasi nuk ka qenë në rendin e ditës. “Konferenca e Kryetarëve nuk është njoftuar, por edhe ditën e mbledhjes kemi lënë vetëm miratimi e komisioneve dhe këshillave” tha Paloka.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka pranuar se kjo çështje nuk është diskutuar por kjo është kërkuar nga vetë 2 ish-anëtarët e KQZ-së.
“ Kjo ka të bëjë me vetë kërkesën e të interesuarve, të cilët nuk mund t’i mbajmë me pahir si anëtarë të KQZ-së. Nëse ju mendoni se kjo është shkelje e rregullores, mendoj se do ishte mirë të respektohen të drejtat e njeriut, se nuk mund të mbash me pahir një njeri në një detyre kur kërkon të largohet prej saj”,- tha Meta.
Berisha dhe Meta batuta me njëri-tjetrin
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se po tenton të minojë konsensusin për ligjin e Nënpunësit Civil, me qëllim shtyrjen e statusit në muajin dhjetor, që të mos i njihet merita qeverisë së djathtë.
“Është alarm i madh që bie nga bashkëkryeministri Rama për të shtyrë statusin nga muaji dhjetor që të mos i atribuohet PD dhe qeverisë së saj. Informohemi se është përgatitur akti normative për të rrëzuar konsensusin, mosdhënia e të cilit mbajti peng statusin. Gabim fatal nëse marrim veprime për ta shtyrë atë. Ministri i Jashtëm bashkë me kryeministrin kanë mashtruar në Bruksel për akte, por kam besim se kjo zgjidhet nga Kryesia e Kuvendit që vendi të mos humbasë statusin në dhjetor, ai është dënim i madh për shkak te disa zhvillimeve, që ndodhin në mesin e vitit të ardhshëm që janë zgjedhjet evropiane” tha Berisha.
Ish-kryeministri Berisha i është drejtuar me ironi kryetarit të parlamentit, me termin ‘i nderuar bashkëkryetar i shumicës’, por me të njëjtën ironi i është përgjigjur edhe kryeparlamentari Ilir Meta i cili ka thënë: “Z.Bashkëkryetar i opozitës kjo çështje nuk ishte në rendin e ditës, por kemi bërë këtë favor vetëm për z Berisha të fliste, tani i ndërpresim diskutimet”.
SHQIP
Add new comment