Kuvend, debat për konçesionet

Postuar në 25 Mars, 2013 07:11

Në seancën kuvendore të së hënës, deputeti i PS, Erjon Braçe ka akuzuar sërish qeverinë për abuzime me kontratat konçesionare dhe i ka kërkuar llogari ministrit të Ekonomisë, Edmon Haxhinasto. 

Në përgjigjen e tij, ministri ka deklaruar se kontratat po nënshkruhen sipas modeleve më të avancuara evropiane dhe sipas tij kanë dhënë rezultat dhe efekte tek qytetarët.

“Ne po përdorim metoda që përdor dhe Evropa dhe që rrisin kapacitetet e shfrytëzimit të pasurive kombëtare, duke ndikuar pozitivisht tek qytetarët. Sigurisht që qytetarët përfitojnë duke marrë para nga konçesionet, por përmes punësimit”, ka deklaruar Haxhinasto. 

Sipas tij, shifrat e regjistruara nga konçesionet në sektorin e energjitikës, atij minerar dhe në sektorin e hidrokarbureve tregojnë të kundërtën. 

“Janë angazhuar deri më sot nga sektori privat mbi 1 miliard euro, investime që s’mund të realizoheshin ndryshe. Përfitimi për shoqërinë ka qenë direkt. Rreth 30 mijë punonjës kanë përfituar nga këto investime”, ka thënë Hashinasto. 

“Janë në ndërtim edhe dhjetëra HEC-e të tjera. Nga shitja e përdorimit të tyre do të përfitohen 42 milionë euro, që do shpërndahen si detyrime ndaj qytetarëve që punojnë në këto njësi. Gjithashtu, të ardhurat nga industria minerare mund të pesëfishohen nëse bëhen investimet”, ka shtuar ministri. 

Nga ana e tij, Braçe ka insistuar se konçesionet dhe investimet kanë dështuar, duke paraqitur edhe disa të dhëna që sipas tij e provojnë këtë pistë. 

“Qeveria uli pretendimet nga një superfuqi energjitike evropiane, në një superfuqi rajonale. Por as kjo nuk u bë. Do ndërtoheshin 307 HEC-e, deri tani janë ndërtuar vetëm 32. Janë investuar vetëm 102 milionë dollarë dhe nuk prodhohet as 6 për qind e fuqisë energjitike të premtuar. Vendet e punës nuk u bënë kurrë 50 mijë, madje 52 mijë persona kanë humbur vendet e punës. Kontratat nuk janë zbatuar dhe në rast të mos nisjes së punimeve nuk ka pasur penalitete. Konçesionet e deputetëve dhe ministrave janë ato ku janë bërë shkeljet më të rënda”, ka thënë Braçe. 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.