Kushti për në qeveri, zbardhen partitë që arrijnë pragun

Në 2009-n nga partitë e majta mbi 10 mijë vota kanë marrë vetëm 3 parti, PSD, PDS dhe G99. Nga e djathta avantazh PDIU, PR, PLL dhe PAA.
Fitorja e zgjedhjeve është edhe një mundësi shumë e mirë për partitë politike për të ndarë pushtetin e ardhshëm. Me afrimin e zgjedhjeve, partitë politike kanë filluar që të bëjnë dhe llogaritjet e votave dhe të koalicioneve të mundshme për të marrë maksimumin në çdo qark. Dy partitë e mëdha, ajo Socialiste dhe Demokratike u kanë vendosur kushte aleatëve të tyre për t’i futur në qeveri nëse do të fitojnë zgjedhjet. Nga njëra anë socialistët kanë vendosur si kusht minimal të tyre për t’i pranuar në qeveri sigurimin e 10 mijë votave, ndërsa për demokratët kusht për postin e ministrit mbetet sigurimi i një mandati deputeti. Kushti vlen vetëm për postin e ministrit, pasi në rang zëvendësministri, pragu ulet edhe më tej. Për demokratët, skema e shpërblimit ndryshon nga ajo e PS-së, pasi sigurimi i posteve të zëvendësministrave do të varet ndjeshëm nga ndihma që ato do t’i japin koalicionit sipas qarqeve. Nëse diferenca midis të djathtëve dhe të majtëve për mandatin e fundit në atë qark është tepër e vogël, shanset për vlerësimin e kontributit të partive të vogla rriten ndjeshëm.
SHEKULLI
Add new comment