Kurban në xhaminë e Dushkut, policia e raportoi ngjarjen si vetëvrasje

Postuar në 14 Prill, 2013 03:14

 

Nga Lindita Çela

E ka therur në mes të xhamisë dhe pasi është siguruar që ka dhënë shpirt, e ka kthyer për së mbari, sipas riteve myslimane, kokën nga perëndimi e këmbët nga lindja.

Mesditën e së shtunës, në mes të xhamisë së Komunës së Dushkut, gjaku i 86- vjeçarit është ende i patharë. Përreth pellgut të gjakut shihen qartësisht gjurmët e autorit të krimit, të ngjyera me gjak, e disa të tjera me baltë nëpër tapetin blu të xhamisë.  Pikërisht këtu, në mes të xhamisë, Xhelo Zeqiri ka gjetur i pari të therur Shemshi Muçën.

Por të gjitha këto prova të dukshme ashiqare në vendin e ngjarjes nuk kanë bindur policinë e qarkut të Fierit se ngjarja është një vrasje, për të mos thënë një kurban në xhami.

Mbrëmjen e së premtes, policia e Qarkut të Fierit deklaroi zyrtarisht se bëhej fjalë për një vetëvrasje e se po hetonte për zbardhjen e rrethanave që çuan 86- vjeçarin të vetëvritej në xhami.

Për orë të tëra policia i ka qëndruar këtij versioni, edhe pse provat në vendngjarje, edhe injorantin më të madh të kriminalistikës do e bënin, së paku të dyshonte se 86- vjeçari nuk është vetë vrarë.

Vetëm pas insistimit të familjarëve, policia ka ngritur pistën e hetimit, ndërsa në mbrëmje deklaroi se ka arrestuar të dyshuarin si autor të vrasjes, 38- vjeçarin Artan Alla.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë të ditur se Artan Alla dyshohet të jetë vrasësi i Shemshi Muçës, e nga hetimet paraprake mësohet se vrasja ndodhi pas një sherri mes viktimës dhe autorit.

Ekzekutimi

Rreth orës 16:00 të së premtes, Shemshi Muça ka marrë rrugën për të falur akshamin në xhami. Për shkak së vuante nga prostata, 86- vjeçari e kishte zakon që shkonte para shokëve të tij për të marrë abdes (pastrimin e trupit), në mënyrë që të mos pengonte ritin e faljes, që besimtarët e komunës së Dushkut e kryenin në orën 16:20. Kështu ka vepruar dhe pasditen e së premtes, pa ditur se do të ishte namazi i fundit i jetës së tij.

Sipas gjithë dëshmive, Shemshiu është gjendur i vetëm në xhami. Për motive ende të paqarta, por shumë dyshuese, Shemshi Muça është therur në mes të xhamisë me biçakun e tij.

Sipas familjarëve, në fytin e plakut është ngulur katër herë thika, deri sa ka dhënë shpirt. I pari njeri që ka mbërritur në xhami është Xhelo Zeqiri, një bashkëfshatar dhe mik i viktimës. 80- vjeçari ka mundur të shohë autorin e vrasjes e më pas është larguar i llahtarisur për të kërkuar ndihmë tek imami i xhamisë, që është dhe dhëndëri i viktimës.

Por dhe pse në ngjarje ka pasur dëshmitarë, policia fillimisht e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje. Ndërsa pas reagimit të familjarëve të viktimës, Policia e Qarkut të Fierit ka pranuar se bëhet falë për një vrasje, që sipas saj, është për motive të dobëta.

Burime të Policisë së Qarkut të Fierit thanë për TemA-n, dyshohet se vrasja është kryer për motive banale. Sipas këtyre burimeve, viktima njihej si shakaxhi dhe ndonjë fjalë e thënë tepër e ka çuar atë drejt vdekjes.

Policia sqaron se 86- vjeçari është vrarë me biçakun e tij dhe në vendngjarje është sekuestruar edhe arma e krimit. Burimet zyrtare përjashtuan mundësinë e vrasjes për vjedhje të xhamisë, pasi përveç kryerjes së riteve fetare, askush nuk hidhte para në xhami sepse zona është tejet e varfër.

Dushku i tronditur

Ekzekutimi i Shemshi Muçës ka tronditur banorët e fshatit të Dushkut të rrethit të Lushnjes. Në këtë fshat prej vitesh nuk mbahet mend të ketë ndodhur ndonjë ngjarje kaq e rëndë. Madje edhe viti ‘97-të ka kaluar pa asnjë vrasje në Dushk, e ngjarjet e vetme kriminale që janë të regjistruara janë vjedhjet nëpër pikat e karburantit, kjo për shkak të varfërisë.

“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur. Jemi të gjithë të tronditur jo vetëm për fatin se Shemshi ishte një burrë i urtë, por këtu kurrë nuk ka ndodhur vrasje. Veç kësaj, mënyrën se si e ka vrarë, në mes të xhamisë, është shumë e dyshimtë, kurrsesi nuk mund të jetë hajdut ai që e ka bërë këtë krim”, të thotë Suleman Shaqiri.

Në fshat nuk gjen qoftë dhe një njeri që të flasë keq për familjen Muça, ashtu edhe për të ndjerin.

Sipas banorëve, të gjithë shohin hallin e tyre dhe kurrë nuk janë konfliktuar me askënd.

Shemshiu, sipas tyre, ishte një burrë i qetë e kurrë nuk ka ndërruar llafe me një njeri. Aq i respektuar ishte 86- vjeçari në fshat, saqë në orarin e varrimit, i kryer rreth orës 15:00,  në qendër të Dushkut nuk shihej këmbë njeriu.

Të gjithë burrat dhe gratë i kanë dhënë lamtumirën e fundit plakut të urtë, i therur në mes të xhamisë.

Banorët përveç tronditjes dhe habisë se si është ekzekutuar fqinji i tyre, nuk dinë të rrëfejnë ndonjë motiv që do të çonte çdokënd të kryente një krim kaq të tmerrshëm, duke i ngulur katër herë biçakun në fyt një paku.

Po kaq të tronditur janë dhe familjarët e të ndjerit. I biri mohon që të jetë në konflikt me ndonjë banorë të zonës, e ndërsa kundërshton çdo mundësi që i ati të jetë vetëvrarë.

 

 

INTERVISTA/ Resmi Muça: U tentua të manipulonin provat

Fakti që Resmi Muça, djali i 86- vjeçarit të vrarë në xhaminë e Dushkut, është inspektor policie në komisariatin e Lezhës, duket se ka detyruar policinë e qytetit të Fierit të heqë dorë për klasifikimin e ngjarjes si vetëvrasje.

Resmiu për TemA-n rrëfen se persona të caktuar kanë qenë të interesuar të manipulojnë provat, e falë ndërhyrjes së tij dhe të birit, që është efektiv i Gardës dhe merret me sigurinë e kryeministrit Sali Berisha, duket se ngjarja është rihetuar nga e para. Për TemA-n Resmi Muça rrëfen se si është ekzekutuar i ati e dyshimet e tij për ngjarjen.

Z. Resmi, policia e Fierit fillimisht deklaroi se babai juaj është vetëvrarë, kishte motive Shemshiu të vetëvritej?

Nuk është absolutisht e vërtetë. Babai im nuk kishte asnjë arsye të vetëvritej. Po më thoni ju, si mund të vetëvritej një njeri duke u qëlluar 4 herë në fyt? Nuk është absolutisht e vërtetë.

Ju po thoni se është vrasje?

Po, babai im është vrarë. E di që fillimisht është tentuar të manipulohen provat dhe unë, sapo kam ardhur nga Lezha, kam bllokuar gjithçka në mënyrë që ngjarja mos të klasifikohej si vetëvrasje. Nuk di pse është bërë kështu, por di që kam insistuar me forcë që të hetohet kjo vrasje.

Por keni ju konflikte me ndokënd, që mund të ketë çuar në vrasjen e babait tuaj?

Jo nuk kam konflikte me askënd këtu në fshat. Ne si familje nuk kemi bërë kurrë fjalë me askënd.

Po përse mund të jetë vrarë babai juaj, keni dyshime?

Këto janë hetimet e policisë dhe unë nuk di ç’të them. Di që kjo histori nuk do të mbyllet këtu. Por sot do të merrem ceremoninë mortore për t’i bërë të gjitha nderet babait tim.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.