Kultivimi i hashashit, me procese teknologjike. Hormone për fidanët dhe investim në vaditje

Speciale
Republika e Hashashit
Italianët - Lazarati mund të prodhojë deri në 900 tonë hashash, e cila mund të kapë një vlerë rreth 4.5 miliardë euro
Shqiptarët - Burgaj theksoi se ndikim patën edhe zgjedhjet. Policët u angazhuan në zgjedhje dhe u la në harresë ruajtja e territorit
Të mbjellat - “Kemi bërë fotografi nga lartësia, që dëshmojnë realitetin në Lazarat si kurrë më parë”, tha Bastoni
Justifikimi - “Probleme të tilla, pra, të kultivimit të hashashit kanë edhe vende të Ballkanit, kryesisht Bosnja, por edhe Italia”, tha Burgaj
Të gjitha periudhat, që nga fidanët e deri te shitja
Sokol Çobo
Një republikë brenda republikës. Por jo republikë parlamentare, por një republikë hashashi. Kështu mund të konsiderohet Lazarati, që aktualisht është edhe i vetmi fshat-komunë në Shqipëri, që ka një popullsi rreth 4 mijë banorë. Ai shtrihet në Rrethin e Gjirokastrës, ndërsa ka një shtrirje rreth 9 kilometra katrorë. Së fundmi, është bërë i njohur në mbarë botën për kultivimin e gjerë të hashashit, ndërsa policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas saj, xhiroja vjetore e hashashit të këtij fshati kap një shifër rreth 4.5 miliardë euro, ndërsa në vit prodhon rreth 900 tonë hashash. Shifrat janë të frikshme dhe brenda pak ditëve kanë bërë xhiron e botës, nëpërmjet mediave më prestigjioze. Madje, disa prej tyre kanë ardhur edhe në Shqipëri, për të kryer reportazhe nga zona në fjalë, ku e kanë pasur të pamundur të futen brenda. Nuk janë të vetmit, pasi edhe policia shqiptare e ka të pamundur të kontrollojë këtë zonë, e cila ka vetëm disa kilometra katrorë dhe do të duhej vetëm një patrullë policie për ta kontrolluar atë. Por, neglizhenca ndër vite e policisë ka sjellë këtë situatë, ku banorët-kultivues ruajnë zonën, madje edhe me armë. Kanë kaluar rreth 8 vite nga ndërhyrja e fundit në Lazarat, ku midis policisë dhe banorëve pati shkëmbim zjarri. Disa persona u plagosën, ndërsa një helikopter i policisë është qëlluar me armë zjarri. Që nga ajo kohë, pra, gjatë qeverisjes së PD-së, ka pasur operacione sporadike për asgjësimin e hashashit dhe policia ka asgjësuar vetëm hashashin në rrethinat e këtij fshati, pa mundur të hyjë në brendësi të kësaj “republike”, e cila ka përcaktuar edhe kufijtë. Policia ka marrë masa qesharake, duke bllokuar autobotet e ujit, apo duke bllokuar edhe tubacionet e ujit që vadisnin hashashin. Madje, janë arrestuar edhe disa persona që punonin në këtë zonë, megjithëse policia nuk kishte asnjë provë për ndalimin apo shoqërimin e tyre. Të gjitha sendet u janë dhënë pronarëve, ndërsa të gjithë të ndaluarit janë lënë të lirë.
Po si ka mundësi që një fshat-komunë, prej rreth 4000 banorësh të prodhojë një xhiro vjetore të drogës rreth 4.5 miliardë eurosh? Sipas disa të dhënave, fshati është rreth 9 kilometra katrorë dhe, sipas përllogaritjeve, ka rreth 900 hektarë, ndërsa italianët deklaruan se në këtë fshat janë mbjellë rreth 300 hektarë. Pra, 1/3 e sipërfaqes totale është e mbjellë me kanabis. Zona ka edhe banesa, përrenj apo edhe tokë zallishte. Mësohet se lazaratasit, por jo vetëm, kanë disa periudha për prodhimin e hashashit.
Periudha 1
a) Fidanishtja - Pasi sigurohet fara, ende në mënyrë të panjohur për policinë shqiptare, fillon periudha e parë, ajo e fidanëve. Në afërsi të banesave, kultivuesit ngrenë disa sera, me kubikë të veçantë. Në to mbjellin farat, ndërsa sera është e pajisur edhe me ndriçim. Sa më shumë ndriçim të kenë, aq më shpejt fidanët bëhen gati për kultivim në terren të hapur. I gjithë procesi, pra, fidanishtja zgjat rreth një muaj. Kjo fazë, bëhet në muajin prill deri në maj.
b) Hormonet - Megjithatë, një shtysë e madhe për fidanët, është edhe mënyra hormonale. Disa persona janë specializuar për fidanët, madje ata kanë marrë edhe disa hormone, që shpejtojnë në maksimum fidanët. Këta persona paguhen për ditë pune dhe mund të punojnë tek disa kultivues. Megjithatë, duke u ndalur te hormonet, duket se ato kanë edhe shtysën më të madhe të prodhimit në masë të kanabisit. Këto hormone arrijnë që bima të rritet shumë shpejt dhe të dalë për kultivim para kohe. Ende nuk dihet se çfarë medikamentesh përdoren për rritjen e bimës, pasi edhe policia shqiptare nuk ka asnjë të dhënë. Një fazë tjetër, ndoshta shumë e rëndësishme, është edhe sigurimi i farave, të cilat kanë sjellë që bima të jetë e shëndetshme dhe të mos ndikohet nga faktorët klimaterikë për rritjen e saj. Në rastet e mëparshme, ka pasur shumë dëme, ndërsa me hormonet dhe farat e reja, duket se kjo problematikë për fermerët e zonës ka rënë.
Periudha 2
a) Gropat - Banorët e Lazaratit, njëkohësisht me mbjelljen e fidanëve, kryejnë edhe procesin e përgatitjes së gropave ku do të mbillet fidani i hashashit. Për disa javë, bëhen gati gropat, që mund të jenë 50-100 centimetra katrorë. Megjithëse zona mund të jetë zallishte, sërish gropa e krijuar, ku hidhet pleh kimik, apo edhe blegtoral, shërben për kultivimin e hashashit. Toka mund edhe të pajiset me sistem vaditës. Në rreshtat e krijuar shtrihen disa zorra, me vrima në afërsi të gropës, ku do të mbillet hashashi. Dhe në këtë mënyrë bëhet vaditja me pika, e cila e ndihmon shumë rritjen e bimës.
b) Kultivimi - Në periudhën e dytë, një fazë e rëndësishme është mbjellja e kubikëve në gropën e krijuar. Fidanët merren me kubikë të veçantë dhe mbillen në gropën e bërë më parë. Në të hidhet sërish pleh kimik dhe bima e re, që tashmë ka dalë në terren të hapur, vaditet herë pas here. Kjo fazë, pra, mbjellja e kubikëve mund të bëhet në muajt prill, maj apo korrik.
Periudha 3
Vaditja - Një nga proceset më të rëndësishme është vaditja dhe spërkatja. Duke qenë zonë malore dhe me zallishte, toka thahet shpejt dhe bima ka nevojë gjithmonë për ujë. Mësohet se në tokat e mbjella me hashash ka sistem vaditje me pika, ndërsa sigurimi i ujit ka vështirësitë e veta. Në zonë janë krijuar disa puse të thella, që mund të shkojnë deri në 200 metra, në varësi të nxjerrjes së ujit. Investimet janë bërë kohë më parë dhe në brendësi të këtyre puseve janë vendosur motopompa të fuqishme që nxjerrin ujin dhe shërbejnë për vaditje. Ndërkohë, disa banorë vazhdojnë që të bëjnë vaditje të hashashit me autobot, ndërsa kohë më parë, këto automjete janë sekuestruar. I gjithë ky proces, pra, vaditja bëhet në muajt më të thatë të vitit, qershor, korrik, gusht dhe disa ditë në shtator. Kryesisht, bima vaditet pasdite, apo edhe në orët e darkës, me qëllim që toka, ku është mbjellë bima, të qëndrojë sa më shumë e lagur. Megjithatë, ka edhe raste ku bima merr 24 orë ujë, por me pika. Zona të veçanta kanë edhe sistem vaditës.
Periudha 4
a) Korrja - Pasi kryhet vaditja dhe koha ka sjellë “pjekjen” e bimës, “fermerët” arrijnë në procesin e korrjes. Bima korret dhe, pasi përpunohet paraprakisht, magazinohet dhe futet në hambarë të krijuar posaçërisht për këtë fazë. Më pas, edhe mund të paketohet, në mënyrë që tregtimi të jetë shumë i lehtë. Kjo periudhë bëhet në fund të muajit gusht, por edhe në fillim të muajit shtator. Sërish, banorët e zonës veprojnë me kujdes dhe arrijnë që të vjelin bimën. Në disa raste sekuestrimi, hashashi është paketuar me letër natriban, ndërsa në disa raste të tjera, malli është futur madje në qese të zeza.
b) Shitja - Periudha më e vështirë për lazaratasit është shitja. Duke qenë se periudhat e para bëhen në fshat, ku nuk futen persona të jashtëm, madje as policia, më e vështira është shitja, pasi policia bllokon pikat e daljes së hashashit, në disa shtigje në mal. Për çdo vit, policia, në pamundësi për t’u futur në fshat, ngre disa patrulla në mal, ku arrijnë të kapin qindra kilogramë hashash. Por, megjithëse mbillet sërish, duket se “beteja” është fituar nga kultivuesit, apo tregtarët dhe jo nga strukturat e rendit, të cilat vetëm sa vëzhgojnë tregtimin. Duket se edhe policia mund të ketë ndikim në treg, madje edhe për rritjen apo uljen e çmimit. Nëse kryhen operacione, atëherë çmimi për një kilogram rritet. Nëse nuk ka operacione, çmimi ulet në minimum. Në disa raste, banorët janë edhe informatorë të policisë dhe lajmërojnë se persona të veçantë transportojnë hashash.
Punë gjithë vitin
Më sipër treguam në mënyrë kronologjike të kultivimit të hashashit në zonë, ndërsa ajo që duket në Gjirokastër është se gjatë gjithë vitin, në zonë ka përherë punë. Drejt këtij fshati nisen furgonë me punonjës sezonalë, të cilët kanë qenë të specializuar në disa fusha. Dikush për fidanishten, ndërsa të tjerë hapës të gropave, apo edhe punonjës vaditje. Të gjitha duhen bërë me kujdes, pasi gabimet, në spërkatje, apo edhe në vaditje, mund të sjellin tharjen e bimës. Shpeshherë, policia ka penguar që këta punëtorë të shkojnë në Lazarat. Ata janë shoqëruar në polici, por disa orë më pas lirohen, pasi organet e rendit nuk kanë prova. Mësohet se asnjë prej tyre nuk tregon për “pronarin”, pasi kanë bërë pakt me banorët e Lazaratit. Duket se fshati ka krijuar vende pune, madje pagesa është e mirë.
Ruajtja e plantacioneve
Koha e ka treguar se ndërhyrja policore në Lazarat ka qenë shumë e vështirë. Në vitin 2005, policia tentoi të monitorojë zonën me helikopter. Në momentin e patrullimit, disa persona kanë qëlluar me artileri të rëndë helikopterin. Fatmirësisht nuk pati viktima. Në disa ndërhyrje të mëvonshme, sërish pati shkëmbim zjarri, ndërsa disa persona janë plagosur. Sipas policisë, plantacionet me hashash ruhen nga persona të armatosur, vendas apo të huaj, madje mësohet se edhe paguhen për “punën”. Fshati mund të ketë edhe shumë armë në përdorim dhe sërish nuk ka pasur ndonjë operacion për krehjen e zonës, pasi do të ishte shumë e vështirë. Drejtues të Policisë së Shtetit, por edhe të Gjirokastrës, shpeshherë kanë premtuar se do të hyjnë në këtë fshat, por deri tani, asnjë operacion i mirëfilltë.
Komuna-fshat me 550 banesa
Komuna-fshat e Lazaratit shtrihet në rrethin e Gjirokastrës dhe ka një sipërfaqe rreth 9 kilometra katrorë, pak më shumë se sa sipërfaqja totale e Gjirokastrës. Duke e kthyer në hektarë, zona ka rreth 900 hektarë dhe është zonë malore, ndërsa ka rreth 4 mijë banorë. Është komuna më e madhe e Gjirokastrës, madje ia kalon edhe Bashkisë së Libohovës, e cila ka vetëm 2500 banorë. Ajo që evidentohet në Lazarat është se banorët janë shumë të lidhur me njëri tjetrin, ndërsa kanë bërë shumë krushqi me njëri-tjetrin, me të vetmin qëllim, që të mos fusin njerëz të huaj në fshat.
Skema e bërjes së kanabisit në Lazarat
Periudhat e hashashit
Fidanishtja - Kultivuesit ngrenë disa sera, ku përgatisin kubikët, të mbushur me pleh blegtoral, apo edhe kimik. Pasi përgatiten kubikët, fillon edhe faza e mbjelljes së farave
Teknologjia - Megjithatë, teknologjia është futur në këtë proces. Fermerët kanë arritur të gjejnë hormone për rritjen e fidanëve
Ndriçimi - Në sera janë të vendosura sisteme me drita të fuqishme, të cilat rrisin shumë shpejt fidanët. Sa më shumë dritë, aq më shpejt bëhen fidanët.
Gropat - Në tokë, fermerët bëjnë gati gropat, që mund të jenë nga 50-100 centimetra katrorë. Ato mbushen me dhé pleh kimik dhe blegtoral
Kultivimi - Pas një muaji nga koha e mbjelljes, fidanët bëhen gati të mbillen në plantacione. Kubikët futen në gropa dhe më pas vaditen
Vaditja - Për një kohë të gjatë, i gjithë procesi është vaditja dhe spërkatja e bimës. Duke qenë zonë malore, toka e Lazaratit ka shumë nevojë për ujë
Korrja - Pas dy muaj e gjysmë në tokë, bima bëhet gati për korrje. Ajo “vilet” dhe më pas futet në hambarë
Shitja - Ky është procesi më i vështirë, pasi policia, për çdo vit bllokon shtigjet në Lazarat. Megjithatë, banorët dhe tregtarët ia kanë dalë mbanë të eksportojnë hashashin
Në zgjedhjet e fundit kanë qenë të regjistruar 2600 persona
Partia Republikane - Ka dalë forcë e parë politike, duke marrë 878 vota, duke thyer një bastion të Partisë Demokratike
Partia Demokratike - Ka dalë forcë e dytë në Komunën e Lazaratit. Ka marrë vetëm 592 vota
146 vota - Ka marrë Lëvizja Socialiste për Integrim
127 vota - Vota ka marrë Partia Socialiste, duke u renditur e katërta
4 vota - Kanë marrë forcat politike minoritare, 3 PBDNJ-ja dhe 1 MEGA
FRD & AK - Kanë marrë pak vota, respektivisht 8 FRD-ja dhe 5 AK-ja. Të tjerat kanë marrë nga 1 dhe dy vota
Mediat ndërkombëtare - Gazeta “La Repubblica” dhe “Corriere Della Sera” i kanë kushtuar rëndësi prodhimit të hashashit nga Lazarati
Çmimi i hashashit
Nis në Lazarat me 350 euro dhe përfundon në Itali me 5 mijë euro
Sipas disa të dhënave konfidenciale, kryesisht nga policia, 1 kilogram hashash nga Lazarati varion nga 250-450 euro. Personat që e nxjerrin këtë lëndë narkotike nga fshati marrin edhe ata një “taksë” dhe e shesin tek të tjerë tregtarë vendas për rreth 500 euro. Më pas, grupet e mëdha, që kanë edhe mjetet e duhura, si skafe apo kamionë, e tregtojnë kryesisht në rrugë detare, por edhe tokësore hashashin në Greqi dhe Itali dhe e shesin te grupet italiane me një çmim rreth 800 euro. Më pas, këto grupe, pra, italianët, arrijnë ta përpunojnë dhe ua japin shpërndarësve me çmime më të larta për kilogramë, të cilat variojnë për nga cilësia. Mesatarisht, çmimi i hashashit në vende perëndimore, me pakicë, është rreth 5 euro 1 gram. Madje, kërkesa për mall shqiptar është rritur dhe mund të paguhet më shtrenjtë. Guardia di Finanza ka llogaritur të gjithë zinxhirin e tregtimit të hashashit, që nga Lazarati e deri tek përdoruesi dhe llogaritë e saj janë të sakta. Ndërkohë, çmimi në Shqipëri me pakicë i hashashit është disa herë më i ulët se në vendet perëndimore. Mësohet se një “qese farmacie” që ka mesatarisht nga 4 deri në 5 gramë shitet me një çmim 5 mijë lekë të vjetra. Ndërsa, nëse kërkon të marrësh sasi më të mëdha, të ofrohet edhe mundësia e negocimit. Aktualisht, mësohet se në Tiranë, apo në qytete të mëdha, “qesja e farmacisë” blihet me 5 mijë lekë, ndërsa në qytetet bregdetare, çmimi është dyfishuar, për shkak edhe të rrezikshmërisë për tregtimin e saj.
Shqip
Add new comment