Kukan: Berisha tha se do të pranojë rezultatin

Kreu i vëzhguesve të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, i shoqëruar nga ambasadori i Bashkimit Europan, Etore Sekui, ishte i pari që vizitoi sot në mëngjes në zyrën e tij kryeministrin Sali Berisha.
Më pas ai shkoi në selinë e Partisë Socialiste ku takoi kryetarin, Edi Rama.
Pas takimeve, ai ka dhënë një prononcim për mediat, duke theksuar se Berisha i ka premtuar se do të njohë rezultatin.
“Dy-tre herë Kryeministri Berisha më ka përsëritur që do ta pranojë rezultatin,” ishte përgjigjja e Kukan, pas interesimit të mediave.
Zyrtari i lartë theksoi se me përjashtim të ngjarjes së Laçit, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën dy të tjerë, zgjedhjet ishin normale, duke e cilësuar këtë një fillim të mirë për procesin.
“Shprehim shpresën tonë që edhe pjesa tjetër e procesit, numërimi dhe pranimi i rezultatit të jetë i tillë. Nëse procesi mbyllet me sukses, atëherë kjo është një fitore për Shqipërinë dhe besoj se do të jetë një shtysë e fortë për integrimin. Ne jemi gati t’ju japim mbështetje,” tha Kukan./ep
TEMA
Add new comment