Kujtimet e një ish-ambasadori: Pse nuk u hap porta e Shtëpisë së Bardhë për Nanon dhe Berishën

Postuar në 22 Korrik, 2013 08:01

Carl Rove

Nikola dhe Maja Dimitrov kishin hyrë ndërkohë në sallën e banketeve. U bashkuam me ta.

“Eja të takojmë Karl Rove”, më tha Nikola.

Arta dhe Maja u ndanë nga ne dhe humbën në sallonet e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa Nikola dhe unë lëvizëm në krahun tjetër të sallës së banketeve.

Rove sapo hyri në sallë. Si zakonisht, prania e tij tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. Në mungesë të Presidentit Bush, madje shumë herë edhe në prani të tij, Rove bëhej epiqendra e interesimeve për këdo që donte të realizonte një interes të caktuar në Shtëpinë e Bardhë.

Duke më parë mua dhe Nikolën t’i afroheshim, Rove bëri një hap drejt nesh:

“Ç’ka ndodhur me ju, ambassador?” më pyeti ai.

Duke e ditur se Rove ishte i mirinformuar për axhendën e afërt të aktiviteteve të Presidentit Bush, vendosa të bëj humor:

“Po t’ju them të vërtetën, Mr. Rove, e di që nuk do më besoni”.

“Tell me”, (Më trego), tha ai.

“OK. Ngaqë deri më sot kam dështuar me sukses për të mundësuar një vizitë të kryeministrit shqiptar në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri dha urdhër të më thyejnë këmbën”.

Rove vuri buzën në gaz dhe tha vetëm dy fjalë:

“Message received” (E mora mesazhin).

Menjëherë pas këtyre fjalëve ndërhyri Nikola, në një mënyrë që rrallë herë e ndesh në qarqet diplomatike:

“Mr. Rove, ju duhet ta ftoni kryeministrin Nano që të takohet me Presidentin Bush. Edhe ne maqeqonasit e dëshirojmë këtë. Është mirë për tërë rajonin, edhe për Kosovën”.

“I said: message received” (Une thashë: e mora mesazhin), tha Rove dhe shtrëngoi duart me ne.

 

Dan Fried

Pas Karl Rove, radhën e kishte Dan Fried. Sapo na pa që po afroheshim drejt tij, me një ton dhe gjest shumë miqësor Fried më tha:

“Oh, no, please, not Nano again!” (Oh, ju lutem, jo Nano sërish).

Dan Fried i kishte dëgjuar me dhjetëra herë në zyrën e tij kërkesat e përsëritura nga unë, Paige Reefe dhe Bruce Jackson për një takim të kryeministrit shqiptar me Presidentin Bush. Në mars të vitit 2005, më shumë se tre muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, një takim i tillë dukej ende i mundur të realizohej. Unë isha i mirinformuar se pas kërkesave tona të përsëritura dhe energjike në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, për Shtëpinë e Bardhë çështja tashmë shtrohej not whether, but when (jo nëse, por kur).

“E shihni, jo unë, por ju vetë e përmendët Nanon”, i thashë ambasadorit Fried duke i shtrënguar dorën. “Duket se vizita e tij, deri sa të realizohet, nuk do t’ju shqitet nga mendja ditë e natë”.

“OK, OK”, tha Dan Fried. “We’ll have a visit. I am working on it”(Ne do të kemi nje vizitë. Unë jam duke punuar për të).

Nikola Dimitrov hyri përsëri në bisedë:

“Dan, shqiptarët e meritojnë një takim të kryeministrit të tyre me Presidentin Bush”.

“E di”, tha Fried, “Ambasadori Tarifa më ka bindur për këtë. Unë po punoj që kjo vizitë të realizohet”.

Pa mbaruar ende fjalën, pas krahëve tona u dëgjua zëri i Karl Rove:

“Ej, Dan, why don’t we bring the Albanian prime minister to see the President?” (Ej, Dan, pse nuk e sjellim kryeministrin e Shqipërisë të takohet me Presidentin?”

Karl Rove na ra krahëve mua dhe Nikolës ndërsa ambasadori Fried iu përgjigj:

“We’re working on it, Carl” (Jemi duke punuar për të, Karl).

 

Steve Hadley

Andrew Card. Karl Rove. Daniel Fried. Kishte mbetur pa takuar vetëm një ndër njerëzit më të afërt dhe më të rëndësishëm të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë: Stephen Hadley, i cili, vetëm pak javë më parë, kishte zëvendësuar Condoleezza Rice në detyrën e Këshilltarit të Presidentit Bush për Çështjet e Sigurimit Kombëtar. Në administratën e parë të Presidentit Bush, Hadley kishte qenë zëvendësi i Dr. Rice në Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në këtë cilësi, unë isha takuar me të disa herë. Edhe pse Hadley nuk kishte karizmën dhe atë mbështetje të Presidentit Bush që i kishte pasur dhe vazhdonte t’i kishte edhe në krye të Departamentit të Shtetit Dr. Rice, tani Hadley kishte një pozitë të fuqishme në Shtëpinë e Bardhë dhe, në fund të fundit, ishte ai që do të jepte OK-jin përfundimtar mbi çdo takim të Presidentit amerikan me personalitete shtetërore të huaja.

Steve Hadley dhe e shoqja e tij qëndronin në këmbë jashtë sallës së banketeve kur unë dhe Arta, pasi ishim ndarë nga Dimitrovët, vendosëm të largoheshim për shkak se qëndrimi i gjatë në këmbë kish filluar të më shkaktonte dhimbje në gju. Duke dalë nga salla e banketeve, takimin me Hadley-n dhe të shoqen e tij jo vetëm që nuk mund ta evitonim, por edhe sikur ta kishim kërkuar atë takim nuk do të kishim gjetur dot kohë dhe vend më të përshtatshëm se atë mbrëmje dhe, pikërisht në Shtëpinë e Bardhë.

Me një fytyrë të qeshur dhe me sy që tregojnë mirësi, Steve Hadley më bëri të njëjtën pyetje që më kishin bërë atë mbrëmje të gjithë këshilltarët më të afërt të Presidentit Bush:

“Ç’ju ka ndodhur, z. ambasador?”

I shpjegova shkurtimisht mbi operacionin që kisha kryer disa javë më parë dhe ai, me një ton shumë njerëzor (në krahasim me të cilin qëndrimi i Kastriot Islamit mund të cilësohej vetëm shtazarak) dhe duke përmendur shembullin e një mikut të tij, i cili kishte kryer të njëjtin operacion, më dha të njëjtën këshillë si Andrew Card:

“Mos e ndërpre terapinë. Ajo është shumë e rëndësishme”.

E falenderova z. Hadley për këshillën dhe gjeta rast t’i shprehja mirënjohjen time që zyra e tij, siç më kish thënë Dan Fried, e kishte marrë përsëri në konsideratë mundësinë e një vizite të afërt të kryeministrit shqiptar në Shtëpinë e Bardhë.

 

Shtëpia e Bardhë, Nano dhe Berisha

Ajo vizitë nuk u realizua kurrë sa kohë që Fatos Nano ishte kryeministër. Zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 që po afronin ishin një arsye, por jo kryesorja. Arsyeja kryesore, të cilën në mënyrë konfidenciale ma thanë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar pak ditë pasi unë kisha lënë detyrën e ambasadorit në Uashington, ishte se, në Shtëpinë e Bardhë, ashtu si edhe në Departamentin e Shtetit, nuk besonin se Fatos Nano ishte një kryeministër serioz dhe i përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto dy fenomene, si edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj tyre, kanë qenë dhe mbeten shqetësimet kryesore të çdo administrate amerikane në marrëdhëniet e saj me shtetin shqiptar.

Tetë vitet e qeverisjes së Sali Berishës (pas Nanos), gjithashtu, nuk ia hapën asnjëherë derën e Shtëpisë së Bardhë kryeministrit shqiptar. Diplomatët, në përgjithësi, dhe ata që e njohin mirë Uashingtonin, në mënyrë të veçantë, dinë si ta lexojnë këtë mesazh.

 

Letrat e fundit për Shtëpinë e Bardhë

Ajo mbrëmje e 14 marsit 2005, ishte hera e fundit që jam takuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Dy ditë më vonë, më 16 mars, në një letër që i shkrova Këshilltarit të Presidentit Bush për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Steve Hadley, ndër të tjera thoja: “Ju shpreh urimet më të mira dhe falënderimet e mia për preokupimin tuaj të sinqertë mbi gjendjen time shëndetësore dhe mbi mënyrën shumë miqësore me të cilën e pritët shakanë time se do ta flak tej bastunin ditën që do të hyj përsëri në Oval Office me kryeministrin e vendit tim”.

Po atë ditë, më 16 mars, i shkrova Shefit të Stafit të Presidentit Bush, Andrew Card, një letër, në të cilën thoja: “Ju duhet ta dini nga vetë puna juaj, dhe ndoshta nga miku ynë i përbashkët, Peter Lucas, se Shqipëria është rritur gjatë këtyre viteve si një demokraci e re. Po kështu është rritur edhe numri i miqve të Shqipërisë. Ne punojmë me ta, mësojmë prej tyre, si kur dëgjojmë vlerësimet e mbështetura në vëzhgime objektive, si ato të z. Lucas, ashtu edhe kur punojmë me kolegët tanë, për t’u dhënë zgjidhje të reja probleme të vjetra”.

Po më 16 mars, në një letër për Karl Rove, duke e falënderuar atë për fjalët e tij “Message received”, me të cilat ai reagoi ndaj kërkesës sime për një takim të kryeministrit shqiptar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, unë i shkruaja atij se ajo kërkesë “was not about me”, nuk kishte të bënte, pra, me mua, por kishte të bënte me “sensin e detyrës time, si ambasador i Shqipërisë në Uashington, në shërbim të interesave publike të vendit tim”.

Më së fundi, më 29 mars 2005, në letrën time të fundit për Presidentin Bush, duke e falënderuar atë dhe Zonjën e Parë për pritjen e ngrohtë që dhanë më 14 mars, i shprehja Presidentit të Shteteve të Bashkuara mirënjohjen time të thellë për vlerësimet inkurajuese ndaj zhvillimeve politike në vendin tonë dhe mbështetjen e administratës së tij për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri.

 

 

Pse të huajt në Tiranë i vunë Islamit nofkën ‘Rasputini’ 

Vizita e fundit në Shtëpinë e Bardhë

(botuar dje në gazetën DITA)

Takimi im i fundit, si ambasador i Shqipërisë në Uashington, me Presidentin e Shteteve të Bashkuara ndodhi më 14 mars 2005. Ndryshe nga herët e tjera, atë mbrëmje Zonja e Parë dhe Presidenti Bush na pritën në fillim të aktivitetit dhe jo pas tij. Po kështu, takimi dhe fotoja zyrtare me ta u bënë në Dhomën e Pritjeve Diplomatike, në katin e parë të Shtëpisë së Bardhë, dhe jo në ndonjë nga sallonet e katit të dytë si zakonisht.

Unë kisha vetëm gjashtë javë që isha operuar, në Pinehurst të Karolinës së Veriut, duke zëvendësuar gjurin e djathtë, dhe vetëm katër javë që kisha dalë nga spitali. Ndërkohë, edhe pse dilja rregullisht në zyrë, vazhdoja terapinë fizike në një klinikë në Falls Church, pranë rezidencës ku banonim në atë kohë. Për të ndihmuar ecjen, veçanërisht qëndrimet e gjata në këmbë, ato ditë vazhdoja të mbaja një bastun, të cilin ma kishin bërë dhuratë në Southern Pines miqtë e mi Betty dhe David Funderburk pasi dola nga spitali. David kishte qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bukuresht, gjatë mandatit të parë të Presidentit Regan (1981-1985) dhe, më vonë, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan. Në atë kohë, ai dhe Betty jetonin në Pinehurst, gjashtë orë larg me makinë nga Uashingtoni, ndërsa kalonin një javë në muaj në Uashington, DC, duke punuar për një organizatë lobiste. Në vitin 2004, me propozimin tim, qeveria shqiptare e emëroi ambasadorin Funderburk Konsull Nderi të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë për shtetin e Karolinës së Veriut.

Atë mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga Arta dhe, një pjesë të kohës, nga miqtë tanë Nikola dhe Maja Dimitrov, ambasadori i Maqedonisë dhe gruaja e tij, unë u takova thuajse me të gjithë njerëzit më me influencë të Shtëpisë e Bardhë, ata që e shihnin, e shoqëronin, e këshillonin dhe e dëgjonin Presidentin e Shteteve të Bashkuara çdo ditë, që ishin syri dhe veshi i tij, dëshmitarë okularë dhe protagonistë të çdo gjëje që ndodhte në atë ndërtesë, mbi të cilën rëndon pesha e gravitetit politik të të gjithë planetit tonë.

 

Andrew Card

Si Shef i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Card ishte, pa dyshim, njeriu më i afërt i Presidentit Bush. Ne një takim të një grupi ambasadorësh me të disa kohë më parë, në Blair House, Card na kish thënë se, në rolin e Shefit të Stafit të Presidentit amerikan, ai kishte detyrën më të vështirë dhe më të përgjegjshme që mund të ekzistojë, jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën.

“Detyra ime”, tha atëherë Andrew Card, “mund të përmblidhet shkurtimisht në këto fjalë: Unë mbaj përgjegjësi të plotë për tri gjëra shumë të thjeshta, por që kanë rëndësi shumë të madhe: Së pari, të sigurohem që Presidenti Bush ka kohë të mjaftueshme për të ngrënë. Së dyti, të sigurohem që Presidenti Bush ka kohë të mjaftueshme për të pushuar e për të fjetur. Së treti, të sigurohem që Presidenti Bush ka kohën që i nevojitet për të qëndruar me gruan e tij. Nëse Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ha në kohën e duhur, ai nuk do të jetë në gjendje të përqendrohet në bisedat që bën me kryetarë shtetesh, ose me drejtues të Kongresit për çështje shumë të rëndësishme. Nëse Presidenti nuk fle në kohën e duhur dhe për aq kohë sa duhet, ai do të jetë i lodhur dhe mund të marrë vendime të gabuara, kostoja politike e të cilave mund të jetë shumë e lartë. Nëse Presidentit të Shteteve të Bashkuara nuk i mundësohet koha e mjaftueshme për të fjetur me gruan e tij, ai do të jetë nervoz dhe, për këtë shkak, mund të gabojë në shumë vendime që merr. Me pak fjalë, detyra ime është të sigurohem që Presidenti Bush ngrihet nga gjumi në kohën e duhur, ha gjithnjë në kohën e duhur, dhe bie të flejë me gruan e tij në kohën e duhur”.

“Kjo”, shtoi ai, “duket një punë shumë e thjeshtë. Por, më besoni se nuk ka punë më të vështirë sesa të jesh Shef i Stafit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Atë mbrëmje, Andrew Card dhe e shoqja e tij qëndronin disi të tërhequr në fund të sallës së banketeve. Unë dhe Arta ishim ndër të parët që u takuam atë mbrëmje me Presidentin Bush dhe me Zonjën e Parë. Fotoja që ruajmë nga ai takim është ndër kujtimet më të bukura e më të paharruara. Pasi u ndamë prej tyre, ishim ndër të parët që u ngjitëm në sallën e banketeve dhe nuk kishte rast më të mirë për të shkëmbyer dy fjalë me Shefin e Stafit të Presidentit Bush, i cili, bashkë me të shoqen, qëndronin në një kënd të sallës. Mbështetur mbi bastunin tim dhe i ndihmuar nga Arta, iu afruam atyre.

“What happened, Mr. ambassador?”, më pyeti Andrew Card ndërsa më shtrëngoi dorën.

“Well, I just had a total knee replacement”, (Eh, unë sapo kam zëvendësuar krejtësisht gjurin) i thashë duke dëshiruar që operacioni im të mos bëhej e vetmja temë e bisedës me të.

“Duhet të bësh shumë kujdes”, tha ai, “veçanërisht terapi. Terapia ka më shumë rëndësi sesa vetë operacioni”.

Për një çast, ndërsa Andrew Card, ky njeri fisnik nga Massachussetts, të cilin Presidenti i Shteteve të Bashkuara e kishte zgjedhur të ishte njeriu më i afërt i tij në Shtëpinë e Bardhë, më këshillonte për shëndetin tim, aty për aty, vetëtimthi, ndoshta në një të dhjetën e sekondës, m’u shfaq imazhi i një xhuxhmaxhuxhi të zi, i cili, fatkeqësisht, ishte ministri i jashtëm i vendit tim. Pas afro gjashtë javësh që isha operuar, ky xhuxhmaxhuxh as që kish marrë ndonjëherë mundimin ta pyeste ambasadorin e Shqipërisë në Uashington për shëndetin e tij pas operacionit.

 

Kontrast me botën e xhuxhmaxhuxhëve të zinj

Duke përshkruar këtë atmosferë të ngrohtë në Shtëpinë e Bardhë dhe interesimin e sinqertë të bashkëpunëtorëve më të afërt të Presidentit amerikan mbi gjendjen time shëndetësore pas një operacioni të rëndë, marr shkas të hap një parantezë mbi një realitet tjetër, paradoksal, nga i cili unë vetë isha shkëputur me kohë, por të cilin, për ironi të fatit, në atë kohë unë vazhdoja ta përfaqësoja në Uashington.

Gjatë katër viteve (prill 2001-maj 2005) që unë shërbeva si ambasador i Shqipërisë në Uashington, eprorë të drejtpërdrejtë të mi kanë qenë pesë ministra të jashtëm: Paskal Milo, Arta Dade, Ilir Meta (njëkohësisht edhe zëvendës kryeministër), Luan Hajdaraga (ministër ad interim) dhe Kastriot Islami. Në përgjithësi, marëdhëniet e mia të punës dhe bashkëpunimi institucional me shumicën prej tyre kanë qenë shumë korrekte dhe produktive. Vetëm njëri prej tyre, Islami, krijoi dhe ruajti me mua marrëdhënie të ashpra në ekstrem, profesionalisht absurde dhe psikologjikisht shumë të rënduara, tërësisht për shkak të mediokritetit, të paaftësisë profesionale, të xhelozisë dhe të malinjitetit të tij.

Kushdo që e njeh karrierën politike të Kastriot Islamit, e di se ai e mori postin e ministrit të jashtëm duke lënë atë të ministrit të financave në një manovër politike të dëshpëruar të kryeministrit të atëhershëm, Fatos Nano, për të mbushur vendin vakant pas dorëheqjes së Ilir Metës, me një anëtar të kabinetit ekzistues. Edhe pse shumëkush i konsideronte të dyshimta aftësitë e Islamit si politikan dhe krejtësisht të pamerituara ofiqet politike që ai siguroi për vite me radhë, është interesant të vihet në dukje se si ka mundur ky njeri të ngrihet në majat më të larta të administratës shtetërore në Shqipërinë postkomuniste.

E gjithë karriera politike e Kastriot Islamit ka qenë e lidhur me fatin politik të Fatos Nanos (dhe, së fundmi, paradoksalisht, me atë të Sali Berishës). Me përjashtim të postit të ministrit të arsimit, të cilin për një kohë shumë të shkurtër atij ia dha Ramiz Alia gjatë kohës së sistemit njëpartiak, të gjitha postet e tjera politike të Islamit kanë qenë “dhuratë”, ose “shpërblim” nga kryeministri Nano për “Rasputinin” e tij. Dëshiroj të sqaroj për lexuesin se merita e krahasimit mjaft të goditur të Islamit me Rasputinin nuk më përket mua. Këtë epitet atij ia ka venë një ndër drejtuesit e misionit të Bankës Botërore në Tiranë kur Islami ishte ministër i financave. Në kujtimet e tij mbi Shqipërinë, Islamit i kushtohet një kapitull më vete, i titulluar “Rasputini shqiptar”.

Fatos Nano u bë kryeministër i Shqipërisë për herë të parë në vitin 1991, kohë kur ai u zgjodh edhe kryetar i Partisë Socialiste, e cila kishte mazhorancën në parlamentin e parë pluralist shqiptar (1991-1992). Në atë kohë, Nano e bëri Islamin kryetar të Parlamentit. Humbja e Nanos më 1992 rrëzoi edhe Islamin. Nano u bë përsëri kryeministër, për një vit, më 1997 dhe, për këtë arsye, Islami u bë, po atë, vit zëvendëskryeministër. Largimi i Nanos më 1998 largoi edhe Islamin. Islami nuk mori asnjëherë ndonjë portofol në të katër kabinetet e qeverisë socialiste që formuan Pandeli Majko dhe Ilir Meta në periudhën 1998-2002. Nano arriti të bëhej përsëri kryeministër i vendit më 2002 dhe Islami u bë ministër i financave (2002-2003) dhe, më pas, ministër i jashtëm (2004-2005). Kastriot Islami ka qenë gjithnjë zogu që i krruante kurrizin rinocerontit Nano dhe, ndoshta, nuk do të kishte pasur asnjë vend në politikën shqiptare pa Fatos Nanon. Të tilla shërbime i kanë bërë Fatos Nanos (së fundmi edhe Sali Berishës) servilizimi, makiavelizmi dhe rasputinizmi i Islamit, të cilin shumëkush e quan “Kaçi i zi”. Në fakt, unë njoh disa individë që i njohin vetes autorësinë e këtij epiteti përçmues për këtë zvarranik të politikës shqiptare.

Pas vitit 1997, Islami gjithnjë e ëndërroi postin e ministrit të jashtëm, madje edhe kur ishte zëvendëskryeministër. Ai pothuasje e urrente Paskal Milon, i cili u bë ministër i jashtëm dhe qëndroi në këtë post për katër vjet, edhe pse atëherë i përkiste një partie të vogël në koalicionin qeveritar, Partisë Social Demokrate. Edhe pse Islami u ul në karriken e ministrit të jashtëm për një periudhë relativisht të gjatë, sipas standarteve shqiptare (rreth 20 muaj), ai nuk arriti kurrë të bëhej, të shprehej, ose të sillej si diplomat, aq më pak si ministër i jashtëm. Islami e mori Ministrinë e Jashtme dhe mbeti nga dita e parë deri në fund në këtë institucion një tjetër ministër financash, apo një lloj ministri financash për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai ka qenë titullari më i keq dhe më mediokër i diplomacisë shqiptare që nga themelimi i shtetit të pavarur shqiptar më 1912, duke e nëpërkëmbur dhe shkatërruar në themel Ministrinë e Jashtme në kuptimin më real të fjalës.

Në pjesën më të madhe të kohës që Islami ishte ministër i jashtëm dhe unë ambasador në SHBA, ai nuk tregoi asnjë interes të veçantë për ambasadën e Shqipërisë në Uashington, edhe kur në rend të ditës në marrëdhëniet e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara ishin probleme të një rëndësie të dorës së parë. Islami nuk u kushtoi në asnjë rast vëmendjen e duhur sugjerimeve që i janë bërë nga ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin amerikan, të cilat kanë qenë në dobi të punës dhe në shërbim të realizimit të objektivave të politikës së qeverisë shqiptare në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Qëndrimet nënvleftësuese të ministrit Islami ndaj asaj ambasade dhe refuzimet e përsëritura prej tij për të mbështetur financiarisht aktivitetet e shumta dhe të rëndësishme të saj e vështirësuan në një masë të konsiderueshme aktivitetin e atij misioni diplomatik. Të vetmet kërkesa të përsëritura nga ministri i jashtëm Islami për mua, si ambasador, kanë qenë realizimi i vizitave të tij në Uashington dhe jo interesimi për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Duke filluar nga muaji shkurt 2005, ministri i jashtëm Islami manifestoi gjithashtu një sjellje krejtësisht johumane ndaj problemeve të mia shëndetësore, së pari duke kërkuar që unë t’i merrja atij aprovim me shkrim për një operacion të rëndë që duhej të kryeja, dhe për të cilin shteti shqiptar nuk do paguante asnjë qindarkë dhe, së dyti, duke mos u interesuar asnjëherë për shëndetin tim pas operacionit.

Në dallim nga sjellja johumane e “Kaçit të zi”, interesimi atë mbrëmje i Shefit të Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Card, dhe i bashkëpunëtorëve të tjerë të afërt të Presidentit Bush për gjendjen time shëndetësore i lartësonte edhe më shumë ata si qenie humane dhe të civilizuara. Në kontrast me ta, Islami ishte një qenie ogurzezë dhe tepër mjerane.

 

Humanizmi i Shtëpisë së Bardhë dhe “fantazma” e Nanos

Të qenët në Shtëpinë e Bardhë dhe prania e Shefit të Stafit të Presidentit amerikan më shkundën nga imazhet ogurzeza të botës së xhuxhmaxhuxhëve. Lexuesi të më falë që e shkëputa përkohësisht nga ai mjedis për t’i përshkruar Rasputinin e politikës shqiptare, të cilit ata, ndoshta, nuk kanë dëshirë t’i dëgjojnë as emrin.

Në një moment gjatë bisedës sonë, i thashë zyrtarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë:

“Z. Card, ndoshta e dini që ju dhe unë kemi dy miq të përbashkët”.

“Cilët?” pyeti ai.

“Peter Lucas”, i thashë unë.

“Ah, po, Peter, miku im i vjetër, më ka folur për ju”, tha Card. “Peter ka mbuluar nga afër, si gazetar, fushatën time kur kandidoja për legjislaturën në Massachussetts. Ai është një burrë dhe një gazetar shumë i mirë. Prindërit e tij, më duket, ishin shqiptarë, apo jo”.

“Po”, i thashë, “po kështu, edhe prindërit e mikut tjetër të përbashkët që kemi, Andrew Natsios. Edhe ata, ndonëse grekë, kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria”.

Andrew Natsios kishte qenë për katër vjet (dhe mbeti edhe për një vit gjatë administratës së dytë të Presidentit Bush) Administratori i USAID-it. Gjatë kohës që unë shërbeva në Uashington, Natsios ishte një ndër miqtë e mi më të afërt në administratën e lartë të Presidentit Bush. Në fund të vitit 2005, ai u largua nga ajo detyrë dhe mori postin e profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Georgetown University.

“Natsios, me të jemi miq të vjetër”, tha Andrew Card.

“E di”, i thashë, “madje, dikush që shiste mënd se ju njeh mirë, më thoshte disa ditë më parë se Elizabeth, e shoqja e z. Natsios, është motra juaj”.

Andrew Card vuri buzën në gaz, pastaj tha:

“Siç duket, ky person më njihka vërtet mirë. Andrew dhe unë jemi miq të vjetër dhe gratë tona janë shoqe të ngushta, por Elizabeth nuk është motra ime”.

Përpara se të ndahesha me të, i thashë Shefit të Stafit të Presidentit Bush se dëshiroja të takohesha me të në një nga javët e ardhshme për të diskutuar mundësinë e një vizite të kryeministrit shqiptar në Shtepinë e Bardhë. Andrew Card më dha kartvizitën e tij duke thënë:

“Më telefono kurdo që të kesh kohë”.

Pastaj, duke shtrënguar duart miqësisht, shtoi:

“Dhe bëj kujdes! Mos e nënvleftëso terapinë”.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.