Kryeprokurori Llalla urdhëron rikthimin e dosjes “Çopa”, takon krerët e SHISH

Prokuroria e Përgjithshme i delegon për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda dosjen e Isa Çopës, ish-shefi i Kundërzbulimit të Shërbimit Informativ Shtetëror, që u gjet i pajetë në makinën e tij tetorin e vitit 2011.
Burime të sigurta të Top Channel pohojne se pas hetimeve në organin e akuzës durrsake, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka zhvilluar një mbledhje pak ditë më parë për të analizuar këtë ngjarje jo vetëm me përfaqësues të organit të hetimit, por edhe me zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ku është konkluduar se kjo ngjarje tashmë do të hetohet në linjën e një vrasjeje për shkak të detyrës së 49-vjeçarit. Dosja nuk ka mbërritur ende tek Prokurorët e Krimeve të Rënda, ndërkohë që mësohet se shkak për ndryshimin e kompetencave për t’u hetuar janë disa prova të reja që nuk mund të publikohen për shkak të sekretit hetimor.
Zëdhënësi i Prokurorit të Përgjithshme Albi Serani ka pranuar për Top Channel se ka pasur një analizë në zyrën e kryeprokurorit Llalla me zyrtarë të Shërbimit Informativ Kombëtar por nuk ka konfirmuar aspak tematikën e këtij takimi, si dhe faktin e dërgimit për hetime të mëtejshme të dosjes Çopa tek Krimet e Rënda.
Ish-oficer i SHISH-it në Durrës prej 11 vitesh, Isa Çopa u gjet i djegur në makinën e tij mesnatën e 24 tetorit 2011, në rrugën pranë ish-repartit ushtarak të Currilave. Familja e tij kishte denoncuar e para në polici zhdukjen disa orëshe të viktimës. Në atë kohë, policia e Durrësit deklaroi se Çopa ishte vetëvrarë dhe se viktima kishte marrë një bidon pesë litërsh me benzinë dhe pak përpara se t’i jepte fund jetës i kishte dërguar një mesazh lamtumire djalit të tij. Por ekspertiza e bërë në një laboratorë shkencorë në Gjermani ka nxjerrë se Çopa është vrarë me mjete të forta, përpara se mjetit të tij ti vihej flaka për të humbur gjurmët e krimit.
SHQIP
Add new comment