Krujë, Meta: Votimi i 3 ligjeve, kontribut historik i LSI-së

Postuar në 02 Qershor, 2013 04:32

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ishte i pranishëm në qytetin e Krujës ditën e sotme, teksa prezantoi kandidatin për deputet të kësaj partie, Bujar Dervenin.

Në fjalën e tij Meta e cilësoi si historik, kontributin e LSI-së për miratimin e tre ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Meta tha gjithashtu, se LSI bëri të mundur bashkimin e Parlamentit shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për të votuar tre ligjet. 

Kreu i LSI-së rinënvizoi mbështetjen e partisë së tij ndaj biznesit fason, duke premtuar uljen me 10% të TVSH-së për zhvillimet turistike.

Meta shprehu kënaqësinë për këtë takim duke e cilësuar Krujën si një qytet të lavdishëm, i cili i mbush të gjithë shqiptarët me krenari për të kaluarën, por edhe në frymëzim për të ardhmen.  

Meta tha se prioriteti kryesor i LSI-së është punësimi. “Ne besojmë se Kruja ka një të ardhme të shkëlqyer, sikurse ka një histori të shkëlqyer, por ka nevojë për më shumë mbështetje nga shteti dhe nga qeveria. 

Ndaj ne angazhohemi edhe përmes programit tonë për katër vitet e ardhshme, ku prioriteti i parë, i dytë dhe i tretë është ai i punësimit, të mbështesim qytetarët e Krujës, të rinjtë e Krujës, për të ecur më shpejt në këtë rrugë.  Për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe potencialet që ka Kruja, sidomos për zhvillimin e Turizmi, për zhvillimin e sektorit të shërbimeve, për zhvillimin e mëtejshëm e biznesit fason, ku punojnë me qindra e qindra gra dhe vajza të reja”, tha ai. 

Më tej Meta tha se LSI mbështet p biznesin fason dhe ka dhënë e para kur politika shqiptare nuk e artikulonte fare këtë çështje. 

“Shumë lehtësi që janë bërë këto vitet e fundit kanë qenë rezultat i insistimit të LSI-së, që nga bërja zero e taksës doganore për lëndët e para për industrinë fason, që nga bërja zero e taksave për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, që nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e kështu me radhë. 

Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje akoma më të madhe sepse është një mundësi e shpejtë për të hapur më shumë vende pune, pikërisht tani kur problemet sociale janë të mprehta për shkak edhe të krizës evropiane që na rrethon”, vijoi ai. 

“Për turizmin, LSI do të ulë në 10% TVSH-në për zhvillimet turistike, në mënyrë që ne të konkurrojmë në këtë drejtim edhe me vendet e tjera të rajonit. 

Vetëm pasi artikuloi LSI-ja këtë angazhim u kujtua para pak ditësh kryeministri aktual për të thënë në një mbledhje qeverie se do të shikojë edhe këtë çështje, pa pasur asnjë qartësi dhe vizion. 

Ne duam që turizmi të kthehet në një burim i rëndësishëm mirëqenieje për të gjithë komunitetin tuaj dhe këtu një rëndësi prioritare merr mbështetja e prodhimeve artizanale, të cilat janë aq të rëndësishme për të nxjerrë në pah vlerat e traditës por edhe për të kënaqur interesin e turistëve dhe vizitorëve të shumtë. 

Për këtë ne do të mbështesim me grante, do të mbështesim me kredi me interesa të buta dhe afatgjata dhe do të bëjmë gjithçka që kjo traditë të forcohet dhe të jetë një burim punësimi dhe vetëpunësimi për shumë e shumë familje krutane”, tha ai.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.