Krimet e Rënda fillojnë hetim për 40 persona, mbollën dhe tregtuan kanabis

Postuar në 22 Shtator, 2013 06:13

Guardia di Finanza dorëzon 1000 faqe materiale. Hetimet, që nga kreu i komunës

Dosja - Policia e Shtetit dhe Guardia Di Finanza kanë gati një dosje voluminoze prej më shumë se 1000 faqesh mbi prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike
Arrestimet - Për këtë pritet të prangosen mbi 40 persona të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Të dyshuar janë që nga kreu i kësaj komune, e deri te persona të cilët bëjnë transportin e lëndës
Sokol Çobo

Zyrtarët aktualë të Policisë së Shtetit kanë ngritur prej kohësh “duart” për situatën në fshatin-komunë të Lazaratit, ndërsa nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar kanabisin e mbjellë, i cili sivjet është kultivuar në masë të gjerë. Zbulimi është bërë nga Guardia Di Finanza Italiane, gjatë një projekti të përbashkët me Policinë Shqiptare, e cila zbuloi se xhiroja vjetore e drogës “made in Lazarati” është rreth 4.5 miliardë euro, ku specialistët llogaritën të gjithë zinxhirin e tregtimit, nga shitja me shumicë e deri te shpërndarja në rrugët e vendeve perëndimore. Megjithëse policia u angazhua se do të ndërhynte në këtë fshat, madje edhe gjatë një prononcimi zyrtar për “Shqip”, situata vazhdon të jetë e njëjtë, ku për disa ditë, apo javë, bima do të korret dhe të mbjellat do të futen në hambarë. Megjithatë, drejtësia shqiptare ka filluar të lëvizë dhe më shumë po mendon për të mbjellat e vitit të ardhshëm sesa për të mbjellat e sivjetshme, ku askush nuk merr guximin për të ndërhyrë në këtë zonë, e cila njihet si mjaft problematike, pasi shpeshherë banorët-kultivues qëllojnë me armë zjarri cilindo që u prek arat, apo u cenon gjithçka që lidhet me kanabisin.

Dosja “Lazarati”

Pas konstatimit të italianëve, situata në Lazarat vazhdon të jetë e njëjtë, me gjithë “pickimet” e vogla të policisë ndaj kultivuesve, që u kanë ndaluar për disa ditë ujin. Të vetmit që lëvizën kanë qenë sërish italianët, që janë tepër të shqetësuar për tonelatat e kanabisit që eksportohen në këtë vend, për të përfunduar më pas në rrugët e qyteteve të mëdha. Guardia Di Finanza mësohet se ka dorëzuar një material voluminoz në Policinë e Shtetit për dhjetëra banorë-kultivues të Lazaratit, që mund të akuzohen për mbjellje, tregtim dhe krijim të organizatave kriminale. Mësohet se nën akuzë janë të paktën 40 persona, ndërsa nga vëzhgimet satelitore rezulton se të gjithë banorët mund të akuzohen për mbjellje. Pas verifikimeve të para, dosja voluminoze prej 1000 faqesh i është dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila mund të dokumentojë vetëm përgjegjësitë ligjore të të akuzuarve dhe jo të ndërhyjë në këtë fshat. “Dhjetëra persona pritet të vihen nën akuzë për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Të dyshuar janë që nga kreu i kësaj komune e deri te persona të cilët bëjnë transportin e lëndës”, pohojnë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, do të analizohet gjithçka në dosjen italiane dhe më pas do të ndërhyhet për arrestimin e tyre, ndërsa deri më tani nuk ka pasur ndonjë operacion për arrestimin e të kërkuarve në fshatin Lazarat.

Analiza në prokurori

Disa ditë më parë, në Prokurorinë e Përgjithshme u organizua një takim mes krerëve të lartë të policisë shqiptare, asaj italiane dhe disa prokurorëve dhe hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mësohet se në takim u pasqyruan të gjitha provat e mbledhura për dosjen “Lazarati”, midis të cilave edhe regjistrimet filmike të marrë nga avionët si dhe dhjetëra biseda telefonike të të dyshuarve kryesorë. Mësohet se nga provat është arritur të zbardhet edhe trafikimi i kësaj lënde narkotike drejt Italisë dhe Greqisë.
Ndërkohë, burime nga akuza qendrore thanë se një grup hetimor është ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku janë përzgjedhur hetuesit më të mirë për këtë çështje. Hetimet do të kryesohen nga drejtuesit i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ndërsa mësohet se akuza do të veprojë me urdhra gjykate për masat shtrënguese ndaj të dyshuarve. Tashmë, rezultatet priten të jenë në terren, pasi provat ekzistojnë dhe pala shqiptare fare mirë mund të dokumentonte vetë situatën në Lazarat. Mjafton që të kishte disa aparate të mirë fotografikë, apo të ishte më vigjilente ndaj programeve në internet, ku mjafton një vëzhgim i thjeshtë i “googlemaps” për të evidentuar se tokat e Lazaratit janë të gjitha të mbjella.

Vëzhgimi

Banorët-kultivues kanë përdorur teknologji të avancuar, puse dhe depozita uji në çdo parcelë. Pamjet e “googlemaps” të vitit 2013

Mali dhe përroi lulëzojnë, vetëm komuna e shkolla djerrë

Fshati - Në disa vende, pranë rrugës që të çon në qendër të fshatit, banorët kanë ngritur edhe mure rrethuese të larta
Një pjesë e mirë e territorit të komunës-fshat të Lazaratit është i mbjellë me kanabis. Sipas një vëzhgimi në “googlemaps”, duke kërkuar për fshatin Lazarat, aq shumë të debatuar kohët e fundit edhe në mediat botërore, pas publikimit të raportit nga policia italiane se në këtë fshat janë mbjellë 300 hektarë kanabis, shikohet se ai është totalisht jeshil, shumë i lulëzuar, megjithëse është një shpat mali. Fshat është “pararojë” e bujqësisë, pasi është shumë i gjelbër, ndërsa lagjet e tjera, buzë rrugës automobilistike, apo edhe afër qytetit të Gjirokastrës, duken në ngjyrë gri, si shkretëtirë, megjithëse janë fusha. Me një vëzhgim të thjeshtë duken parcela të tëra jeshile, që me shumë gjasa janë të mbjella me kanabis. Madje, duken edhe rreshtat e mbjelljes, ndërsa në disa vende bima duket e vogël. Ajo që vihet re është se edhe në qendër të fshatit është mbjellë kanabis, ndërsa pothuajse të gjitha shtëpitë kanë të mbjella. Identifikimi i kultivuesve, madje edhe me këto pamje, duket se nuk është i vështirë për policinë shqiptare. Kohë më parë, ALUIZNI ka bërë fotografimin e të gjithë territorit shqiptar, jo për kanabis, por për të identifikuar ndërtimet. Të dhënat janë hedhur në një sistem, i cili mund të verifikohet edhe nga policia. Janë identifikuar pronarët e banesave dhe gjithçka tjetër. Në bazë të këtyre të dhënave, policia mund të bëjë identifikimin e kultivuesve. Sërish, asnjë veprim dhe është dashur ndërhyrja e italianëve për të zbuluar mbjelljen masive. Madje, komandanti i Guardia di Finanza tha tekstualisht se “sivjet të mbjellat janë shumë të mëdha”. Dhe, kur kanë kaluar javë nga ajo deklaratë, sërish policia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Fshati duket rrafsh i mbjellë me kanabis. Pothuajse të gjitha shtëpitë, apo tokat që kanë pranë janë të mbjella. Në disa vende bima duket shumë e zhvilluar, ndoshta ka qenë e mbjellë më parë, ndërsa në disa vende të tjera, pak më e vogël. Por mund të ndryshojë edhe nga fara. Ajo që vihet re është se është mbjellë kudo, para, pas shtëpisë, në oborr.
Lazaratasit kanë dalë kundër natyrës, duke gjelbëruar edhe malin. Në disa vende, shihet qartë se është mbjellë edhe në male, në toka që duket se nuk kanë qenë asnjëherë të mbjella. Ata kanë hapur gropa dhe i kanë mbushur me dhe. Më pas i kanë plehëruar dhe kanë ngritur edhe sistem vaditjeje. Gjithçka e përsosur për të kultivuar kanabisin, i cili ka të ardhura të mjaftueshme për të bërë të gjitha këto shpenzime.
Në “googlemaps” shikohet se lazaratasit kanë shfrytëzuar në maksimum një përrua që kalon në këtë fshat. Në muajt e verës, përroi thahet dhe ai shfrytëzohet si tokë ku mbillet kanabis me shumicë. Përroi ka një burim shumë lart në mal dhe e gjithë “lugina” e tij është e mbjellë. Në tokën zallishte të përroit janë bërë gropa dhe, duke e mbushur me dhe e plehëruar, është mbjellë bima e kanabisit.
Të pakta janë vendet ku nuk është mbjellë kanabis në këtë fshat. Ndër to llogaritet godina e komunës, që është afër qendrës së fshatit dhe shkolla. Ndërkohë, shtëpitë që nuk kanë mbjellë kanabis në këtë fshat, numërohen me gishtat e njërës dorë. Ka shumë pak, për të mos thënë aspak. Banorët e këtij fshati kanë prerë edhe pemët, apo kanë shpyllëzuar edhe zona të veçanta me dushqe.
Në disa vende, pranë rrugës që të çon në qendër të fshatit, banorët kanë ngritur edhe mure rrethuese të larta, por që nga fotografitë nga ajri, duket qartë se oborret e banesave, janë të gjitha të mbjella me kanabis. Nga fotografimi nga ajri i fshatit Lazarat duken edhe puset e bëra së fundmi nga banorët, në gati çdo parcelë. Janë ngritur buzë përroit, por ka edhe në mes të fshatit. Ndërkohë, banorët kanë bërë edhe depozita uji të mëdha në kodër, ndoshta duke shtrirë plastmasë në tokë, të cilat janë mbushur me reshjet e shiut. Ndërkohë, varrezat e fshatit, janë rrethuar me mbjellje kanabis. Toka në rrethinat e kësaj zone duket se është e mbjellë me bimën e eksportit.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.