Kreu i ri i PD, Kryesia miraton sot kandidaturat

Postuar në 04 Korrik, 2013 04:50

Basha e Olldashi, kandidatët potencialë që do mbështeten në Kryesi. Biberajt i refuzohet kandidimi, nuk ka teserë të PD-së

Kryesia e Partisë Demokratike pritet të mblidhet sot pasdite për të miratuar kandidaturat, të cilat do të futen në garë për të zgjedhur pasardhësin e Sali Berishës. Pas gjashtë ditësh nga mbledhja e fundit e këtij organi, ku nisi zyrtarisht edhe procedura për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, dy emrat më të spikatur janë ato të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe ministrit në detyrë të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi. Ende i paqartë mbetet pozicioni i Eduard Selamit, i cili nuk ka deklaruar nëse do t’i bashkohet garës. 

Dy ditë më parë Berisha tha përmes një deklarate në Facebook, se Kryesia e PD-së do të miratojë kandidatët që do të mbështesë ajo publikisht, ndërkohë që në garë mund të jenë edhe kandidatë, të cilët nuk kanë miratimin e saj. Në mbledhjen e sotme pritet të diskutohet gjithashtu për periudhën që do t’u lihet në dispozicion kandidatëve për të bërë fushatë, datën e zgjedhjeve si dhe aspektet teknike të kësaj gare, si numrin e qendrave të votimit, vendet ku numërohen votat dhe përbërjen e komisioneve. 

EMRAT E TJERË 

Në selinë blu janë paraqitur dje disa kandidatë të tjerë, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për t’u bërë pjesë e garës për kryetarin e Partisë Demokratike. Pas thirrjes së Kryeministrit Sali Berisha, i pari që ka shkuar në selinë blu ka qenë ish-deputeti i kësaj partie, Aleksandër Biberaj. Ai është drejtuar në zyrën në të majtë të katit të parë, ku është i akomoduar sektori i organizimit, dhe ka kërkuar që të depozitojë dokumentet. 

Por, nga administrata e PD-së i është komunikuar fakti se Biberaj nuk e ka teserën e kësaj partie, për shkak se disa muaj më parë është bërë pjesë e Frymës së Re Demokratike. Pavarësisht insistimit të ish-deputetit se ai nuk e ka tërhequr teserën e PD-së, zyra e organizimit të kësaj partie nuk e ka ndryshuar vendimin për të mos e pranuar kandidimin. Gjatë ditës së djeshme janë paraqitur për të kandiduar edhe Bujar Nallbani dhe Fatmir Merkoçi. Por, nga selia blu konfirmohet se deri në mbrëmje ata janë interesuar vetëm për të tërhequr formularin e kandidimit. 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.