"Kreu i PD", Berisha: Zgjedhja, përmes parimit një anëtar, një votë

I sapodorëhequr nga funksionet e tij në Partinë Demokratike, Sali Berisha shpalli të hapur garën për kreun e ri të PD-së, ndërsa theksoi se përzgjedhja e lidershipit të ri do të bëhet përmes parimit një anëtar, një votë.
Berisha ftoi që brenda një jave të paraqiten kandidatët ose kandidatet për këtë post dhe më pas do të nisin procedurat për zgjedhjen përmes anëtarësisë.
Po ashtu, lidershipi i ri do të ketë për detyrë të zgjedhë kryesinë e re, ndaj sipas Berishës, nuk ishte e nevojshme që kryesia aktuale të jepte dorëheqjen.
"Partia Demokratike ka forcat, ka projektin, ka përkushtimin që nuk e ka patur kurrë si sot. Humbja duhet analizuar nga lidershipi i ri dhe PD-ja duhet të përgatitet për betejen e radhës, që është ajo e zgjedhjeve lokale", tha Berisha.
Berisha, ndër të tjera theksoi se lidershipi i ri ka fatin që mos ketë historinë mbi shpinë, por trashëgiminë e saj dhe të ketë vizionin për të ardhmen e kësaj force politike.
Top Channel
Add new comment