Kreditë e bankave, BSH: Mungon transparenca publike

Bankat shpesh herë nuk janë transparente me publikun për kushtet e kredimit. Qytetarët apo bizneset që marrin kredi në banka, ndodh të firmosin një kontratë kredie, pa u njohur mirë me llogaritjen e saktë të interesit si dhe ndryshimet që mund t'i bëhen kontratës. Ky fakt është pohuar nga Banka e Shqipërisë në raportin vjetor të saj për vitin 2011, mbi ekzaminimin e kredive dhe regjistrit të tyre. Nga ekzaminimet që ka bërë Banka e Shqipërisë në 26 subjekte fianciare, banka dhe jobanka, ka konstatuar disa mangësi në drejtim të praktikave të administrimit të rrezikut të kredisë, të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha, të rrezikut të likuiditetit, transparencës me klientin etj. Por bankat dhe institcionet e tjera financiare duket se nuk kanë qenë shumë trasparente edhe me detyrimin që kanë ndaj Bankës së Shqipërisë për të raportuar gjithçka rreth procesit të kreditimit, i cili pasqyrohet në regjistrin e kredive. Sipas këtij raporti janë gjetur mangësi në rregulloren mbi tranparencën me publikun, lidhur me raportimin pranë Bankës së Shqipërisë dhe publikimin në ambientet e bankës të normës efektive të interesit dhe saktësisë së llogaritjes së saj, si dhe ndryshimin e kushteve të kontratave dhe/ose të ofrimit të produkteve dhe shërbimeve. Shqetësues për sistemin bankar mbetet niveli i kredive të këqija, i cili për vitin 2011 ishte 18.8 për qind. Në shkurt kreditë me probleme arritën në 19.1 për qind. Por sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, sitemi bankar shqiptar mbetet likujd dhe nga stres testet e bëra nga banka qendrore, bankat shqiptare mund të përballojnë edhe një rritje të nivlet të kredive deri në 50 për qind të totalit të kredive. Albanian Screen
Add new comment