KQZ të rikonstruktohet, të jetë e pavarur

Postuar në 24 Prill, 2013 02:57

 

Aleksandër Arvizu/Ambasadori i SHBA

-KQZ dhe presidenti nuk janë të  pavarur. Ky është vlerësimi  i Ambasadorit Amerikan në  Tiranë, Aleksandër Arvizu, në  “5 pyetje nga Babaramo”, nën  drejtimin e drejtorit të Tv A1REPORT!  Ilir Babaramo. Ai ka folur edhe për 21  janarin, për raportet me Berishën dhe  rolin e Podestës në SHBA.  

Do doja ta nisim bisedën nga raporti  i DASH për gjendjen e të drejtave të  njeriut në Shqipëri. Shqipëria ka bërë  hapa para apo hapa pas?  

Raporti është i gjerë dhe përfshin  shumë fusha. Kështu është që është e  vështirë të bësh një të përgjithshme.  Duket se reformat këtu në vend kanë  mbetur në vend paksa. Korrupsioni,  kultura e pandëshkueshmërisë. Kështu që  s'ka pasur shumë progres në zgjidhjen e  këtyre problemeve thelbësore. Për një mik  të Shqipërisë është shqetësuese të shohë. 

Një proverb popullor thotë se uji  nga lart rrjedh I kulluar dhe ndotet  poshtë. Cilat janë zyrtarët më të  korruptuar? 

Raporti është në formë të tillë që  përmbahet nga veçimi i individëve,  padyshim që disa persona janë më  përgjegjës. Mendoj se është e drejtë të  thuhet se problemet e korrupsionit dhe  kultura e pandëshkueshmërisë janë vërtet  shumë të rrënjosura. Për çdo qeveri që vjen  në pushtet, ajo ka përgjegjësinë të hartojë  politika dhe është e drejtë të caktohen  disa përgjegjësi, jo vetëm qeverisë. 

Kryeministri Berisha, a ka treguar,  vullnet për të luftuar këtë fenomen?  Dy muaj para mbylljes së mandatit, a  ka treguar kjo qeveri se ka dështuar  në luftën kundër korrupsionit?

Nuk kam qenë në fushatën e mëparshme,  e di se disa hapa janë ndërmarrë.  

Korrupsioni i gjykatësve, a ka një  mbështetje politike?  

Në bazë të përvojës sime mendoj se  gjyqësori është mjaft i politizuar dhe  merren vendime që s’kanë lidhje fare me  drejtësinë. Shumë gjykatës janë njerëz  të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë  shumë inteligjentë, këto janë persona që  do jenë gjykatës të rinj. E di që ata po hyjnë  në një sistem shumë të vështirë. Ne kemi  pasur disa gjyqtarë amerikanë që kanë  ardhur këtu për t’i ndihmuar dhe e kam  thënë këtë në shkollën e magjistraturës  se nuk ka rëndësi nëse je senator apo  shtëpiake, apo shofer kamioni, nuk mund  t’i afrosh një zarf gjykatësit. Unë u kam  thënë të rinjve që ju keni bërë një zgjedhje  të ndiqni këtë fushë. 

Ka pasur disa qëndrime politike nga  gjykatësit, si për gjyqin e 21 janarit.  U befasuam nga gjykatës që bënë  deklaratë kundër ambasadorit të  SHBA-së? Ju si e pritët atë deklaratë? 

Jam habitur nga shumë gjëra atë ditë  përfshirë edhe faqen e FB të ministres  së Integrimit, që kishte disa komente  në të. Unë mund ta kuptoj se pse ata  kanë qenë të pakënaqur prej meje. Ajo  nuk ishte deklaratë personale, por e  koordinuar nga Uashingtoni dhe nga  erdhën rezultatet e laboratorit që është  më i miri në botë. Kështu që u përket  gjykatave ta ndjekin atë çështje dhe jam  i kënaqur që Prokurori vendosi ta aplikojë  atë çështje. Ne na u kërkua asistencë.  Ne nuk u vullnetarizuam, por zyra e  Kryeprokurorit na e kërkoi dhe mendova që ishte pak e çuditshme që disa njerëz  të thonin se SHBA po ndërhynin në  çështjet e brendshme të gjykatave. Ku  ishte ndërhyrja jonë?! Ne i qëndrojmë  asaj që ne kemi thënë atë ditë.  

Në raport flitet se institucionet  janë thellësisht partiake? Cilat  institucione? 

Shqipëria është një demokraci e re dhe  mendoj se disa gjëra që ne amerikanët i  marrim si të mirëqena janë institucionet  e pavarura. Psh,. KQZ është diçka që  vjen ndërmend, institucioni i presidentit,  çështja e shërbimit informativ dhe  organet e vetëqeverisjes. Kjo pasqyron  një problem strukturor. Njerëzit këtu  flasin edhe për shërbim civil, pas largimit  të LSI-së njerëzit humbën vendet e punës  dhe ne në Amerikë e kemi vështirë ta  kuptojmë këtë. Këtu, numra të mëdhenj,  njerëz përfshirë shoferë e pastrues, kanë  humbur vende pune. Ndërsa Shqipëria  vazhdon evolucionin demokratik duhet  të largohet nga ky model. Unë mendoj  se është e natyrshme, nëse do flasim për  shërbimin informativ, i shërben shtetit  duke mbajtur larg njerëzit që donin ta  dëmtonin shtetin. Kur presidenti Topi  dihet që ka pasur disa persona në opozitë  që janë kënaqur ose pakënaqur që e  kanë parë këtë. Unë do isha trishtuar  nga kjo gjë që ka fërkim në këtë nivel,  se duhet të punojnë bashkë për interesin  e përbashkët dhe këtu flasim për  pavarësinë e institucioneve. Kryeministri  e ka të vështirë po aq sa presidenti.  Pavarësia e këtyre institucioneve, ajo  që do nënvizoja, është ajo e KQZ-së, po  raporti i të drejtave të njeriut ka qenë  për vitin 2012 dhe një pjesë ka qenë  referendumi për mbeturinat.  

Ju e uruat Presidentin Nishani.  Kur ju kanë lindur këto shqetësime,  para apo pas ushtrimit të detyrës si  President?

Nuk dua ta ekzagjeroj shqetësimin. E  njihja presidentin Nishani kur ka qenë  ministër dhe është vërtet njeri i nderuar  dhe i intereson ky vend. Njerëzit duhet  të pranojnë përgjegjësitë. Është një  fakt i jetës shqiptare që pavarësia e  institucioneve nuk është aq thellë e  rrënjosur sa duhet të jetë. Sistemi në  tërësi nuk operon sa duhet. 

A vazhdon të jetë Presidenti Nishani  nën influencën e Kryeministrit apo ka  krijuar profilin mbi palët? 

Është e vështirë për mua ta them. Duhet  të ketë një marrëdhënie bashkëpunuese  ndërmjet tyre, por ka raste kur Presidenti  duhet ta ushtrojë edhe veçmas detyrën  e tij. Më vjen keq që nuk po i përgjigjem  aq direkt pyetjes suaj.  

Në Shqipëri ka një shprehje që  kur dikujt nuk do t’i vesh në dukje  vërejtjet, i thua “është burrë i mirë”? 

Presidenti Nishani është në pozicion  të vështirë.  

Si harton DASH një raport vjetor  mbi një vend: në gjykimin subjektiv të  ambasadorit apo burimeve të tjera?  Çfarë burimesh përdoren? 

Sikurse e përmenda më herët është një  raport i mandatuar nga Kongresi. Është  shumë teknik dhe përpiqemi të jemi aq  teknik sa mundemi të jemi.  

 ‘Podesta group’ financohet nga  qeveria shqiptare. A ju kanë kërkuar  ndonjëherë të modifikoni, qëndrimet  tuaja? Ata e përmbysen realitetin në  deklaratën e z. Moor? A keni pika  kontakte, fërkime me ta për të thënë  të vërtetën? 

Z. Podesta unë kam pasur rast ta njoh  dhe jemi bërë miq të mirë, kemi pasur  biseda të hapura dhe me persona që  punojnë për llogari të tyre. Në rast se  do të lexoni njoftimet e tyre do shihni se  ne përfaqësojmë qeverinë e SHBA-së dhe  ata qeverinë e Shqipërisë. Ne dëgjojmë  njeri-tjetrin dhe ndjekim rrugët tona, një  bashkëjetesë paqësore.  

A e keni përcjellë në DASH  shqetësimin se fondet publike të  taksapaguesve shqiptare përdoren  për të mbështetur një linjë partiake?

Kur ne i dërgojmë DASH një përmbledhje  të artikujve kryesorë kemi një ekip. Ne  zgjedhim disa prej editorialeve kryesore  që i përkthejmë. Kur ka qenë lajm i parë, kjo është pasqyruar.  

Doja t’ju pyesja për një shkrim të  “The economist” që e konsideron Shqipërinë regjim hibrid. A është e vërtetë? 

Kjo është analiza që është fakt që ka  dalë jo shumë larg. Nuk e kam lexuar. Në  gjuhën angleze, The Economist është më i miri, revistë me cilësi të shkëlqyer. Nuk  jam në pozitën që të komentoj për të.  

Cilat kanë qenë këshillat që i keni bërë Kryeministrit Berisha gjatë dy  vjetëve të fundit dhe me cilat s’ka qenë dakord?

Nuk jam për këtë. Njeriu që është në  qendër të qeverisë, ka shumë energji dhe  sa herë kam dashur ta takoj, s’ka pasur asnjë vonesë.  

Po këtë herë, nuk ju dëgjoi, si në rastin e KQZ-së?

 Siç e thashë, miqtë dhe partnerët do kenë rast kur do bien ose mos bien  dakord. Por, numri i padakordësive  nuk krahasohet me ato që ka bërë, si  në rastin e Afganistanit, të një sërë  rastesh ekstradimi, për Kosovën, që është  përparësi kombëtare…Por pavarësisht prej shumë problemeve, përparimi duhet të vazhdojë. Është keqkarakterizim të  sugjerosh që ne nuk merremi vesh. Ka padakordësi, por kjo s`na largon nga  gjërat e rëndësishme.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.