KQZ: Ndjekje penale komisionerëve të Lezhës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dërgojë në Prokurori për ndjekje penale komisionerët e PD-së, PSsë, LSI-së dhe PR-së të KZAZ-së Nr. 13, në qarkun e Lezhës. Gjithashtu, KQZ po përgatit dhe dosjen për të kallëzuar penalisht dhe anëtarët e 10-të grupeve të numërimit në Lezhë, tabelat e të cilëve rezultuan se ishin të falsifikuara në favor të Partisë Socialiste.
KQZ bëri me dije se nga hapja e kutive arriti të realizojë krijimin e transparencës së nevojshme dhe t’u kthejë besueshmërinë në procesin e numërimit të votave. Por, nga ana tjetër, siguroi se manipulatorët e zgjedhjeve do të marrin ndëshkimin e merituar. Komisionerët që janë përfshirë në falsifikimin e rezultatit, sipas Kodit Penal rrezikojnë të dënohen nga pesë deri në shtatë vite burgim. “Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZsë do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për çdo komisioner që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!”, u shpreh zëdhënësja e KQZ.
TABELAT
KZAZ-ja Nr.13, e kryesuar nga kryetarja Alketa Hoxha, e emëruar nga PS dhe nga sekretari i PD-së, Aleksandër Gjonmarkaj, kanë dorëzuar në KQZ tabelat e rezultateve të Lezhës. Por administrata ka zbuluar se 10 tabela ishin të fotokopjuara dhe jo origjinale, gjithashtu në to vihej re me sy të lirë se ishin fshirë rezultatet me korrektor në favor të disa subjekteve në dëm të disa të tjerave. Nga 10 tabelat rezulton se nga fotokopjimi dhe nga zhdukja e origjinaleve, disa emra të numëruesve nuk figurojnë në to dhe disa emra të tjerë janë shkruar në mënyrë të palexueshme.
KQZ thelloi një javë më parë hetimin administrativ, duke hapur fillimisht 10 kutitë e dyshuara nga PD si të manipuluara nga KZAZ-ja Nr.13, por nga hapja e kutive rezultoi se manipulimi kishte ndodhur edhe nga numëruesit. “Panorama” ka verifikuar 10 tabelat e falsifikuara, ku në fund janë shënuar emrat e numëruesve, por në pjesën më të madhe nga shkrimi me dorë emrat janë të padeshifrueshëm dhe, në disa tabela të tjera, emrat dhe firmat mungojnë.
PANORAMA
Add new comment