KQZ miraton vetëm tabelat, mandatet i ndan Kolegji Zgjedhor

Postuar në 04 Korrik, 2013 04:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur dje fazën finalizuese të zgjedhjeve, atë të miratimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo qark. Pavarësisht se në shkelje të Kodit, i cili i jepte këtij institucioni 48 orë kohë nga depozitimi i tabelave për çdo ZAZ të një qarku, Komisioni ka miratuar dje me 4 vota pro tabelat përmbledhëse të 5 qarqeve të para. Më konkretisht ka miratuar tabelat e qarkut Berat, Vlorë, Dibër, Korçë dhe Kukës. Shifrat e miratuara dje nuk sollën ndonjë ndryshim mandatesh nga ato që ishin përllogaritur paraprakisht, përveç Kukësit, në të cilin konfirmohet tashmë zyrtarisht raporti 3 me 1 i mandateve në favor të koalicionit të djathtë. Duhet theksuar se në këtë qark rezultati mund të barazohej nëse koalicioni i majtë do të kishte marrë vetëm 13 vota më shumë. Gjithsesi duhet theksuar se në rastin e qarkut Kukës, të majtët patën pretendime se shifrat që ata kishin siguruar nga komisionerët e tyre nuk korrespondonin me tabelat e paraqitura në mënyrë zyrtare në KQZ, çka sipas tyre mund të sillte ndryshim rezultati. Por seanca e djeshme tregoi se të majtët kanë hequr dorë nga pretendimet e tyre, pasi gjatë miratimit të tabelës përmbledhëse për këtë qark nuk ngritën asnjë shqetësim, qoftë për të lënë gjurmë në procesverbal, çka mund t’i shërbente procesit të ankimimit të mëtejshëm nëse do ketë. Gjithsesi, burime nga dy forcat kryesore të së majtës, PS dhe LSI, nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe të një ankimimi për këtë qark. Ndërkohë që sa i përket qarqeve të tjera, tabelat e miratuara dje vlejnë vetëm si statistikë zyrtare. Kështu, në qarkun e Beratit vihet re spostimi i PD-së si forcë e tretë në këtë zonë, pas PS-së dhe LSI-së. Në këtë qark PD ka marrë afro 2 mijë vota më pak se edhe LSI. Për rrjedhojë, mandatet në këtë zonë ndahen 6 PS, 2 LSI dhe 2 PD. KQZ miratoi edhe tabelën përmbledhëse të rezultateve të qarkut Vlorë, i cili ka prodhuar de fakto një shpërndarje më të madhe se në çdo qark tjetër të mandateve në disa forca politike. Kështu në këtë qark janë plot 5 parti që përfitojnë mandate, PS 6, PD 3, LSI, PBDNJ dhe PDIU nga 1 mandat. Ndërkohë që sot KQZ pritet të miratojë edhe tabelat përmbledhëse të 4 qarqeve të tjera dhe për ta mbyllur ditën e premte me 3 qarqet e fundit. Me interes për forcat politike priten tabelat përmbledhëse të qarqeve Lezhë dhe Shkodër, për të cilat PD dhe PR kanë shprehur paraprakisht pretendime mbi saktësinë e rezultatit të sjellë në KQZ nga KZAZ-të. Gjithsesi, KQZ ka mundur të bëjë vetëm miratimin e tabelave të rezultateve, por jo ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore. Kjo për shkak të mungesës së numrave që kërkon Kodi për miratimin e vendimeve për ndarjen e mandateve. Gjithsesi, në bazë të Kodit, KQZ duhet që në mënyrë formale të thërrasë mbledhjen për këtë çështje dhe të bëjë verifikimin e mungesës së kuorumit që kërkon ligji për nisjen e mbledhjes për ndarjen e mandateve. Më pas do të jenë vetë subjektet e interesuara ato që në cenim të së drejtës së tyre për marrjen e këtij vendimi në afate nga KQZ t’i kërkojnë Kolegjit Zgjedhor të marrë në shqyrtim çështjet e ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore në bazë të dokumentacionit të paraqitur nga KQZ. Një ngërç tjetër për shkak të mungesës së numrave paraqitet edhe sa i përket ankimimeve që bëjnë subjektet zgjedhore për çështje të ndryshme. KQZ mund të nisë procedurën e pranimit formal të ankesës, por nuk mund ta shqyrtojë atë në përmbajtjen e vet, pasi vendimi për të kaluar në këtë fazë kërkon 5 vota. Këtu përfshihen vendimet për pranimin e kërkesave ankimore, apo edhe vendimet për hapjen e kutisë së votimit.

 

 

 

Tabelë

 

Qarku Dibër

 

PS                                             2 mandate

LSI                                          1 mandat

 

PD                                           3 mandate

 

 

Qarku Berat

 

PS                                 4 mandate

LSI                              2 mandate

PD                               2 mandate

 

 

Qarku Kukës

 

 

PS                                 1 mandat

PD                                3 mandate

 

 

Qarku Vlorë

 

PS                                 6 mandate

LSI                               1 mandat

PBDNJ                         1 mandat

PD                                3 mandate

PDIU                           1 mandat

 

Qarku Korçë

PS                                 6 mandate

LSI                              1 mandat

PD                                5 mandate

 

 

 

KLSH kontroll KQZ-së për shpërdorim fondesh për projektet elektronike

 

KQZ pritet t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit sa i përket shpenzimeve për dy projektet pilot të zbatimit të teknologjisë në zgjedhje. Burime pranë KLSH-së bëjnë me dije se shpenzimet prej 4 milionë eurosh që mori kompania spanjolle për realizimin e projektit të numërimit elektronik të votave në qarkun e Fierit dhe projektit për verifikimin elektronik të zgjedhësve në qarkun e Tiranës, pritet të kalojnë në ‘sitën’ e auditit në ditët e para të javës së ardhshme. Natyrisht, auditët e KLSH-së do të shqyrtojnë rregullsinë e kontratës së arritur, kushtet e përfshira në të dhe në fund do të nxjerrin dëmin nëse konstatohet diçka e tillë. Ky është njëri nga kontrollet që po zhvillojnë institucionet shtetërore për këtë çështje, pasi nga ana tjetër është vënë në lëvizje dhe Prokuroria për të hetuar edhe penalisht anëtarët e KQZ-së, si dhe zyrtarët e tjerë që u morën me lidhjen e këtyre kontratave dhe zbatimin e tyre pas padisë së bërë nga PS. Partia Socialiste dorëzoi gati dy javë më parë në Prokurorinë e Tiranës padi penale për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për dëm ekonomik në lidhje me dështimin e projektit për sistemin elektronik të verifikimit të kartave të identitetit në qarkun e Tiranës. Sipas socialistëve, dëmi ekonomik i shkaktuar është në vlerën 2 milionë dollarë. “I bëjmë thirrje prokurorisë të ndjekë me objektivitet dhe paanësi jo vetëm për shpërdorimin e detyrës nga katër anëtarët e KQZ-së, si dhe administrata partiake në shërbim në KQZ, por edhe për vepra të tjera potenciale siç mund të jenë aferat korruptive që kanë të bëjnë me fshehjen apo korrupsionin e zyrtarëve publikë apo dhe shtetasve të tjerë, qofshin persona fizikë dhe juridikë. Saktësojmë se dëmi ekonomik është pothuajse 2 milionë dollarë në këtë fazë”, – do të shprehej nënsekretari socialist për çështjet zgjedhore, Koli Bele, gjatë dorëzimit të padisë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.