KQZ gjobit me 100 milionë lekë PS dhe PD-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë pasditen e sotme në shqyrtim listat e kandidatëve për deputetë të dorëzuar nga partitë politike shqiptare. Pas verifikimeve për përmbushjen e kuotave gjinore sipas ligjit, KQZ konstatoi se asnjëra prej dy partive më të mëdha në vend, nuk ka plotësuar kuotat për femrat. Sipas KQZ, kjo kundravajtje administrative ndëshkohet me gjobë, 10 milionë lekë të vjetra për çdo qark ku ka shkelje. Kështu, Partia Demokratike është gjobitur me 40 milionë lekë të vjetra, pasi nuk ka vendosur një kandidate femër në çdo tre kandidatë, ndërsa Partia Socialiste e ka kryer shkeljen në fjalë në 6 qarqe dhe është gjobitur me 60 milionë lekë.
Përkatësia gjinore e listave është një nga kërkesat kryesore të kodit zgjedhor i cili kërkon që në listat e partive politike kandidatët për deputetë të jenë të paktën 30% femra.
Pritet miratimi i listave të PS-së dhe PD-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon shqyrtimin e listave shumëemërore të kandidatëve të partive politike të regjistruara në KQZ për zgjedhjet e 23 qershorit.
Akti që është marrë në shqyrtim, parashikon miratimin e listave të 12 partive, mes tyre dhe të dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Një ditë më parë KQZ miratoi listat e 13 partive politike, ndërsa vendosi të kthejë për plotësim dokumentacioni listat e 5 prej tyre.
SHEKULLI
Add new comment