KQZ, fiasko 2.9 milionë euro, dështon teknologjia

Epilogu
Drejt dështimit projekti i dytë për Tiranën, partitë kërkojnë siguri maksimale
Teknologjia
Makineria nuk arrin të eliminojë votimin më shumë se një herë nga një person
Kontrolli i kartave të identitetit, kompania spanjolle fajëson KQZ-në
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të dështojë dhe në projektin e dytë të teknologjisë, atë të identifikimit elektronik të votuesve të Qarkut të Tiranës, që ka numrin më të madh të zgjedhësve në rang vendi. Në hollin e Pallatit të Kongreseve u provua testi i një procesi, ku që në fillim nxori problemet jo të vogla nga ana e ekspertëve shqiptarë të kontraktuar nga dy partitë, PS dhe PD. Nga 44 persona që paraqitën kartën e tyre të identifikimit, rezultoi që 5 personave nuk u njihej nga makineria elektronike e identifikimit. Pra rezulton se 10 për qind e votuesve mund të rezultojnë të mos identifikohen nga aparaturat elektronike. Pavarësisht kësaj, KQZ-ja theksoi se njerëzit mund të votonin manualisht, me një regjistër të posaçëm. Ndërsa problemi tjetër ishte që në çdo Qendër Votimi një zgjedhës mund të votojë deri në 5 herë dhe vetëm pas 48 orësh mund të identifikohet një shkelje e tillë. Pra, rreziku i votimit të disa personave njëherësh është eminent dhe kjo për KQZ-në ka si zgjidhje vetëm ndëshkimin sipas Kodit Penal të këtyre manipuluesve, porse nuk i jepet zgjidhje fletës në kuti, pra nëse do të cilësohej si e pavlefshme apo jo. Testimi elektronik i kartave u zhvillua dy herë. Fillimisht në kushte normale dhe më pas i stimuluar në kushte të mosfunksionimit normal, për shembull kur mungon energjia elektrike, apo kur ka ndërhyrje në kompjuter. Në testimin e dytë, përfaqësuesit e kompanisë spanjolle kërkuan që media të mos ishte e pranishme. Më pas, dy ekspertët e PD-së dhe PS-së kanë debatuar me eksperten spanjolle, e cila insistonte në sigurinë e këtij projekti, duke eliminuar rrezikun e çdo ndërhyrjeje nga jashtë në sistem. Pas një verifikimi në kompjuterët e instaluar, dy ekspertët shqiptarë u shprehën se sistemi mund të bjerë pre e korruptimit dhe ndërhyrjes nga jashtë. Përfaqësuesit e firmës spanjolle theksuan se nuk e kanë realizuar një mbrojtje të tillë, pasi nuk e parashikonte kontrata me kërkesat e paraqitura nga KQZ-ja.
Debati mes ekspertëve dhe PS-së
Në fund të këtyre inspektimeve, mes ekspertëve spanjollë dhe atyre të partive politike u bë debat për çështjet teknike. Palët theksuan se pa plotësimin e disa kushteve teknike shtesë, si mbrojtja nga ndërhyrja në sistem, mosprekja e të dhënave nuk mund të realizohet në terren.
Eridian Salianji: Kushtet e tenderit thonë që duhet të lexohet zmz (çip pa kontakt te karta e identitetit).
Ekspertja spanjolle: Për sa kohë ne nuk kemi kërkesa…, ne bëjmë atë se çfarë thotë tenderi (kontrata).
Eridian Salianji: Ne do ta sjellim kërkesën.
Ekspertja spanjolle: Këto kërkesa duhet të ishin paraqitur para 60 ditësh. Ne kemi zbatuar kontratën.
Eksperti i PS: Ju jo vetëm duhet ta transmetoni, por ju duhet ta mbroni. Njësoj si të gjitha proceset zgjedhore, janë njësoj. Duhet të ishin realizuar 60 ditë përpara.
Ekspertja spanjolle: Ne nuk po e vëmë në dyshim kapacitetin nëse jemi të aftë apo nuk jemi të aftë për ta bërë këtë gjë, ne po themi se këtë gjë duhet ta kërkojë KQZ-ja.
Eridian Salianji: Nëse nuk bëhen këto kërkesa vihet në dyshim projekti, nuk realizohet.
Ekspertja spanjolle: Ju lutem mos na u drejtoni ne, por KQZ-së.
Eridian Salianji: Këto që thamë ne janë gjëra teknike, nuk jemi këtu për të dështuar një proces të tillë, përkundrazi ne duam që ai të realizohet. Është një ndihmë për ne, që për datën 24 ju të jeni një subjekt i paparagjykuar.
1422
Projekti parashikon instalimin e 1422 aparaturave pranë QV-ve në Tiranë
INDRA kundër medias
Kompania spanjolle INDRA nuk ka dashur që media të ishte e pranishme në gjetjen e gabimeve dhe të mangësive nga ana e ekspertëve shqiptarë. Përfaqësuesit spanjollë debatuan me kryekomisioneren Lleshi dhe përfaqësuesin e PS-së, Eridian Salianji, në lidhje me këtë çështje. Vetëm pas kësaj përplasjeje media u lejua të ishte e pranishme.
4 orë
Procesi i testimit të kartës elektronike dhe hulumtimi e gjetja e mangësive nga ekspertët u zhvillua për 4 orë në ambientin e Pallatit të Kongreseve
Somario
Teknologjitë
ODIHR-i jep në raport vështirësitë që po has KQZ-ja në implementimin e dy teknologjive të reja në zgjedhjet e 23 qershorit
Somario
Në raport përmendet edhe zhvillimi i dy testeve dhe problemet e hasura në KQZ
Kodi Zgjedhor i rishikuar (azhornuar) kërkon që KQZ-ja të testojë dy teknologji të reja zgjedhore për këto zgjedhje: Sistemin Elektronik të Verifikimit të zgjedhësit (SEV-në) në Qarkun e Tiranës dhe Sistemin elektronik të numërimit (SEN-në) në Qarkun e Fierit. SEV-i është parashikuar të implementohet deri në 1422 qendra votimi, duke mundësuar që të verifikohen dhe të regjistrohen automatikisht zgjedhësit në ditën e zgjedhjeve. Një test fillestar i funksionimit të pajisjeve të SEV-it
u zhvillua më 17 maj. Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehu besim të përgjithshëm në funksionimin e SEV-it, përfaqësuesit e disa partive politike dhe shoqëria civile shprehën pakënaqësi në lidhje me paaftësinë e sistemit për të lexuar kartat e vjetruara të identitetit apo për të ndaluar përpjekjet për votim më shumë se një herë në qendra të ndryshme votimi. SEV-i përdor skanimin e fletës së votimit në VNV-të për të lehtësuar numërimin e fletëve të votimit.
Vëzhguesit
Raporti i ndërmjetëm i ODIHR-it ngriti alarmin për identifikimin
Somario
Dështimi
Edhe pse në mënyrë jo direkte, ODIHR-i e cilëson projektin e INDRA-s si jo tepër eficient, si dhe të parealizueshëm, për shkak të fletës
Somario
66 partitë e listuara në fletën finale e bën të pamundur numërimin elektronik
Raporti i ODIHR-it e cilëson jo të përshtatshëm çështjen e numërimit elektronik, si një proces që ecën tepër ngadalë. Një tjetër problem lidhet dhe me fletën e votimit, ku numri i madh i subjekteve të regjistruara e bën të pavlefshme procesin e numërimit elektronik për Qarkun e Fierit. “Në prill, KQZ-ja zhvilloi një numër testesh, të cilat nxorën në pah një numër problemesh të sistemit, ku përfshihej shpejtësia e ulët e procesimit dhe kapaciteti i pamjaftueshëm. Një vendim i
KQZ-së i kohëve të fundit për të ruajtur modelin (dizajnin) e fletës së votimit, mund ta bëjë të pamundur përdorimin e projektit pilot SEN, meqenëse kapaciteti i sistemit të përzgjedhur kufizohet në 42 emra, ndërkohë që fleta përfundimtare e votimit liston 66. Përveç kësaj, një numër aktesh
veçanërisht të nevojshme për implementimin e këtyre projekteve pilote kërkojnë një shumicë të cilësuar prej pesë votash në KQZ”, thuhet në raportin paraprak të nxjerrë nga OSBE-ja dhe ODIHR-i.
Somario
Listat e zgjedhësve
ODIHR në raportin paraprak i kushton një vëmendje të madhe çështjes së listave, ku theksohet se ato u afishuan pas datës 20 maj
Somario
Pa adresë
Sipas raportit, janë 384 346 zgjedhës të shënuar si pa adresë në listat e zgjedhësve
Rezulton se 1130 qytetarë të moshës 100 vjeç ose më shumë u hoqën nga lista e zgjedhësve dhe 380 u rifutën me kërkesë të zgjedhësit. Sipas KQZ-së, numri përfundimtar i zgjedhësve është 3 271 885. MB-ja informoi MVZ-në e OSBE/ODIHR-it që numri i rekordeve të dyshuara si të dublikuara ishte zvogëluar nga 7674 në dhjetor 2012, në 1139 në maj 2013, dhe se numri i përgjithshëm i zgjedhësve në LZ-të pa kod adrese të plotë ishte reduktuar nga 542 808 në shkurt, në 348 346 zgjedhës në maj. Që nga janari, janë publikuar çdo muaj ekstrakte të përditësuara të përbërësve zgjedhorë nga baza e të dhënave të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Subjektet zgjedhore mund të kërkojnë kopje të LZ-ve për qëllime verifikimi, gjë që u bë nga disa parti. KQZ-ja ka emëruar dy auditë teknicienë të propozuar nga PD-ja dhe PS-ja për të verifikuar cilësinë e LZ-së. Gjetjet dhe rekomandimet e tyre respektive iu paraqitën KQZ-së dhe u dërguan në MB për trajtim të mëtejshëm. Listat u afishuan pas afatit 20 maj.
Somario
OSBE/ODIHR-i ka vëzhguar disa aktivitete zyrtare qeveritare që janë përdorur për qëllime fushate, ku administrata përdoret në zgjedhje
Somario
Fondet e partive u ndanë me vonesë, kjo gjë trajtohet në raportin e ODIHR
Përurimi i rrugëve të reja dhe prezantimi i projekteve në lidhje me infrastrukturën, janë shoqëruar me slogane dhe flamuj të fushatës së PD-së. Faqja zyrtare e Kryeministrit mbulon
aktivitetet e fushatës që ai ndjek. Partitë e opozitës pretendojnë se punonjësve të sektorit publik u kërkohet të marrin pjesë në tubime elektorale ose të sigurojnë mbështetje për partinë në pushtet. Për më tepër ato deklarojnë se mbështetësit e tyre, përfshirë persona që përfaqësuan opozitën në komisione zgjedhore gjatë zgjedhjeve të kaluara ose familjarët e tyre janë pushuar nga puna në sektorin publik për arsye politike. MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it takoi disa nga këta ish-punonjës, të cilët konfirmuan pretendime të tilla. Të gjitha partitë politike të takuara nga MVZ i OSBE/ODIHR deklaruan se ka pasur vonesa në
marrjen e fondeve publike për zgjedhjet. Parlamenti vendosi ndarjen e fondit publik vetëm më datë 30 maj, një javë pas fillimit të periudhës së fushatës zgjedhore. KQZ-ja miratoi ndarjen e fondeve midis subjekteve zgjedhore më datë 3 qershor.
Kandidatët e propozuar nga zgjedhësit nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga fondi publik për fushatat e tyre zgjedhore.
SHQIP
Add new comment