KQZ dërgon për procedim penal 50 komisionerë

Postuar në 10 Gusht, 2013 04:06

TIRANË Me katër vota pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën për nisjen e procedimit penal të 50 komisionerëve dhe numëruesve të Qarkut Lezhë, përfaqësues të forcave kryesore politike në vend. Ata ngarkohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me përgjegjësinë e manipulimit të rezultatit zgjedhor për dy zona të administrimit zgjedhor në Qarkun e Lezhës. “U gjet se rezultati i pasqyruar nga grupet e numërimit në tabelat që dispononin subjektet zgjedhore dhe në tabelat e falsifikuara, ishin krejtësisht të ndryshme. Në këto kushte kanë konsumuar vepër penale dhe drejtoria juridike, në referencë të nenit 330 të Kodit Penal, KQZ ka përcaktuar dispozitën përkatëse për falsifikimin zgjedhor dhe materialit të zgjedhjeve”, -deklaroi Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i KQZ-së. Me dërgimin e këtij vendimi, bashkë me provat përkatëse në organin e akuzës, kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi beson se ky është një hap drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe zbatimit me përpikëri të Kodit Zgjedhor. “Lë të shërbejë kjo për faktin që nesër komisionerët të jenë shumë të përgjegjshëm në atë që marrin përsipër të bëjnë, kryerjen e detyrës së tyre. Ta bëjnë atë në zbatim vetëm të Kodit Zgjedhor”, tha Lleshi. 50 komisionerët dhe numëruesit që kërkohen për t’u ndjekur penalisht nga Prokuroria e Lezhës, mund të dënohen me burg nga 2-7 vjet.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.