KQZ, Berisha: Pretekst i Ramës për të mos njohur rezultatin. Tre ish deputetët e PS, në listat e PD

Postuar në 02 Maj, 2013 15:32

 

TIRANE- Kreu i partisë Socialiste, Edi Rama nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, ndaj dhe ka tërhequr anëtarët e Komisionit Qendrorë të zgjedhjeve. Kështu u shpreh Kryeministri, Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët.

“Tërheqjen e anëtarëve të KQZ-së, e ka bërë vetëm për ta përdorur si një pretekst për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, siç iu deklaroi ai një grupi të huajsh në zyrën e tij.”- tha Berisha.

Sipas Berishës, vetëm 3 ditë pas shkrirjes së Jani Janit, vetë Rama u deklaroi bashkëbiseduesve të huaj se, po humbi këto zgjedhje nuk do njohë rezultatin.

Kryeministri hodhi poshtë çdo aludim për presion ndërkombëtarë për të zgjidhur situatën e krijuar në KQZ.

“Jo vetëm që kam s’ka patur dhe s’mund të imagjinohet të ketë asnjë lloj presioni, por përkundrazi në unison Ramës i është kërkuar të lerë këto lodra me KQZ, të çojë anëtarët në KQZ në detyrën e tyre.”- tha ai.

Listat për deputetë, kreu i qeverisë pohoi se nuk do të jenë të njëjta me ato të legjislaturës së shkuar.

“Listat do t’i merrni vesh sapo të hartohen. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që listat e një legjislature të jenë të njëjta. Ka një frymë, kjo parti nuk jep asgjë tjetër perveç mirënjohjes së thellë për kontributin e secilit. Ka një marrëveshje dhe unë marrëveshjet i zbatoj. Kam një marrëveshje me tre deputetë të PS-së të cilët me qëllimin e tyre të përgjegjshëm ndaj vendit bënë të dështojë përpjekja e fundit e Edi Ramës për tu bërë kryeministër i pavotuar. Do mbetet në bankinë edhe për shumë kohë.”- tha Berisha.

Kryeministri, Berisha pohoi se tre deputetët socialistë, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani, të cilët sipas tij, me qëndrimin e tyre të përgjegjshëm bënë të dështojë plani i Ramës për të marrë pushtetin nëpërmjet aleancës së njohur, dështoi. Ai tha se ata do të jenë në listat e PD-së

Lidhur me prezencën e Ramës në listat e partisë së tij, Berisha tha se do të donte që ai të ishte në Parlament.

“Nuk është shumë bindëse opozita që nuk ka kryetarin e saj në parlament. Dhe nuk është se unë nuk e kam vuajtur, uroj që mandatin e ri të jetë në parlament.”- tha kreu i qeverisë.

Sa i përket tre ligjeve të integrimit, Berisha pasi akuzoi opozitën për bllokim tha se, është gati t’i votojë në çdo moment.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.