KOSOVARË QË VENDOSIN NË KUKËS

Ora 19:30 e ditës së djeshme ka shënuar përfundimin e procesit të votimit në Qarkun e Kukësit. Si asnjëherë tjetër, ky proces ka patur një dyndje të madhe të popullsisë drejt qendrave të votimit. Nga 78 mijë votues, kanë marrë pjesë në votime mbi 63 për qind e individëve që janë pjesë e listave zgjedhore. Karakteristikë për Qarkun e Kukësit ka qenë shprehja e vullnetit për të marrë pjesë në votime edhe nga qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët kanë qëndruar në Kukës gjatë periudhës së Luftës së vitit 1998. Jetojnë në Kosovë, të pajisur me një pasaportë shqiptare kanë ardhur të votojnë në Kukës. Radhët e gjata në doganën e Morinit nuk i kanë penguar ata të kontribuojnë me votën e tyre në shtetin fqinj. Ky fakt bëhet i ditur nga Mustafë Breçani, komisioner i Partisë Socialiste pranë qendrës së votimit nr.0640 në Bashkinë e Kukësit. Sipas tij, kjo përbën një iniciativë të mirë nga fqinjët për të shprehur në formën e tyre vullnetin për një Shqipëri më të mirë. “Procesi ka vijuar gjatë gjithë ditës normalisht. Një sinjal pozitiv do të konsideroja pjesëmarrjen në votime të tre kosovarëve, një çift me djalin e tyre, të cilët figurojnë në këtë qendër votimi dhe kanë ardhur posaçërisht nga Prizreni për të votuar. Është një gjë mjaft pozitive. Kjo tregon se neve na duan dhe duan ndryshimin pozitiv të qytetit të Kukësit”, u shpreh komisioneri Breçani. Pothuajse të gjithë komisionerët e pyetur për “Shekullin” flasin për një mbarëvajtje të procesit në 160 qendrat e votimit në Qarkun e Kukësit.
Procesi ka nisur njëherazi në orën 07:00 të mëngjesit në të gjitha qendrat e votimit. Mësuam se nuk ka patur vonesa në mbërritjen e materialit zgjedhor nëpër të gjitha zonat zgjedhore. Edhe pse nuk ka pasur asnjë problem gjatë procesit të votimit, bëhet me dije se verifikimi i kartës së identitetit nëpër të gjitha qendrat e votimit është bërë me sy të lirë. Vlen të theksohet se gjatë ditës së djeshme ka patur një fluks të madh qytetarësh që iu janë drejtuar qendrave përkatëse të votimit. Ky fluks i lartë është penguar për disa minuta gjatë ndërrimit të komisionerëve nga ana e subjekteve zgjedhore. Më pas procesi i votimit ka vijuar i qetë dhe pa probleme. Numri i lartë i qytetarëve pjesëmarrës në votime ka kaluar përllogaritjet, gjë që ka detyruar komisionerët të kërkojnë kuti shtesë, pas tejmbushjes së atyre aktuale. Kjo gjë ka penguar procesin e votimit për disa minuta rreth orës 17:00 të ditës së djeshme. Votimi në Qarkun e Kukësit mund të konsiderohet ndër të paktat qarqe në Shqipëri ku nuk është shënuar asnjë incident. Këtë ka pohuar edhe zëdhënësi i policisë së këtij qarku, Jaho Caushaj. “Votimi ka vijuar normalisht gjatë gjithë ditës dhe nuk është shënuar asnjë incident. Grupet e gatshme kanë ndjekur në vazhdimësi dhe do të vijojnë të ndjekin edhe procesin e numërimit të votave, për të garantuar një process të rregullt zgjedhor, të lirë dhe demokratik”, nënvizoi në fjalën e tij Caushaj. Ndërkohë që nëpër të gjitha qendrat e votimit ka pasur një ose dy policë të armatosur, të cilëve nuk iu është dashur të ndërhyjnë në asnjë moment pasi çdo gjë ka ecur sipas rrjedhës normale.
Ndërkohë që vetëm një ditë përpara asaj të votimit është folur për disa incidente të vogla të cilat nuk kanë pasur asnjë efekt në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve. Kutitë e votimit janë aktualisht në KZAZ-në e Kukësit, kuti të cilat kanë filluar të numërohen gjatë natës së mbrëmshme nga gjashtë grupe numërimi me përfaqësues të subjekteve politike, sipas përcaktimit të Kodit Zgjedhor. Pritshmëritë Votuesit e Qarkut të Kukësit kanë votuar ditën e djeshme për katër deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është numri më i vogël i deputetëve që nxjerr një qark në rang kombëtar. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, koalicioni i djathtë ka kryesuar nga atij të majtë me raportin 3:1. Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë i vetmi deputet i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani iu bashkua koalicionit të djathtë duke e çuar në katër numrin e deputetëve të djathtë në këtë qark. Vlen të përmendim edhe lëvizjen më të fundit politike të kryebashkiakut aktual të Kukësit, Hasan Halilaj i cili deklaroi kalimin e tij në anën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që Partia Socialiste ka çuar një figurë të re në këtë qark, ish-prokurorin Vehxhi Muçmata. Këto kalime pritet të ndikojnë ndjeshëm në peshoren e deputetëve që do të përfaqësojnë Qarkun e Kukësit në Kuvendin e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme.
EXPRESS
Add new comment