Kosova dhe Serbia sot dorëzojnë propozimet për kodin telefonik

Postuar në 18 Qershor, 2013 04:05

Bruksel, 18 qershor  - Në Bruksel vazhdojnë edhe sot bisedimet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, në lidhje me telekomunikacionin, gjyqësorin, policinë dhe sigurinë, shkruajnë mediat serbe.

Ministri serb i telekomunikimeve, Rasim Lajiq, ka paralajmëruar se sot do të dorëzohen propozimet e të dyja palëve për kodin telefonik të Kosovës.

Të hënën, palët janë pajtuar që Telekomit të Serbisë t’i jepet licenca për telefoninë fikse në Kosovë, ndërsa kanë dështuar të merren vesh për energjetikën, pasi Serbia ka kërkuar licencimin e një operatori, i cili do të merrej ekskluzivisht me komunitetin serb.

Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Prishtina.

Në agjendën e bisedimeve në këtë raund, të katërtën,  janë: energjia, telekomi, drejtësia, siguria, çështjet e krijimit të asociacionit  si dhe bisedimet me OSBE-në për çështjet e zgjedhjeve lokale.

Të rikujtojmë se në delegacionin e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, marrin pjesë Dren Zeka, këshilltar kryesor politik, Visar Xani këshilltar për media, për çështjet e drejtësisë: Ismet Kabashi, Enver Peci, Fejzullah Hasani, Sali Mekaj, Arjeta Rexhaj, Donikë Qerimi, Albert Avdiu, Ehat Miftaraj dhe Ramadan Gashi; për çështjet e sigurisë  Rashit Qalaj, Bardhyl Jashari;  për çështjen e energjisë: Naim Bejtullahu, Enver Halimi, Merita Kostari, Arben Gjukaj dhe Elona Cecelia; për çështjen e telekomit: Ekrem Hoxha, Besnik Berisha dhe Gazmir Raci; për çështjen e zgjedhjeve: Valdete Daka, Miradije Mavriqi, Abedin Mehmeti dhe Qemajl Marmullakaj.

 

KOHA DITORE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.