Korçë, vdekja e foshnjës pas lindjes procedohet mjeku, mori 30 mijë lekë.

Postuar në 14 Maj, 2014 04:53

Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për mjekun Sh.I, 46 vjeç, pasi dyshohet se ka marrë lekë për lindjen e foshnjës që ndërroi jetë 2 orë më pas në spital.
 
Procedimi ndaj tij u nis pas kallëzimit nga L.Demolli, 56 vjeçe, banuese në Ersekë, e cila deklaron se për lindjen e nipit të saj më datë 10 maj me veprimet e tij dyshohet se e ka detyruar për t’i dhënë 30.000 lekë atij dhe stafit që ka marrë pjesë në lindjen e fëmijës.
 
Hetimet për rastin kanë nisur pas kallëzimit të 56-vjeçares e cila ka denoncuar në polici vdekjen e nipit të saj vetëm 2 orë pas lindjes.
 
“Dua drejtësinë e fëmijës dhe të nuses, se edhe nusen e kam me depresion, dua drejtësinë, çfarë kanë marrë doktorët dua t’i kthejnë mbrapsht. Unë do ta kërkoj dhe dua edhe avokatin e popullit që të vijë të kërkojë të drejtën e fëmijës dhe të nuses. Kur i filluan dhimbjet, 24 orë ka qëndruar nusja ime pa një gjilpërë,”- ka thënë gjyshja L.Demolli, pas denoncimit në polici më 11 maj
 
Pas denoncimeve të bëra nga ana familjarëve të foshnjës që ndërroi jetë në spitalin e Korçës vetëm disa orë pas lindjes, kanë reaguar edhe mjekët. Shefi neonat, Edion Kollçinaku, mjek pediatër për të sapolindurit, tha se “lindja e fëmijës ishte normale, por pas lindjes, fëmija ishte shumë rëndë”.
 
“Kemi kërkuar ta transportojmë në Tiranë por familjarët nuk kanë pranuar. Fëmija ka lindur me asfiksi akute e rëndë”,- tha mjeku neonat Edion Kollçinaku.
 
Për të bërë ekspertizën e vdekjes së foshnjës në spitalin e Korçës kanë vajtur mjekë nga Tirana. Ende nuk kanë dalë rezultatet të cilat mund të çojnë ndoshta në arrestimin e mjekëve të tjerë që kanë marrë pjesë në lindje. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.