Korçë, mbahet konferenca rajonale e programit “ Për një Rilindje Shqiptare”

Të bindur në planin më të mirë të zhvillimit ekonomik e social që do t’i japin vendit pas 23 qershorit drejtues të socialistëve kanë ndarë idetë e tyre me banorët e Korçës në konferencën rajonale që u zhvillua gjatë pasdites të së shtunës. Konferenca për programin socialist ishte e ndarë ne dy panele dhe folësit synuan të ndajnë vizionin dhe modelin e ri për Rilindjen e Shqipërisë.
Në panelin e parë, deputeti Saimir Tahiri u ndal në gjendjen e krimit në vend dhe premtoi se PS brenda 300 ditëve do ta kthejë Policinë e Shtetit në detyrë, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në çdo qytet
“Dy ngjarjet e fundit, rasti i kryekomisarit të vrarë na tregoi sesi tradhtia e kupolës së Policisë së Shtetit mund të marrë jetën e policëve të thjeshtë. Nga ana tjetër ngjarja makabër me maniakun në Tiranë na tregoi më së miri sesi gjithë struktura e rendit falimentoi . Ndërkohë kryeministri bën gallatën e tij politike. 1 polic një kilometër kishte zgjidhjen e tij. Aksident në kryeqytet, të bllokojmë biçikletat. Apo siç tha rastin e fundit të sterilizojmë pedofilët, edhe Doktor Adhamudhi do ja kishte zili. Ne jemi të vendosur të reformojmë rendin. Partia Socialiste angazhohet që pas 23 qershorit, brenda 300 ditëve ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në çdo qytet”, tha Tahiri.
Pa tij, deputetja Mimi Kodheli, u ndal në gjendjen ekonomike të vendit, ku sipas saj janë shënuar një sërë dështimesh të qeverisjes së kryeministrit Sali Berisha. “Kjo qeveri u zotua se do ulte borxhin publik, që nga ajo kohë borxhi jo vetëm që nuk u ul po sot përbën kërcënim. Sot niveli i kredive të këqija ka arritur në 1 miliard euro. Nuk ka mundur të hapë në këtë vend asnjë vend të ri pune. Madje kanë humbur 51 mije vetë vendeve të punës. Për PS është thelbësor krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës. Ky objektivi ynë më madhor. Debati taksë e sheshtë –taksë progresive është i fituar. Taksa e sheshtë dështoi”, tha Kodheli.
Deputeti Eduard Shalsi foli për dështimet e qeverisë në privatizime, duek premtuar se pas 23 qershorit do të krijohet një model i ri i tregut të energjisë. “Albpetroli një dështim i paralajmëruar. Ne sa të vijmë në pushtet një transparencë të plotë, do auditojmë të gjitha koncesionet duke zhbërë ato që janë bërë në kurriz të shqiptarëve. Që në fillim do hartojmë një strategji të sektorit që të gjitha burimet e naftës të jenë në dobi të qytetarëve jo në interes të pushtetarëve. Pas datës 23 qershor do krijojmë një model të ri të tregut të energjisë”, u shpreh Shalsi.
Ndërsa Ilir Beqja prezantoi pikat e programit socialist për bujqësinë, duke premtuar heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit. ”Do heqim të gjitha TVSH-të që rëndojnë sot bujqësinë e blegtorinë. 160 milionë dollarë do të shpenzojmë për të rimëkëmbur vaditjen dhe kullimin. Duam të ringremë sistemin e shkollave profesionale bujqësore sigurisht me dijet më të fundit në këtë sektor”, tha Beqja.
Deputetja Olta Xhaçka, në fjalën e saj premtoi se përmes programit Për një Rilindje Shqiptare do të krijohen mundësi të barabarta mes burrave dhe grave. Xhaçka premtoi se barazia gjinore do të përfshihet në të gjitha politikat shëndetësore. “Ne do të adresojmë problemin e dhunës ndaj gruas që në ditët para të qeverisjes sonë. Do ngremë një qendër kombëtare multidisiplinore për gratë dhe fëmijët e abuzuar. Do rrisim financimin publik për programet e parandalimit. Barazia gjinore do të përfshihet në të gjitha politikat shëndetësore. Kujdesi shëndetësor nuk do t’i mungojë asnjë gruaje dhe asnjë vajze. Çdo grua e vajzë ekzaminime falas. Politika mbështetëse për çdo biznes që punëson gra dhe vajza. Kredi të buta për të gjitha ato biznese femërore që punësojnë gra”, tha Xhaçka.
Më tej Erion Veliaj u ndal në nivelin e arsimit dhe premtoi se qeveria e re socialiste do të dyfishojë buxhetin për arsimin që asnjë fëmijë mos mbetet pas. “Në Shqipëri 2 në 3 të rinj janë të papunë. Qeveria e ka një plan punësimi. Për dhëndrin e Jozefinës e ka një plan punësimi. Për djalin e Kryeministrit e ka një plan punësimi që fiton në vit sa e gjithë kjo sallë. Kjo qeveri e ka një plan punësimi për të gjithë ata që kanë një mbiemër afër pushtetit. Pas 23 qershorit në planin tonë për arsimin nuk ka rëndësi se si e ke mbiemrin. Ne duam ta pesëfishojmë buxhetin për rininë me Edi Ramën kryeministër. Vizioni unë jo më të rinj në baste, vizioni ynë një Shqipëri e punës”, tha Veliaj.
Ndërsa deputetja Eglantina Gjermeni, premtoi se shërbimet publike do të reformohen në bazë të parimit të lehtësimit të aksesit dhe të përmirësimit të cilësisë. “Shërbimet publike do të garantojnë përfitimin e shumicës dhe do të kujdesen për individë dhe familje në nevojë. Jemi të gatshëm dhe e kemi shprehur angazhimin tonë sepse synojmë një arsimim cilësor për çdo fëmijë pavarësisht vendndodhjes dhe gjendjes financiare familjare. Ne e konsiderojmë arsimin në shkolla publike si një e drejtë natyrore që ushtrohet përmes konkurrencës dhe meritës. Politikat tona arsimore do të mundësojnë që çdo i ri deri në 18 vjeç të jetë duke u arsimuar ose duke u formuar profesionalisht”, tha ajo.
Artan Lame gjatë fjalës së tij u ndal në vlerat historike të qytetit të Korçës dhe theksoi se realisht meriton më tepër. “Që në vitet ’30 Korça ka pasur bulevardin e asfaltuar, që ka pasur lumin që kalonte brenda qytetit të sistemuar. Po të merremi shumë me lavdinë e dikurshme, na pengon të shohim drejt të ardhmes. Në këtë pikë Korça ka të drejtë të mburret, sepse këtë lavdi të dikurshme ka mundur ta ruajë në disa pjesë. Kur qytetet të tjera të kenë arritur atë që është sot Korça, ajo do të ketë arritur në një nivel më të lartë të zhvillimit. Korça ja ka dal të ruajë periferitë e veta. Deri këtu mbaron merita juaj, duhet të fillonte puna e qeverisë që ka munguar prej vitesh. Korça është një nga qytetet e rralla që nuk vuan nga uji dhe është merita e juaj, jo e qeverisë.
Shteti shqiptar ju ka munguar, ju e kujtoni çfarë hoqët me unazën, sa vjet u la e hapur. Për të vajtur nga Korça në Sarandë, i bie më kollaj ti bini nga Janina. Jemi në një farë mënyre atje ku na la Turqia, “mora rrugën për Janinë”. Grupet turistike që duhet të kalojnë nga Kolonja dhe është akoma sikur sa ka mbaruar lufta. Ne do ta rindërtojmë atë rrugë, sepse është rruga për në bregdetin tonë. Ka tre vjet që është nisur rruga e Pogradecit, nuk kishte asnjë punëtor. Njeriu ndalon aty dhe pyet pse ka tre vjet që e kanë në plan, nëse s’ka para pse duhet ta nisësh. Ne do ta mbarojmë atë rrugë që është shumë e rëndësishme për të gjithë pjesën turistike të Pogradecit. Si mund të flitet për turizëm në Pogradec kur kamionët kalojnë në mes të qytetit sepse mungon by pass i qytetit. Ne do ta bëjmë atë by pass. Mos harrojmë se nga ky qytet është ministri i financave. Ai ka shtruar rrugën deri në fshatin e tij dhe rruga që të çon për në Voskop ju e dini sesi është, ajo rrugë që të lidh me Voskopojën. Në qoftë se nuk arrijmë që ti lidhim këto qendra turistike me njëra tjetrën është e kot që të flasim”, u shpreh Lame.
Deputeti Fidel Ylli, i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të heqë dorë nga roli i shpëtimtarit të vendit dhe të ndalë dhunën ndaj medias. “Thirrja ime ndaj atij është; Ndalo dhunën ndaj Top Channel është një betejë që e ke humbur që në fillim!”, tha ai.
Ndërsa deputeti Ditmir Bushati, theksoi se Programi Për një Rilindje Shqiptarë është mbyllja e një kapitulli të stërzgjatur të tranzicionit. “Të gjithë skeptikët që nuk e kanë përqafuar ende programin tonë e kanë të thjeshtë duke parë dallimet. Ne duam një Shqipëri që të jetë shtëpia e gjithsecilit. Saliu do një Shqipëri europiane në letër. Ne duam që pushteti dhe shteti mos jenë e njëjta gjë. Nuk ka pse në 2013, siç ishte dje, të merren me përdhunë në mitingje. Programi ynë u premton shqiptarëve jetësimin e ëndrrës europiane përmes hapave konkret. Sali Berisha ofron stanjacion të vërtetë, ka nisur lojën e baltës jo vetëm tashmë ndaj opozitës po dhe ndaj komunitetit ndërkombëtarë, ka nisur edhe bojkotin ndaj tyre. Do kemi një raport të ndryshëm me pushtetin dhe të gjithë personat që do kenë një përgjegjësi publike në këtë vend. Një raport të ri me opozitën e nesërme. Do ti japim mundësi edhe PD të rilindë në opozitë”, tha Bushati.
Niko Peleshi, ka thënë se Korça është rajoni i pasurive të shumta natyrore, i njerëzve të punës, por këto 8 vite keqqeverisje kanë theksuar problemet ekonomike dhe kanë penguar zhvillimin. “Shifrat zyrtare fshehin një papunësi të frikshme. Dhjetëra mijëra banorë të qarkut kanë emigruar. Një numër i madh familjes po kthehen po e gjejnë Korçën më të varfër, i zhgënjen që ditën e parë kur shohin se para injorancës së militanteve dijet e emigrantit të marra jashtë nuk vlejnë. Po rrezikon të rikthehet këneta e Maliqit. Bizneset e fasonit një pjesë e madhe e tyre janë mbyllur, mijëra gra janë sot papunë. Qeveria s’ka bërë asgjë për ti ardhur në ndihmë këtij biznesi. Biznesi i vogël s’po arrin të krijojë një pagë minimale”, tha Peleshi.
SHQIP
Add new comment