Korçë e Elbasan, Llalla ndryshon 2 kryeprokurorë

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme është duke finalizuar rotacionin në drejtimin e të gjitha prokurorive të rretheve në vend. Brenda pak ditësh pritet që prokurori i Përgjithshëm të prezantojë ndryshimin e drejtuesve në Prokurorinë e Elbasanit dhe atë të Korçës. Lajmi është bërë i ditur nga burime të gazetës “Panorama” pranë organit të akuzës. Sipas këtyre burimeve, në përfundim të analizave dhe të lëvizjeve në strukturën e Prokurorisë, kryeprokurori Llalla ka vendosur ndryshimin e drejtuesve të Prokurorisë në Elbasan dhe Korçë, krahas ndryshimeve në Gjirokastër, Laç, Lezhë, Durrës, Fier e Shkodër. Pas ardhjes në detyrë, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla zhvilloi analizat vjetore me prokuroritë në rrethe e më pas në qendër, dhe në përfundim mori vendimet konkrete për lëvizjet në strukturë. Ndryshimet e para që bëri Llalla prekën Prokurorinë e Përgjithshme, Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Tiranës, si strukturat më të rëndësishme në organin e akuzës në vend. Nga burimet jozyrtare mësohet se pas një komandimi 3-mujor në Prokurorinë e Tiranës, prokurori Adnand Kosova do të komandohet edhe tre muaj të tjerë në këtë detyrë. E njëjta gjë pritet të ndodhë me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të rënda, Eugen Beçi, që pritet të rekomandohet edhe tre muaj të tjerë në drejtimin e këtij institucioni. Burimet nga organi qendror i akuzës kanë thënë se edhe pse deri tani Llalla ka kryer vetëm tri emërime me dekret të propozuar te Presidenti i Republikës, Prokuroria e Përgjithshme është duke hartuar listën e parë me emra që do të dërgohen për dekretim në poste të reja nga kreu i shtetit. Pas ndryshimit të drejtuesve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, disa dosje të pazbardhura janë rihapur, ndërsa organi i akuzës ka kryer disa aksione kombëtare e ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe autoritetet e huaja. Në Prokurorinë e Tiranës veç ndryshimit të drejtuesit të institucionit, Llalla ka ndryshuar edhe zëvendësprokurorët e rrethit. Ndryshime pësoi edhe stafi i Prokurorisë së Përgjithshme si në emra, ashtu edhe në strukturë.
PANORAMA
Add new comment