Konfirmohen akuzat për korrupsion ndaj Fatmir Limajt

Në Prishtinë, Gjykata Themelore, konfirmoi shumicën e akuzave kundër ish ministrit të transporteve dhe telekomunikacionit Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëpunëtorëve të tij nën dyshimet për korrupsion.
Në një njoftim të gjykatës, thuhet se trupi gjykues i drejtuar nga EULEX-i, gjeti prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar së të pandehurit Fatmir Limaj, ish ministër, Nexhat Krasniqi, ish Shef i Prokurimit dhe Endrit Shala, ish Shef i Kabinetit, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve. Përveç kësaj, gjykata gjeti dyshim të mirë-bazuar se i pandehuri Florim Zuka, pronar i një kompanie private, ka kryer veprën penale të ofrimit të ryshfeteve, dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.
Gjykata konfirmoi edhe akuzën ndaj zotit Limaj për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.
Gjykata hodhi poshtë akuzat për lidhje të kontratave të dëmshme, ato për pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata rrëzoi në tërësi akuzat ndaj tre të dyshuarve të tjerë, përfshirë dy vëllezërit e zotit Limaj.
PANORAMA
Add new comment