Koncensionet, PS: Keni privatizuar Shqipërinë

Postuar në 25 Prill, 2013 09:15

 

Kuvendi nisi punimet e seancës së sotme plenare, ku mes të tjerave pritet të votohen dy dekretet e presidentit Nishani për Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë.

Seanca ka nisur me diskutimin e projektligjit "Për dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të mjeteve në doganat shqiptare."

Diskutimi për këtë pr/ligj ngjalli reagimin e deputetëve të Partisë Socialiste të cilët folën për një tjetër monopol, që sipas tyre qeveria e lë në dorë të privatit. 

Braçe akuzon se qeveria ka monopolizuar shërbimet publike. "Berisha po privatizon atdheun. Mbi 1 miliardë euro i paguajnë qytetarët pas asnjë shkak. Filozofia juaj e shndërrimit të atdheut publik në një atdhe privat,  po rrjep qytetarët, viti për vit i keni shfrytëzuar 8 vite dhe do i shfrytëzoni 15 vite. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Atdheun kthejani shqiptarëve. Atdhe të 5 biznesmenëve privatë nuk mund të ketë. Shqiptarët duhet të marrin shërbime me kosto të ulët në këtë vend”,- akuzoi Braçe.

Në kundërpërgjigje, ministri i Financave Ridvan Bode tha se edhe Rama ka deklaruar se do të jepte me koncesion menaxhimin e doganave të Shqipërisë. Ky koncesion sipas tij, mundëson një shërbim më cilësor me pagesë më të pakët. 

Dështoi shitja e katër HEC-ve

“Dështuat me privatizime, u turrët të shitni gjithçka për të mbushur arkën bosh të shtetit. I keni marrë paratë e shitjes së 4 HEC? Jo si keni marrë se keni një kontratë që ia dhatë atij mikut të qeverisë që duhej të garantonte paratë në bankë dhe banka nuk ia dha. Ky privatizim dështoi. Nuk e njohim privatizimin e 4 HEC sepse keni dështuar”,- tha Balla.

Taksimi i tokës

Diskutohet pr/ligji për taksimin e tokës së dhuruar. Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode dhurimi i tokës duhet taksuar sepse ka nga ata që janë bërë milionerë. “Kjo është mënyra për të pastruar paratë. Një nga kryetarët e listave që ke nxjerrë në rrethe ka bërë miliona dollarë prandaj kemi vënë taksë dhurimit. Merr shiko dosjen e njërit prej tyre ka transaksione tokash. Do vihet taksa për të dekurajuar ata që shesin e blejnë me pasuritë e të tjerëve."- tha Bode. 

Duke mos kërkuar taksimin e dhurimit të tokës pasi rrit barrën për qytetarët Braçe tha, “Nuk flasim për Damir Fazlliçin por për tokat e fshatarëve. Nuk kanë fshatarët tanë para të pista për të pastruar. Është një gropë e thellë, që do i bëjë dëm qytetarëve, që do detyrohen ta mbushin siç e mbushën edhe në 2007. Këta i shkojnë fshatit vetëm për fushata. 10 për qind tatim mbi bazën e referencës, edhe kur dhurohet toka nga babai te i biri, duke bllokuar një proces normal. Ju vini sot dhe thoni që vetëm kur e shet nuk tatohet dhe kur e dhuron tatohet. Kërkojmë që çdo familje të mos tatohet kur dhurohet brenda trungut familjar, pasi kthen pronën në një zinxhir gjaku për konfliktet. Që Saliu është kapitalist këtë e kuptoj, por një pyetje çfarë do të bëjë me jetën e tij? Çfarë do ta bëni këtë fshatar që mundohet të shesë tokën, çdo bëni më pas do i jepni ndihmë qesharake apo do i thoni puno argat sepse i thoni dil e puno te “Partizani Panjohur”, apo ikni emigrant? Nuk po zgjidhni problemet mbi tokën",- tha Braçe. 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.