Komunitetet e Krishtera: Shteti t’i kthejë Kishës pronat

Postuar në 24 Gusht, 2013 08:39

Komunitetet e Krishtera në Shqipëria kanë reaguar mbi ngjarjen në Përmet për godinën e Pallatit të Kulturës që pretendohet nga kisha se është godinë fetare.
Në një deklaratë për shtyp, Komunitet e Krishtera të Shqipërisë u shprehën se përmbarimi përdori dhunën mbi klerikët dhe objektet fetare duke rikthyer në kohë vitet e persekutimit të klerit fetar në Shqipëri.

“Kemi ndjekur me shqetësim dhe indinjatë ngjarjen e fundit në kishën ortodokse Shën Maria e pazarit, të qytetit të Përmetit, ku forcat policore të një shoqërie private përmbarimore nxorën nga objekti i kultit me forcë objekte të shenjta fetare dhe trajtuan në mënyrë të turpshme klerikët dhe besimtarët ortodoksë, të cilët dolën në mbrojtje të kishës së tyre. Pamjet e transmetuara nga mediat na sollën edhe një herë në mendje vitet e persekutimit dhe të luftës ndaj institucioneve fetare dhe objekteve të kultit, ndërkohë që presim ende kthimin e objekteve dhe pronave të komuniteteve tona fetare”.

Komunitetet e Krishtera i kërkuan shtetit që cështja të zgjidhet shpejt duke kaluar godinën tek besimtarët.

“Me këtë deklaratë duam të shprehim solidaritetin tonë me vëllezërit dhe motrat tanë ortodoksë të qytetit të Përmetit dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe urojmë që çështja e kësaj kishe të zgjidhet sa më shpejt dhe objekti i kultit dhe vendi i shenjtë t’i kthehet besimtarëve dhe klerikëve për të kryer shërbesat e shenjta. Me këtë rast do të dëshironim t’i bëjmë thirrje edhe një herë shtetit shqiptar që të angazhohet në zgjidhjen përfundimtare të kthimit të pronave Komuniteteve Fetare në Shqipëri, të cilët edhe pas 23 vitesh demokraci nuk kanë gjetur të drejtën e tyre te ligjshme dhe demokratike”.
Deklarata u firmos nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.

Çështja e Pallatit të Kulturës ka shkaktuar dhe përplasje fizike pak ditë më parë ku dy besimtare ortodokosë u lënduan lehtë gjatë hyrjes me forcë në godinë, e cila ruhej nga policia private.

Ndërsa më pas Bashkia izoloi muret me tulla kurse priftërinjtë në shenjë proteste zhvilluan meshën jashtë. Çështje e kishës tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve ku policia greke pa asnjë shkak ktheu qindra shqiptarë në kufi.
Ekspertët në vend e cilësojnë cështjen e Kishës jo një cështje fetare por një problem që vjen si pasojë e cështjen ende të pazgjidhur të pronave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.