Komisioni i Venecias: Situata në KQZ delikate, mund të ndryshohen rregullat

TIRANË Për Komisionin e Venecias, situata e krijuar në KQZ është shumë delikate. Konrad Olshevski, eksperti i Komisionit të Venecias që po asiston KQZ-në për zgjedhjet, thotë se e paplotë siç është, KQZ-ja s’do jetë në gjendje të japë direktivat e duhura për 23 qershorin. “Situata është delikate, sepse Komisioni po punon me 4 nga 7 anëtarët. Kjo sigurisht përbën një sfidë të madhe për mbajtjen e zgjedhjeve. Së pari, sepse vendimet nuk diskutohen mjaftueshëm siç kërkon Kodi. Po ka dhe probleme teknike, sepse duhen miratuar aktet normative që kërkojnë 5 anëtarë të KQZ-së. Nëse situata vazhdon kështu, KQZ s’do jetë në gjendje të japë direktivat e duhura për zgjedhjet”, tha Olshevski për “AS”. “Gjithmonë është koha e përshtatshme për të rikthyer kompozimin e plotë të KQZ-së. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë. A mundet KQZ të mbajë zgjedhje me anëtarët e mbetur? Të presim e të shohim. Gjatë zgjedhjeve, në çdo vend ka gjithmonë zhvillime surprizë dhe që kërkojnë zgjidhje të shpejta dhe të menduara mirë”, – vijoi ai. Sipas Olshevskit, nëse situata vazhdon kështu, mund të dalin disa probleme, duke nisur që nga fakti nëse 4 anëtarët e mbetur të KQZ-së do të veprojnë sipas ligjit. “Deri tani po punohet mirë. Por mungesa sjell 2 probleme për mendimin tim. Ligjore, sepse duhet të shohim nëse 4 anëtarët do të jenë në gjendje të drejtojnë zgjedhjet në përputhje me ligjin, pa ndryshuar rregullat…”, tha ai.
MAPO
Add new comment