Komisionet, debat në Grupin e PD

Postuar në 20 Shtator, 2013 03:46

Bregu, Pollo e Vokshi zgjidhen kryetarë komisionesh, ish-ministrat do jenë zëvendësOlldashi kundër Pollos: Duhet të ishte Mesila Doda

Grupi Parlamentar demokrat përfshihet nga debatet lidhur me drejtuesit që do të ketë opozita në tri komisione parlamentare. Pas vendimit të marrë nga maxhoranca për t’i lënë PDsë drejtimin e tri komisioneve që vetë PS-ja ka pasur në kohën kur ishte në opozitë, demokratët kanë propozuar ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, në Komisionin Parlamentar të Integrimit, Albana Vokshin në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe ish-ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, që do të drejtojë Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Medias. 

DEBATI 
Pikërisht propozimi i emrit të Genc Pollos në krye të Komisionit të Medias ka shkaktuar debate në Grupin demokrat. Pasi Edi Paloka ka lexuar emrat e deputetëve të ndarë nëpër komisione, të cilat iu propozuan Grupit për t’u miratuar, ish-ministri i Punëve Publike dhe humbësi në garën për kreun e PD, Sokol Olldashi, është shprehur se në atë vend duhet të ishte Mesila Doda. “Ju këtu keni ardhur me vendim dhe nuk po konsultoheni se ku do të jenë deputetët. Ju nuk po konsultoheni se ku jemi më të përshtatshëm. Çështja e dytë që dua të ngre është drejtimi i Komisionit të Medias. Mendoj se deputetja Mesila Doda duhet të ishte në vend të Genc Pollos. Kujtoj se ajo ka drejtuar Këshillin Kombëtar të Radiotelevizionit dhe ka qenë prezente në shumë luftëra politike e debate politike”, mësohet të ketë thënë Olldashi në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit demokrat, që zgjati për rreth 60 minuta. Por, kryetari i PDsë, Lulzim Basha, është shprehur se kjo ndarje që propozohet për t’u miratuar u është paraqitur deputetëve pas konsultimit me ta dhe në funksion të një opozite të fortë. “Ne kemi gjykuar se Genc Pollo për postet që ka mbajtur është më i përgatitur për të drejtuar Komisionin Parlamentar të Medias. Ne jemi konsultuar dhe kemi diskutuar me Mesilën. Ne kemi gjetur skemën më të mirë në funksion të një opozite të fortë. Kemi menduar të vëmë ministrat në drejtim të komisioneve, pasi kanë më shumë eksperiencë”, i është përgjigjur Basha Olldashit. Në debat ka ndërhyrë edhe Mesila Doda, e cila është shprehur se nuk e ka pranuar propozimin e Bashës për të qenë anëtare e thjeshtë në Komisionin e Medias dhe të Integrimit. Një tjetër çështje e debatuar në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar ka qenë prezenca e deputetëve në dy komisione parlamentare. Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, është shprehur se kjo nuk është e nevojshme tani që demokratët janë në opozitë. “Përse duhet të jenë deputetët në dy komisione? Ne nuk jemi në maxhorancë dhe të kemi probleme me numrat për vendimmarrjet dhe deputetët të jenë në dy komisione, siç kemi funksionuar edhe në katër vitet e shkuara”, mësohet të ketë thënë Patozi. Por, sipas Bashës: “Ne duhet të kemi zërin tonë të fortë në çdo komision”. 

BASHA 
Në përfundim të mbledhjes së Grupit demokrat, kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se katër ditët e para të qeverisë së re kanë qenë jopremtuese. “Sot në mbledhjen e Grupit kemi diskutuar për situatën politike në vend, për zhvillimet aspak premtuese të 4 ditëve të para të qeverisë së re dhe Kryeministrit Rama, të cilat, për fat të keq, kanë demonstruar të kundërtën e asaj që ne si opozitë kemi ofruar, të asaj që Brukseli zyrtar i kërkoi, të asaj që qytetarët shqiptarë presin, që është fryma e bashkëpunimit, dhe jo e konfliktualitetit, që është fryma e bashkimit rreth objektivave madhorë siç është integrimi i vendit drejt Bashkimit Europian, dhe jo e përçarjes”, tha Basha. Sipas tij: “Karakterizuar po kështu nga një mungesë e thellë transparence midis asaj çfarë thuhet po nuk thuhet dhe asaj çfarë bëhet dhe, natyrisht, qëndrimet në vazhdimësi të Grupit Parlamentar dhe të Partisë Demokratike në tërësi, me këtë realitet aspak premtues, në këtë fillim të mbrapshtë të mbarsur me konfliktualitet, frymë përçarëse dhe urrejtje ndaj opozitës”. Adi Shkembi/PANORAMA

Debati ne Grupin e PD
Edi Paloka lexon emrat e deputetëve të propozuar për t’u ndarë nëpër komisione parlamentare.
Sokol Olldashi: Ju këtu keni ardhur me vendim dhe nuk po konsultoheni se ku do të jenë deputetët. Ju nuk po konsultoheni se ku jemi më të përshtatshëm. Çështja e dytë që dua të ngre është drejtimi i Komisionit të Medias. Mendoj
se deputetja Mesila Doda duhet të ishte në vend të Genc Pollos. Kujtoj se ajo ka drejtuar Këshillin Kombëtar të Radiotelevizionit dhe ka qenë prezente në shumë debate politike.
Lulzim Basha: Ne kemi gjykuar se Genc Pollo, për postet që ka mbajtur, është më i përgatitur për të drejtuar Komisionin Parlamentar të Medias. Ne jemi konsultuar dhe kemi diskutuar me Mesilën. Kemi gjetur skemën më të mirë në
funksion të një opozite të fortë. Kemi menduar të vëmë ministrat në drejtim të komisioneve, pasi kanë më shumë eksperiencë. 
Mesila Doda: Ne nuk kemi rënë dakord për këtë.
***
Pas leximit të emrave të deputetëve, shumë prej tyre do të jenë anëtarë në dy komisione. 
Astrit Patozi: Përse duhet të jenë deputetët në dy komisione? Ne nuk jemi në maxhorancë dhe të kemi probleme me numrat për vendimmarrjet dhe deputetët të jenë në dy  komisione, siç kemi funksionuar edhe në katër vitet e shkuara.
Lulzim Basha: Ne duhet të kemi zërin tonë të fortë në çdo komision.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.