Kolegji Zgjedhor ndjek traditën pro pushtetit, rrëzon hapjen e kutive…

Kolegji Zgjedhor rrëzoi rinumërimin e votave në KQZ, duke mos zhgënjyer në traditën e vet të vendimeve në favor të mazhorancave. Me 3 vota pro dhe dy, pjesërisht kundër, Gjykata e zgjedhjeve i dha të drejtë Partisë Socialiste për Lezhën, duke e cilësuar absolutisht të pavlerë vendimin për hapjen e kutive në KQZ-në me 4 anëtarë. Përtej “gjuhës” së komplikuar të ligjit, me këtë vendim të parë, Kolegji duket se i ka dhënë njëherë e mirë fund çështjes së rezultatit, duke e gozhduar atë në 83 mandate për të majtën dhe 57 për të djathtën. Një seri kërkesash të tjera ndodhen në pritje, por parimi mbetet i njëjtë: vendimarrja e KQZ-së në fazën ankimore është nul, për shkak të kuorumit (KQZ ka 4 anëtarë, Kolegji gjykon se vendimi duhej të merrej me praninë e 5 anëtarëve). Topi kalon tashmë në fushën e politikës, ku tonet mes palëve janë nxehur prej ditësh. Partia Socialiste, e cila është ankuar vazhdimisht mbi ç’ka po ndodhte në KQZ, tha dje e lehtësuar se Kolegji riktheu ligjshmërinë. “Kolegji, në ndryshim nga KQZ e lexoi ligjin ashtu siç ligjvënësi e ka shkruar. Ky vendim ka efekt automatik edhe për qarkun e Shkodrës. KQZ e urdhëruar politikisht, verbërisht e ka futur këtë proces në një qorrsokak, që u zgjidh për fat të mirë nga Kolegji”,-tha Koli Bele i PS, para portës së Gjykatës së Apelit. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykashi e cilësoi të paprecedentë vendimin e Kolegjit Zgjedhor.“ Është një vendim që minon procesin ankimor, sepse anulon mundësitë e çdo pale të ankimojë në kushtet e bllokimit të KQZ, pas largimit të anëtarëve të majtë”-tha Bylykbashi. Historia po përsërit vetveten, edhe pse aktorët kanë ndërruar rolet. Për publikun po ritransmetohet e njëjta shfaqje si në 2009, ndërsa gjyqtarët i qëndrojnë besnikë skenarit të përhershëm: pavarësisht se kush ankohet, vendimi shkon në favor të atij që ka pushtetin! Megjithatë, ka ende pikëpyetje mbi procesin zgjedhor, të konsideruar normal dhe test të kaluar me sukses nga ndërkombëtarët. Në qarkun e Lezhës fjala bie, hapja e kutive na mundësoi të shihnim më në fund se çka që s’shkon me zgjedhjet tona. Në 14 kuti, problemi precipitoi tek komisionerët, që kanë lejuar sy për sy manipulimin e rreth 1200 votave. Oerd Bylykbashi i PD-së tha dje se vjedhja e hapur është parë nga të gjithë shqiptarët. “Nuk do të përfundojë këtu, pasi PD do të dorëzojë një kërkesë tjetër ankimore në Kolegj. Është vjedhje e hapur me 1200 vota në qarkun e Lezhës dhe ky është një mandat i vjedhur”,-tha Bylykbashi. Por socialistët pretendojnë se vendimi i Kolegjit nuk ka asnjë efekt tek mandatet. Eridian Salianji i PS tha për mediat se Kolegji Zgjedhor lë në fuqi rezultatin + 38 vota për të djathtën, duke i ndarë mandatet në 4 me 3 në favor të koalicionit të drejtuar nga Berisha. Qarku i Shkodrës është një tjetër pikëpyetje mbi vendimin e djeshëm, votat e së cilit vazhduan të numëroheshin mbrëmë në tavolinat e KQZ-së, deri në orët e vona të mbrëmjes. Sikur asgjë të mos kish ndodhur, Komisioni Qendror nuk e ndërpreu procesin e nisur prej ditësh për të numëruar çdo votë, edhe pas vendimit të Kolegjit. Ngjarjet në KQZ duket se po zhvillohen mes dy zjarreve: Kolegjit Zgjedhor më njërën anë dhe kryeministrit Berisha, që kutitë “e njollosura” të Lezhës e rikthyen me një aksion të ri politik, m’u në vigjilje të zgjedhjeve për pasardhësin në parti. Dje Berisha artikuloi qartë linjën që do të ndjekë partia e tij tash e tutje; njohjen e rezultatit në këmbim të rinumërimit të çdo vote. E në këtë linjë, Berisha i bëri thirrje Ramës që të mos pengojë procesin në KQZ, për të cilin parashikoi se do të zgjaste 15 ditë. Por ndryshe nga viti 2009, kryeministri Berisha duket se i ka bërë llogaritë pa gjyqësorin. Pesë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë mundur dje të marrin një vendim të shpejtë, duke u ndarë 3 me 2 në favor të Partisë Socialiste. Sinjali i parë është dhënë, duke i hapur rrugën një “deja vy”-je të gjatë në skenën politike shqiptare. Slogani është ai i vjetri: “Hap kutitë”. Dyshimi po ashtu. Nisi të bjerë që dje mbi gjykatësit e zgjedhjeve!
MAPO
Add new comment