Kolegji shtyn për dy ditë vendimin për votat e Shkodrës

KQZ, kohë për mbylljen e rinumërimit, Madhi: Na duhen 200 vota plus PD-së për mandatin
BLEDAR HOTI
Kolegji Zgjedhor shtyn për dy ditë vendimin për ankesën e PS-së për Qarkun e Shkodrës. Shkak i kësaj shtyrjeje ka qenë kërkesa e PR-së, të cilët kërkuar më tepër kohë për thellimin e çështjes. Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele, pas vendimit deklaroi për mediat se “Kolegji, për arsye procedurale, të kërkuara nga PR-ja, vendosi shtyrjen e vendimit për rinumërimin që po u bëhet, votave të Qarkut Shkodër, pas dy ditësh. Nuk ka ndonjë shqetësim nga PS-ja për rinumërimin që po bëhet në KQZ. Ne presim me qetësi vendimin e Kolegjit që në bindjen tonë do jetë i të njëjti standard me vendimmarrjen e mëparshme lidhur me Qarkun e Shkodrës. PS-ja paraqiti ankimimin e saj për rinumërimin e votave të Qarkut të Shkodrës, një vendim i jashtëligjshëm i marrë nga KQZ-ja, pasi ka tri ditë që ka përfunduar afati ligjor dhe njësoj si edhe për Qarkun e Lezhës, vendimmarrja ka qenë e paligjshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta përfundojë atë teatër absurd që ka nisur”, deklaroi Bele. Tejkalimi i afatit për kërkesën e PR-së ka qenë një nga arsyet që PS-ja ka paraqitur si fakt në Kolegj, duke kërkuar ndërprerjen e procesit të rinumërimit të votave. Në paraqitjen e fakteve nga PD dhe PR ka dalë në dritë një kërkesë shtesë që nuk ka pasur lidhje me çështjen. Përfaqësuesi i PD-së kërkoi përjashtimin e gjyqtares Gjinovefa Gaba nga ky proces. Ivi Kaso ka kërkuar përjashtimin e relatores së çështjes, Gjinovefa Gaba, me arsyetimin se ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka kërkuar masë disiplinore për gjyqtaren. Kësaj kërkese i është bashkangjitur edhe Partia Republikane. Përfaqësuesi i PS-së, Bele, e ka cilësuar si të mbështetur në ligj kërkesën për përjashtimin e gjyqtares, si dhe faktin se Alibeaj nuk është më deputet i PD-së. Kolegji nuk e pranoi kërkesën e paraqitur nga dy partitë, porse mori në konsideratë për shtyrjen e vendimit dhe me dy ditë të tjera, për shkak të procedurave ankimore. Me datën 26 korrik do të jepet vendimi përkatës nga kjo trupë gjyqësore.
Madhi: Na duhen 200 vota
Lërja e hapësirës nga ana e Kolegjit për dy ditë, i ka krijuar mundësi KQZ-së që ta mbyllë procesin e rinumërimit të votave. Dje ky institucion mbylli procesin për dy ZAZ, duket e çuar gjithsej në 6 nga 8 që ka gjithsej ky qark. Ky proces duket se nuk ka sjellë surpriza për KZAZ 5 dhe 6, pasi gabimet e votave kanë rezultuar më tepër njerëzore sesa devijime të votës në një sasi të konsiderueshme. Por pavarësisht kësaj, republikanët ende kanë shpresë te dy ZAZ-të e tjera ku mund t’u dhurojnë atyre mandatin e deputetit. Nënkryetari i PR-së, Arjan Madhi, deklaron se mjaftojnë 200 vota që të fitojnë mandatin në Qarkun e Shkodrës. “Nuk mund të analizohet trendi i votave me numërimin e një KZAZ-je, sepse deformimet mund të ndodhin edhe me 5 kuti dhe PR mund të fitojë mandatin. Na duhen 200 vota për të marrë një mandat, por nuk është numër i madh”, deklaron Madhi. Ndërsa përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, u shpreh se KQZ-ja vijon me paligjshmërinë e saj, duke mos marrë në konsideratë vendimet e Kolegjit, si dhe ajo duhet të kishte realizuar certifikimin e rezultatit të 23 qershorit. “Gjithçka që po konstatojmë ka lidhje me shpalljen e rezultatit final, veprimet e KQZ kanë qenë të tilla që e çojnë procesin në kufi, përveçse dëshirës për ta bërë procesin pis, duan ta çojnë sa më larg. Vendimmarrja e kolegjit do të shërbejë për të shkurtuar këto dëshira”, thekson Gjonçaj.
ZAZ 6
Zona Zgjedhore me numër 6 e Shkodrës i përket qytetit. Janë gjithsej 49 kuti votimi. Procesi i rinumërimit ka zgjatur deri në orën 22:00
Hollande, mysafir i posaçëm
Nishani, në takimin e presidentëve të Ballkanit
Me ftesë të dy presidentëve sllovenë, Pahor dhe kroat, Josipoviç, kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, u nis dje për të marrë pjesë në Takimin e Kryetarëve të Procesit të Brdo-s. Zyra e shtypit të Presidencës bën të ditur se “në këtë takim marrin pjesë kryetarët e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe për herë të parë, Presidenti i Francës, François Hollande”.
Procesi i Brdo-s është një iniciativë e dy ish-kryeministrave të Kroacisë dhe Sllovenisë që daton në vitin 2010 dhe ka si qëllim forcimin e marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, në kuadër të fqinjësisë së mirë, stabilitetit, si dhe proceseve integruese në Bashkimin Europian dhe strukturat euroatlantike. Risia e këtij takimi është përfshirja më direkte e institucioneve europiane dhe vendeve anëtare të BE-së, si dhe synimi për të lobuar në mbështetje të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian bazuar në meritën e gjithsecilit. Ky takim vjen pas ceremonisë së realizuar disa javë më parë për pranimin e Kroacisë si shteti më i ri i Bashkimit Europian.
SHQIP
Add new comment