Kokalari i shkruan Ramsfeld: Sa u paguat për të lavdëruar kriminelë si Berisha e Mediu?

Aktivisti shqiptaro- amerikan, Geri Kokalari, i shkruan ish- Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, pas vizitës në Tiranë
I dashur zoti Ramsfeld:
Referuar vizitës suaj në Shqipëri, ishte shumë shqetësuese të shihje përpjekjet tuaja për të mbështetur një diktator të korruptuar si Sali Berisha dhe një kriminel si Fatmir Mediu.
Por shoh se ka njëfarë logjike në veprimet tuaja. Mbi të gjitha, ishte iniciativa juaj, kur ju shërbenit si Sekretar i Mbrojtjes, që solli projektin e demontimit të municionit në Gërdec. Po ashtu ishte dhe një nga iniciativat tuaja si Sekretar të Mbrojtjes që bëri që kompania AEY të shiste 300 milion dollarë armatim të vjetër kinez nga depot shqiptare për Departamentin Amerikan të Mbrojtjes.
Për informacionin tuaj, kushtet e rrezikshme në Gërdec, që ishin rezultat direkt i neglizhencës së qeverisë Berisha dhe Mediut si Ministër i Mbrojtjes, sollën shpërthimin gjigand në mars të vitit 2008, që vrau 26 njerëz, përfshi fëmijë, që nuk duhej të ishin duke punuar aty.
Sa i përket kompanisë AEY, unë isha personi përgjegjës që ekspozoi këtë skandal në faqen e parë të “The New York Times” po në mars të vitit 2008 dhe që solli dënimin e katër amerikanëve në rolin e tyre për mashtrimin e qeverisë amerikane. Pavarësisht se Berisha dhe Mediu ishin përfshirë ngushtësisht në orkestrimin e Gërdecit dhe AEY, asnjëri prej tyre nuk është hetuar për këto skandale dhe janë mbrojtur nga drejtësia. A keni ju të bëni me këto mbulime? Dhe a mund të më thoni ju lutem se sa jeni paguar ju, ose fondacioni juaj, që të shkoni në Shqipëri në përpjekje për të zbardhur këta kriminelë?
Sipas meje, për shkak se politikat tuaja në Departamentin e Mbrojtjes rezultuan në Gërdecin dhe AEY-në, së bashku me Berishën dhe Mediun ju duhet të ndani edhe fajin- nëse jo ligjërisht, të paktën moralisht.
Dhe patjetër që ju duhet të keni pjesën e luanit në fajin e madh në Irak, që solli edhe humbje jetësh dhe pasurie në shkallë të madhe gjatë menaxhimit katastrofik të periudhës pas pushtimit fillestar.
Herën tjetër kur të shihni mikun tuaj Mediu, duhet ta pyesni se si përfundoi ai i arrestuar në Itali së bashku me “kolegun” e tij Gazmend Mahmutaj, që përfundoi në burg në Itali me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore.
Fakti që ju miqësoheni dhe tentoni të glorifikoni krijesa të tilla të ulëta si Berisha dhe Mediu, ma bën më të lehtë që të kuptoj se përse senatori Xhon MekKein ju ka quajtur ju “Sekretari i Mbrojtjes më i keq në historinë e SHBA”.
TEMA
Add new comment