Koalicionet negociatat e fundit të Topit, Dules dhe Spahiut

TIRANË Ndërsa kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu po mëtonte të rrëzonte simbolikisht dje kryeministrin Berisha në sheshin përballë Kryeministrisë, në një tjetër ambient, atë të selisë rozë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, jo pa qëllim po përcillte një mesazh publik ndaj tij. Ai uroi që AK-ja të jetë pjesë e frontit opozitar, duke i paraprirë në fakt një lëvizjeje të mundshme mes dy partive. Burime nga PS-ja thanë mbrëmë për gazetën “Mapo” se afrimi i AK-së drejt PS-së pritet të jetë konkret, edhe pse parimisht gjithçka mbetet e hapur. Paralelisht, Kreshnik Spahiu i AK-së po negocion edhe me kryetarin e FRD-së, Bamir Topi, për një aleancë të tretë në zgjedhje. Burimet e deritashme flasin për një marrëveshje më të mundshme mes Spahiut dhe Ramës, ndërsa nuk dihet se si do të pritet kjo lëvizje nga Meta. AK nuk i kurseu kritikat ndaj LSI-së edhe në protestën e djeshme. ”…Nuk jeni mbledhur këtu as nga 20 përqindëshat e LSI-së, as nga administrata e qeverisë, ju jeni këtu se AK-ja është opozita më e denjë. Ne nuk shkelim mbi parimet tona”, – u shpreh ndër të tjera Spahiu. Ky i fundit po dëgjohet sa vjen e më pak për qëndrimet e tij nacionaliste dhe po zhurmon dita-ditës me kërkesën për largimin e Berishës. Ky qëndrim thuajse i përditshëm i AK-së, por edhe vetë përmbajtja e programit që kjo forcë politike ka, thith më shumë vota të majta, duke i prishur më shumë punë të majtës sesa të djathtës për rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit.
Negociatat me Dulen
Nëse AK-ja zyrtarizon koalicionin me PS-në, atëherë ai që mbetet jashtë është kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, për shkak të kushtëzimit të vetëm që ai ka bërë: të mos jetë në koalicion me parti, që do të bashkëpunojnë me AK-në apo PDIU-në. Por ndërsa deklaratat publike mbeten, jo zyrtarisht Dule po kërkohet fortnga dy partitë e mëdha PD e PS. Prej dy të mëdhenjve, Dule mësohet të ketë kërkuar mbështetje për të siguruar dy-tre mandate deputetësh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Asi” i tij i deritashëm nuk është vetëm anëtari që ai ka në KQZ. Me kalimin e LSI-së në opozitë, kjo e fundit është bërë automatikisht partia e dytë e së majtës, duke i zënë vendin PBDNJ-së, e cila deri tani kishte përfaqësues në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve. Por ndërsa Dule ka humbur në letër përfaqësimin në nivelet e tjera zgjedhore, partia që ai drejton, zotëron një anëtar në KQZ dhe vota të konsiderueshme në disa qarqe nga ku mund të lëvizë peshorja. Këtë gjë e di edhe Bamir Topi, një lojtar tjetër politik. Nëse del në një koalicion me Dulen, që të marrë një mandat deputeti në Tiranë, Topit do t’i duhen rreth 19 mijë vota, ndërsa Dules, në qarkun e Vlorës rreth 5.500 vota. Edhe pse ky rezultat është i arritshëm për Dulen, kryetari i PBDNJ-së kërkon të faktorizohet edhe në qarqe të tjera si Gjirokastra apo Korça. Me mbështetjen e FRD-së si koalicion, Dule i afrohet këtij qëllimi.
FRD
Ndërsa situata me AK-në dhe PBDNJ-në mbetet ende pezull, ajo që zyrtarë të FRD-së shprehin me siguri është se në politikën shqiptare do të ketë një Pol të Tretë. Në pritje të ngjarjeve që do të ndodhin me dy partitë sa më sipër, Bamir Topi ka nisur negociatat me partitë me profil të djathtë, kryesisht fraksione të dala nga demokristianët, çamët dhe Balli Kombëtar. Pengesa që shfaqet në këtë rast është se partitë që po negociohen nuk kanë asnjë mandat në Kuvend dhe se Kodi Zgjedhor nuk është i favorshëm ndaj tyre, pavarësisht ndryshimeve lehtësuese që u bënë në vitin 2012. Kështu, listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Të njohur me këtë dispozitë të Kodit, partitë e vogla po shikojnë mundësinë e shkrirjes me FRD-në.
“Ftesa” e PD
Në një kohë kur LSI-ja e bëri lëvizjen e saj duke pranuar koalicionin me PS-në, situata brenda së djathtës mbetet e trazuar. Asaj më shumë se kurrë në këto zgjedhje do t’i duhet që të bashkohet. Rrjedhja e votave brenda së djathtës, për shkak të sistemit, do të ndikonte vetëm në mandate më pak në disa qarqe të caktuara. Për pasojë, publikisht analistë pranë së djathtës po shikojnë si mundësi afrimin e FRD-së me PD-në, edhe pse deri tani duket e vështirë të ndodhë. Kryetari i FRD-së mësohet se pranon në parim bashkëpunim me PD-në pas zgjedhjeve, por pa Sali Berishën kryeministër, një tezë kjo thuajse e pamundur për t’u pranuar nga vetë Berisha. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse lëviz nga këto qëndrime vetë Bamir Topi, ndaj të cilit këto ditë demokratët nuk kanë munguar të çojnë sinjale për të bashkëpunuar.
MAPO
Add new comment