KLSH te Financat – Faturat e papagura, 400 milionë USD

“Me ritmin e vonesave dhe projektet e reja, detyrimet ndaj biznesit do të arrijnë 1 miliard në 2015”
Shifra e raportuar për herë të parë konsiderohet gati dy herë më e lartë nga sa ishte deklaruar deri më tani
Krijimi i stokut - “Rikujtojmë se vlera e detyrimeve e përmendur më sipër është 43 miliardë lekë, ndërsa tavani i financimit të brendshëm për vitet 2013-2015 është 12.3 miliardë lekë. Duke analizuar këto të dhëna vëmë re se edhe nëse gjithë fondet e financimit të brendshëm përdoren për shlyerjen e detyrimeve që sjellin projektet në vazhdim, në fund të vitit 2015, vlera e detyrimit do të arrijë 108 miliardë lekë”.
ARD KOLA
Qeveria socialiste do të trashëgojë një borxh të akumuluar prej faturave të papaguara ndaj firmave ndërtuese, në vlerën e rreth 400 milionë dollarë. Shifra i referohet vitit 2012, ku sipas një raporti hetimi të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në Ministri të Financave, për zbatimin e buxhetit të shtetit, nga ku evidentohet fakti, se pjesa dërrmuese e detyrimeve të papaguara ndaj subjekteve private i takojnë Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike.
Ekipi auditues, i përbërë nga 6 zyrtarë të KLSH, ngre shqetësimin se nuk janë mbajtur të shënuara detyrimet dhe se nuk rezultojnë të njohura nga shteti. Vlera e zbuluar, prej 43 miliardë lekësh, doli pas monitorimit të investimeve të kryera në vitin 2012 dhe kontratave të lidhura. Megjithatë, KLSH thotë se po pret përgjigjen, nga shkresa e dërguar në korrik 2013, për të konfirmuar zyrtarisht vlerën e saktë të detyrimeve.
“Informacioni nuk disponohet i saktë dhe se detyrimet janë paraqitur përmes postës elektronike (e-mail) nga Ministria e Punëve Publike te Financat.
Faturat e krizës
“Sipas një përllogaritjeje paraprake nga Drejtoria e Monitorimit të Investimeve Publike, rezulton se për programin e rrugëve ka një vlerë shumë të lartë të për detyrimet e projekteve në vazhdim nga vitet e mëparshme ose të çelura gjatë këtij viti (po llogaritur kostot lokale dhe TVSH për projektet me financim të huaj duke përfshirë edhe fondet e çelura në buxhetin e vitit 2012, vlera e detyrimeve është rreth 43 miliardë lekë, megjithatë presim nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit të konfirmojë vlerën e saktë”, thotë KLSH në raportin konfidencial.
Ministrat e Financave dhe Transportit, kanë deklaruar gjithnjë se nuk kanë asnjë faturë të pashlyer të njohur nga sistemi i Thesarit, por nuk e kanë mohuar faktin se detyrimet ekzistojnë. Sipas tyre, i gjithë faji është i kompanive të ndërtimit, që punojnë me ritëm më të lartë pune, duke dalë nga plani vjetor i financimit.
Shifra e raportuar për herë të parë nga KLSH konsiderohet gati dy herë më e lartë nga sa ishte deklaruar deri më tani, qoftë nga shoqatat e biznesit, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Këto dy institucione kanë ngritur zërin fort për likuidimin sa më shpejt të detyrimeve, për të mos shkaktuar ndikime zinxhir në rrjetin e borxheve me bankat, por edhe lulëzimin e tregut informal të fajdeve.
Akumulimi në vite
Shqetësimet e KLSH nuk prekin vetëm vitin 2012. Audituesit kanë dalë në përfundimin se me ecurinë e deritanishme të vonesave, faturat e papaguara mund të arrijnë deri në 1 miliard dollarë, duke iu referuar projekteve në vazhdim dhe ato të rejat, të çelura në 2013 dhe të planifikuara.
Problematika kryesore ka të bëjë me faktin se paralelisht me kërkesën për fonde shtesë është edhe çelja e projekteve të reja me vlera financimi 26.2 milionë lekë për vitin 2013, 4 milionë lekë për 2014 dhe 82 milionë lekë për 2015, dhe ku sipas KLSH, detyrimet totale ndaj këtyre projekteve janë rreth 78 milionë lekë.
Duke analizuar faktin se detyrimeve të vjetra, me projektet e reja, KLSH ngre me shqetësim analizën mbi akumulimin që do të krijohet pas dy vitesh, nëse qeveria nuk merr masat.
“Rikujtojmë se vlera e detyrimeve e përmendur më sipër është 43 miliardë lekë, ndërsa tavani i financimit të brendshëm për vitet 2013-2015 është 12.3 miliardë lekë. Duke analizuar këto të dhëna vëmë re se edhe nëse gjithë fondet e financimit të brendshëm përdoren për shlyerjen e detyrimeve që sjellin projektet në vazhdim, në fund të vitit 2015, vlera e detyrimit do të arrijë 108 miliardë lekë”.
“Marr shkas sa më sipër bazuar edhe në kërkesat e institucioneve gjatë paraqitjes së dokumenteve të projektbuxheteve për fonde shtesë për shlyerjen e detyrimeve kontraktuale lutemi, jepni informacion se çfarë masash ka marrë Ministria e Financave për evidentimin e këtyre detyrimeve të buxhetit ndaj operatorëve ekonomik pasi sikurse u rehatua nuk ka përputhje midis kërkesave për buxhet të institucioneve dhe të dhënave të gjeneruara nga sistemi i thesarit”, i shkruan kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, ministrit të Financave, Ridvan Bode.
Thesari: Njohim vetëm 70 milionë USD
Drejtoria e Thesarit në Ministri të Financave thotë se njeh fatura të palikujduara në verë rreth 70 milionë dollarë, me vonesa jo më shumë se dy javë. Këto fatura njihen dhe do të shlyhen shpejt, por Ministria e Financave nuk mban përgjegjësi për punimet e kryera me nxitim dhe përtej planit ga firmat e ndërtimit
SHQIP
Add new comment