KLSH raport në Kuvend: Të frenohen shpenzimet galopante të Fullanit

Postuar në 16 Gusht, 2013 07:29

Në një kohë kur kriza ekonomike ka diktuar shkurtimin e shpenzimeve publike si masë emergjente, Banka e Shqipërisë që duhet të jetë institucioni më i ndjeshëm në këtë drejtim, vijon më shpenzime stratosferike. Kjo është esenca e një raporti konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili tashmë është në Kuvend. Raporti argumenton se hierarkia  e rrogave dhe shpërblimeve në Bankën e Shqipërisë është mbi të gjitha institucionet e tjera në këtë vend, madje edhe mbi Presidentin e Republikës. Më herët deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kishte argumentuar se shpenzimet në Bankën e Shqipërisë kalojnë çdo kriter ligjor dhe moral. Por kjo konstatohet edhe nga KLSH, kur thotë se pagat dhe shpërblimet në Bankën e Shqipërisë kanë dalë përtej kornizave të tregut dhe jashtë realitetit shqiptar. Raporti dokumenton si shembull ilustrues atë të dietave. “Nivelet e dietave ditore për guvernatorin dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës janë pothuajse sa dyfishi i dietave që merr Kryeministri dhe 60 euro më shumë në ditë sesa ajo e Presidentit të Republikës”, thuhet në raport. Kjo do të thotë se vetëm diferenca ditore prej 60 eurosh mes dietës së guvernatorit dhe asaj të Presidentit është gati sa gjithë pagesa mujore që përfiton një pensionist në Shqipëri. ”Vetëm dieta e drejtorëve të departamenteve janë sa ato të Presidentit dhe madje në shumë raste mungojnë dokumentet për të verifikuar kohëzgjatjen e qëndrimit në shërbim dhe kthimin e punonjësve”, thotë raporti. Raporti i KLSH-së që tashmë është në Kuvend, i kërkon deputetëve të ndërhyjnë menjëherë për të disiplinuar financiarisht Bankën Qendrore dhe për të minimizuar hapësirat e abuzimit me fondet publike në këtë institucion. Leskaj jep një sërë rekomandimesh urgjente për disiplinimin financiar të Bankës Qendrore, ku fillimisht i kërkon Kuvendit të ndryshojë ligjin dhe më pas t’i heqë Bankës të drejtën që ta kontraktojë kompaninë që bën auditin për ta marrë vetë atë. Në vitin 2013, një nga më të vështirët të ekonomisë së zhytur në krizë, shpenzimet në Bankën e Shqipërisë u rritën me 30 për qind, duke arritur në 14 milionë dollarë.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.