KKT miraton ndërtimin e xhamisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shpalli ngrirjen e përkohshme të lejeve te ndërtimit në qytetin e Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës, si dhe anulimin e ndërtimit të godinës polifunksionale, në plan për t’u ndërtuar së bashku me Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.
Nga ana e saj, leja e ndërtimit të xhamisë mbetet në fuqi, ashtu siç ishte vendosur edhe më parë.
Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, Rama bëri një ekspoze të të gjithë gjendjes së territorit. “Territori është një ndër pikat kyçe të zhvillimit tonë strategjik afatgjatë, ndërsa problemet janë të shumëllojshme. Ka ndotje të konsiduerueshme të lumenjve, shkarkime kanalizimesh në lumenj dhe pastaj në det apo edhe direkt në det në segmente të rëndësishme turistike, shkurtime të ndjeshme të furnizimit me ujë për shkak humbjesh në rrjet, sipërfaqe tokash të përmbytura, shpyllëzime të jashtëzakonshme tejet përmasave të pranueshme nga zjarret dhe prerjet. Zhvillimi urban kaotik, ndërtimi e shembja e ndërtimeve të paligjshme ka sjellë pasoja pasi është bërë në mënyrë barbare, degradim i zonave të trashëgimisë kultutore, mungesa e plotë e pranisë së institucioneve… Kjo është vetëm një pjesë e panoramës me të cilën përballet sot vendi”, deklaroi Rama.
“Kemi një tërësi problemesh të tjera, kemi edhe zaptimin e vazhdueshëm të pronës si rrjedhojë e pronësisë së papërcaktuar me tokën, që kërcënon të ardhmen dhe kanë vendosur në kushte të vështira qëndrat ekzistuese urbane”, vazhdoi kryeministri, duke shpallur vendimin e parë të rëndësishëm të KKT-së.
“Në Berat, Gjirokastër e Krujë pezullohet çdo leje përkohësisht. Dy qytetet e para janë trashëgimi jo vetëm shqiptare, por edhe botërore. E megjithatë, Gjirokastra figuron sot në listën e kuqe të “UNESCO”-s, së ndërtesave të rrezikuara për shkatërrim, ndërsa kalaja e Krujës gjithashtu rrezikon shkatërrimin e plotë si rrjedhojë e ndërtimeve pranë saj”, bëri të ditur kryeministri.
I pyetur nga “Top-Channel”, Rama u përgjigj edhe për vendimin e bllokimit të një pallati 16-katësh në qendër të Tiranës. “Siç e dëgjuat, qeveria do të marrë vendimin përkatës për t’i hapur rrugë një procesi të pandalshëm, duke shtuar dikasteret në një “task-force” që do të ketë në zemrën e vet këtë plan dhe energjinë e të gjithë institucioneve për zbatim ligji. Ministria e Brendshme ka marrë një rol thelbësor, sepse në Shqipëri ndërtimi pa leje përbën vepër penale, nga ana tjetër, me ligjin e ri, në aksionin që ne do të fillojmë, tashmë i strukturuar ligjërisht, do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe s’do të ketë asnjë kthim pas. Ndërsa procesi i legalizimeve do të vazhdojë paralelisht, nuk do të lejohet asnjë tolerim mes ndërtimeve pa leje”, tha kryeministri.
Rama shpalli edhe dy vendime të rëndësishme që lidhen me kryeqytetin, atë të bllokimit të lejeve për qëndrat funksionale në plan për t’u ndërtuar së bashku me Xhaminë e Namazgjasë në kryeqëzimin e bulevardit të Dëshmorëve të Kombit me Rrugën e Elbasanit dhe rishikimin e planit të zgjatjes së Bulevardit të Tiranës në mbledhjet e ardhshme të KKT-së.
Top Channel
Add new comment