KiE miraton raportin për zgjedhjet e 23 Qershorit: Procesi i votimit i mirë, kritika për KQZ

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi raportin për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, të cilat u vlerësuan konkurruese, me pjesëmarrje të gjerë të votuesve dhe në respekt të të drejtave të njeriut.Raporti ka adresuar kritika për KQZ-në në lidhje me median. “Më 3 qershor KQZ, miratoi një vendim kundërthënës që detyronte mediat elektronike, të transmetonin materiale të përgatitura nga subjektet politike, në studiot e tyre, pa ndërhyrje nga stafet editoriale të vetë mediave. Ky vendim nuk ishte ne përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, duke kufizuar lirinë editoriale dhe të drejtën e shikuesve për raportim të pavarur. Institucioni i Avokatit të Popullit kërkoi tërheqjen e këtij vendimi”, – thuhet në raport.
Ndërkohë Këshilli i Europës vëren se ne ditën e zgjedhjeve pati raste të izoluara dhune, një prej të cilave përfundoi tragjikisht me një të vdekur dhe 2 të plagosur, njëri prej të cilëve ishte kandidat për deputet. Sipas raportuesve të Këshillit të Europës, procesi i votimit cilësohet si i mirë ose shumë i mirë, në 94% të qendrave të votimit dhe i keq vetëm në 6% të tyre, megjithatë në 14% të qendrave u vërejt votim familjar dhe në 12 qendra votim i shumëfishtë. Një tjetër shkelje që vihet re në raport është fenomeni i blerjes se votës, që sipas Këshillit të Europës është vënë re tek komuniteti rom dhe tek komunitete të varfra në zonat rurale të Shqipërisë.
Kryetarja e delegacionit të Parlamentit shqiptar, njëkohësisht anëtare e Komisionit të Integrimeve Europiane në Kuvend falenderoi KiE për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në rrugën e saj për përmbushjen e proceseve demokratike.
Sipas zonjës Leskaj debati ishte në një klimë mjaft pozitive dhe mbështetës për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ajo tha se kishte shprehur angazhimin e mazhorancës së re për avancimin e axhendës europiane në përmbushjen e 12 prioriteteve në letër dhe në realitet.
Ndërkohë pjesë e debatit ishte edhe funksionimi i demokracisë parlamentare, ku delegacioni shqiptar ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës së majtë për t’i dhënë të gjitha hapësirat e nevojshme opozitës për të luajtur rolin e saj të rëndësishëm në proceset integruese të vendit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrt Vasili, i cili është njëherazi anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka deklaruar se faktori ndërkombëtar ka vlerësuar se zgjedhjet e 23 qershorit respektuan liritë fondamentale dhe se përbëjnë një hap të madh përpara për vendin.
“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vlerëson tepër pozitivisht zgjedhjet e 23 qershorit. Zgjedhjet ishin kompetitive me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe respektuan liritë fondamentale”, u shpreh Vasili.
Shqip
Add new comment